Taravari në intervistën për Flaka: Do ta marrim shumë seriozisht propozimin që eventualisht mund të na vijë nga Qeveria

Abedin Bilalli
Publikuar nga Abedin Bilalli 31 Dhjetor, 2022 14:39

<strong>Taravari </strong>në intervistën për Flaka: Do ta marrim shumë seriozisht propozimin që eventualisht mund të na vijë nga Qeveria

Intervistën e parë ekskluzive pas zgjedhjes në krye të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari e ka dhënë për Agjencinë e lajmeve Flaka. Taravari flet për politikën, familjen dhe profesionin e tij.

“Për të thënë të vërtetën fokusi ynë ka qënë Kongresi dhe agjenda e partisë, por padyshim ashtu si jam shprehur edhe më parë ne do ta marrim shumë seriozisht propozimin që eventualisht mund të na vijë nga Qeveria, pasi gjithnjë kemi qenë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, thotë lideri i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari në intervistën për gazetarin Abedin Bilalli

Intervistoi: Abedin Bilalli

Abedin Bilalli

FLAKA: Intervista juaj e parë pasi u zgjodhët në krye të ASH-së: Cilat janë sfidat dhe përgegjësit e Arben Taravarit tani?

ARBEN TARAVARI: Po, hera ime e parë si kryetar i ASH-së dhe ndihem sa i motivuar nga besimi që më kanë treguar bashkëpartiakët e mi, po aq i gatshëm për të vazhduar projektin tonë të zhvillimit.

Përgjegjësia ime është ajo e një njeriu i cili drejton partinë më të madhe opozitare shqiptare në vend, partinë më të besueshme nga votuesit, partinë e cila ka treguar gjithmonë të jetë në shërbim të njerëzve.

Sfidat tona janë të shumta, Maqedonia është një shtet sfidues, por kemi arritur në përfundim se sfida e parë është fushata anti-korupsion, duke nxitur, promovuar dhe mbështetur çdo aksion që do të ndërmerret në këtë kuadër.

FLAKA: Themeloni Kuvendin e partisë dhe atë do ta drejtojë Ziadin Sela, a limitoni kështu kompetencat tuaja?

ARBEN TARAVARI: Dua të sqaroj njëherë e mirë për të gjithë opnionin publik, se në partinë tonë, e sidomos midis meje dhe Ziadinit, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë raport dominues, diktues apo sundues.

Ziadin Sela është figura themelore në historinë e ASH-së, është një shtyllë e fortë për mua, ishte madje një sine qua non (kusht i domosdoshëm), që pranova të kandidoj si kryetar. Mbështetja e tij është kaq e nevojshme për mua dhe partinë tonë.

Arben Taravari në kongesin e fundit të ASH

FLAKA: Çfarë ndryshime tjera pritet në ASH me Taravarin kryetar?

ARBEN TARAVARI: Ne gjithnjë kemi qenë në procese të vazhdueshme ndryshimi. Rritja jonë në numër dhe kthimi i partisë në portën ku janë të mirëpritur të gjithë është një nga objektivat e parë në listën e ndryshimeve.

FLAKA: Presin ta kemi ekskluzivitetin ne në lidhje me kyçjen e ASH-së në Qeveri! Çfarë ka të re në këtë drejtim?

ARBEN TARAVARI: Sigurisht që do ta dini kur do të ketë zhvillime të reja, por aktualisht nuk ka asnjë të tillë. Për të thënë të vërtetën fokusi ynë ka qënë Kongresi dhe agjenda e partisë, por padyshim ashtu si jam shprehur edhe më parë ne do ta marrim shumë seriozisht propozimin që eventualisht mund të na vijë nga Qeveria, pasi gjithnjë kemi qenë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën për vendin tonë.

Arben Taravari në kongesin e fundit të ASH

FLAKA: Pas zgjedhjes suaj kryetar i ASH-së theksuat se nëse merrni ofertë për në Qeveri do të organizoni referendum brenda partiak për këtë çështje. Pse keni vendosur për një vendim të tillë, keni pasiguri për një hap të tillë?

ARBEN TARAVARI: Përkundrazi, jam i sigurtë në bindjen time se partia duhet respektuar, çdo anëtar i saj duhet të ketë të drejtën e shprehjes dhe zgjedhjes, ndaj referendumi brenda partiak nuk është gjë tjetër veçse shenjë demokracie dhe hap i natyrshëm në ASH.

FLAKA: Nëse në vitin 2023 do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme parlamentare, sërish në koalicion apo do garoni të vetëm?

Arben Taravari në kongesin e fundit të ASH

ARBEN TARAVARI: Asnjë parti nuk niset të garojë e koalicionuar. Zgjedhjet nuk janë llogari numrash, fushata është çështje kauzash, idealesh, vizioni. Koalicionet janë matematikë që të imponon sistemi, dhe e them me krenari që ne nuk bëjmë pjesë tek ato parti që bën çfarëdo lloj koalicioni.

FLAKA: Gostivari i pari apo Aleanca për Shqiptarët?

ARBEN TARAVARI: Janë dy gjëra të ndryshme dhe secila ka rëndësinë e vet. Me ekipe të mira, me profesionistë, edhe Gostivari do të vazhdojë të jetë i Pari edhe Aleanca do të drejtojë vendin nga më e mira.

FLAKA: Në Komunën e Gostivarit keni pasur probleme financiare kohëve të fundit për shkak të krizës. Kur do të tejkalohen dhe çka mund të presin gostivarasit si investime vitin tjetër?

ARBEN TARAVARI: Po, Evropa po jeton dimrin e saj më të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër Maqedonia është një vend i varfër që ka pasur problemet e saj dhe natyrisht që kjo reflective edhe në Komunën tonë.

Shpresojmë dhe po punojmë maksimalisht që gjërat që të stabilizohen sa më shpejt, por gjërat që nuk shkojnë nuk varen nga ne.

Duke uruar që situata të përmirësohet sa më parë, shërbimi publik dhe qëndrat në shërbim të qytetarëve do të jenë fushat ku do të jemi të fokusuar me investimet tona.

FLAKA: Sa keni mundësi të ndani kohë për familjen tuaj me obligimet që keni në Komunën e Gostivarit dhe në parti? A keni të ju thoni diçka atyre?

ARBEN TARAVARI: Shumë pak kohë…por dua t’ju them se sado nuk kalojmë aq kohë sa unë do të doja, ata janë motivi im i përditshëm.

FLAKA: 2022 të solli në krye të ASH-së! Çfarë pretendoni në vitin 2023 dhe cili është urimi juaj për Vitin e Ri?

ARBEN TARAVARI: Fjala pretendim se ç’ka një kontekst disi jo shumë të dashur për mua. Nuk pretendoj asgjë. Do të punoj fuqishëm me të gjithë ekipin tim, që njerëzit t’i shohim më mirë!

Për 2023-in uroj që çdo njeri, çdokush, pavarsisht partisë, gjuhës, fesë apo ngjyrës së lëkurës, të ketë një vit të gëzuar, të shëndetshëm dhe të përmbushur me dëshira e realizime!

Arben Taravar me bashkëshortën Nora
Abedin Bilalli
Publikuar nga Abedin Bilalli 31 Dhjetor, 2022 14:39

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare