Taravari: ASH të premten vendos hyrjen e mundshme në Qeveri

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:43

Taravari: ASH të premten vendos hyrjen e mundshme në Qeveri

Kuvendi pas një kohe të gjatë arriti të fillojë seancë të re. Numrin e nevojshëm të deputetëve për kuorum për të hapur seancën e 100-të e mundësuan grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët. I pyetur nga gazetarët në një organizim Gostivar, për krijimin e kuorumit për hapjen e seancës, kryetari i ASH-së, Arben Taravari u përgjigj se pjesëmarrja në seancë nuk do të thotë mbështetje për shumicën parlamentare.

Ai shtoi se edhe ASH ka kontribuar në kuorumin për votimin e propozimit francez dhe marrëveshjes me Bullgarinë dhe përmendi se pavarësisht se janë në opozitë në situata të caktuara kur si parti dhe deputetë vlerësojnë se puna e Kuvendit ka nevojë për mbështetje, do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Jo, nuk ka rëndësi. Nuk është hera e parë. Herë ne, e herë të tjera VMRO-DPMNE ka siguruar shumicën për funksionimin e Kuvendit. Ne bëmë shumicën edhe kur po sillej buxheti. Kështu do të vazhdojmë sido që të jetë”, tha Taravari.

Taravari theksoi se vendimin për shkuarje në Qeveri ose jo, ASH do ta sjellë të premten në takimin e kryesisë qedrore partiake.

“Të premten kam caktuar një takim me kryesinë qendrore të partisë. Aty do t’i marrim vendimet përfundimtare, sepse e dini se kuvendi qendror e ka porositur kryesinë qendrore të marrë vendimin përfundimtar dhe mundësisht nëse është e nevojshme të formohet një ekip negociator. Për këtë do t’ju informojmë me kohë”, nënvizoi Taravari.

Kuvendi për një kohë të gjatë është përballur me vështirësi në mbajtjen e seancave për shkak të pamundësisë që të sigurojë 61 deputetë, për fillimin e seancave. Kjo ka bërë që institucioni ligjvënës të mos arrijë të përfundoj më shumë seanca në të cilat ka edhe ligje të rëndësishme nga sfera të ndryshme. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:43