Taksa e Kosovës për Maqedoninë cfar biseduan sot dy ministrat

Taksa e Kosovës për Maqedoninë  cfar biseduan sot dy ministrat

Deri në fund të javës, Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Kosovës duhet të dërgojë raport tek Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Maqedonisë së Veriut, duke analizuar programin e duhur për monitorimin e produkteve të vezëve dhe peshqëve të rinj nga Kosova. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në takimin e sotëm me ministrin e tregtisë dhe industrisë së Kosovës, Endrit Shala në Prishtinë,tha se pasi të dorëzohen të gjitha dokumentet e nevojshme nga pala kosovare, atëherë do të merret vendimi që lejon importin e prodhimeve të peshkut nga Kosova.

“Faktet dhe argumentet tona që i kemi shpalosur para palës kosovare janë pranuar dhe ne presim që ata deri në fund të javës të dorëzojnë programin e tyre dhe kur ata do të paraqesin programin e tyre të monitorimit, Komisioni i Agjencisë për ushqim dhe veterinari nga Maqedonia e Veriut do të dalë në terren dhe do të përcaktojë nëse institucionet e Kosovës funksionojnë sipas këtij programi. Dua ti siguroj qytetarët dhe kompanitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut që ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të hapur tregje të reja, por njëkohësisht edhe ti mbrojmë qytetarët me kontrolle më të mëdha mbi gjendjen shëndetësore të produkteve të importuara në vend. Unë nesër edhe me shkrim do ta njoftoj Ministrin e tregtisë dhe industrisë së Kosovës, Endrit Shala, se në momentin kur ata do të paraqesin këto dokumente, ne do t’u lejojmë atyre që të importojnë produktet e peshkut në Maqedoninë e Veriut. Unë pres që ata pasi të marrin këtë shkresë do të heqin pengesat për patatet dhe mjaltin”, tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi informoi se masa nuk është ndërmarrë vetëm për Republikën e Kosovës, por është masë që është ndërmarrë për të gjitha vendet që nuk kryejnë monitorim aktiv dhe pasiv në lidhje me produktet e peshqëve.

“Vitin e kaluar ne si Qeveri njoftuam institucionet përkatëse në vendet fqinje, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, që të fillojnë të zbatojnë këtë program në mënyrë që të eksportojmë produktet tona në Bashkimin Evropian. Në tetor do të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian dhe do të marrim parasysh kapitujt që merren me këtë problematikë, ndërsa ne jemi të detyruar të zbatojmë masat dhe programet e tilla, sepse kemi ndërmarrë detyrime “, tha Bekteshi.

Drejtori i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë Zoran Atanasov theksoi se është e nevojshme të verifikohet nëse Kosova heton në mënyrë adekuate mundësinë e sëmundjeve eventuale tek produktet e peshkut. Sapo të marrim një konfirmim të tillë që ato përputhen me të gjitha procedurat, pengesa e importit për Maqedoninë e Veriut do të hiqet.

“Kjo është një parim ndërkombëtarë që garanton se vendi nuk ka sëmundje dhe kjo është mënyra se si ne mbrohemi nga sjellja e sëmundjeve në territorin tonë.Nga ajo që na kanë siguruar autoritetet e Kosovës tani për tani nuk i kanë ende të gjitha analizat e nevojshme, por nëse ata na dëshmojnë se kanë kryer monitorim aktiv dhe pasiv siç pretendojnë ata, atëherë në atë moment komisioni ynë përcakton se po realizohen këto masa ne do ta heqim pengesën ditën tjetër,” u shpreh Atanasov.

Ministri i tregtisë dhe industrisë së Kosovës, Endrit Shala, pas takimit të realizuar në Prishtinë tha se Agjencia e tyre e ushqimit dhe veterinarisë kishte rënë dakord të paraqesin garancë shtesë për Maqedoninë e Veriut por që Kosova nuk është e detyruar ti kishte me nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së CEFTA-s.

“Ne u pajtuam që deri në fund të kësaj jave Agjencia jonë të përfundojë detyrat e saj dhe pas kësaj Agjencia përkatëse e Maqedonisë së Veriut do të heq barrierën që ka me Republikën e Kosovës. Kemi rënë dakord të ndërmarrim këto hapa institucionalë dhe për momentin të dy palët edhe Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do të eliminojnë masën e vendosur nga ne si ministri e tregtisë, por në të njëjtën kohë edhe barrierën që shfaqet mbi subjektet afariste gjatë eksportit të atij produkti në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Shala.

Të dy ministrat ranë dakord që pas zgjidhjes së problemeve me programet e monitorimit aktiv, të dy ministritë do të heqin barrierat dhe masat e reciprocitetit midis tyre. Maqedonia e Veriut aktualisht nuk importon peshk nga asnjë prej vendeve fqinje përveç Kosovës, dhe shumica e importeve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht Danimarka dhe Hollanda.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Gusht 20, 2019 17:42

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA