Taravari: Nëse s’ka zgjerim do të ketë zgjedhje, në Qeveri nuk shkojmë me zor

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:52

Taravari: Nëse s’ka zgjerim do të ketë zgjedhje, në Qeveri nuk shkojmë me zor

Njëfarë sigurie se deri në fund të vitit do të bëhen ndryshimet kushtetuese, kërkon kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, nga kryeministri Kovaçevski. Kjo sipas Taravarit do të shërbejë për të marrë një vendim për përfshirjen e mundshme në qeveri.

“Kusht, nuk mund të thuash se është kusht sepse askush në këtë moment nuk mund ta garantojë dhe të thotë se sigurt do të bëhet numri 80 për ndryshimet kushtetuese por na duhet njëfarë sigurie se ka gjasa së paku, njëfarë garancie se ka gjasa të bëhen ndryshimet kushtetuese këtë vit për ndryshe nuk e shoh të logjikshme pse të kishim biseduar ose pse t’i kishim vazhduar bisedimet. Gjithnjë e them nëse Aleanca për Shqiptarët nuk hynë në qeveri, vendi do të shkojë në zgjedhje, me gjasa të mëdha”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Taravari shton se kusht absolut edhe më tej mbetet pakoja e prezantuar edhe para ndërkombëtarëve e cila përfshin edhe nisma për hapa konkret ndaj luftës kundër korrupsionit.

Megjithatë një pjesë e partnerëve të shumicës kanë shprehur refuzimin ose edhe rezervat e tyre për zgjerimin e shumicës. Deri sa Alternativa është kundër, Lidhje Demokratike kërkon të mos shtohet numri i ministrave shqiptarë.

“Ne nuk shkojmë me zor në Qeveri. Madje nëse nuk ka interes ne do të vazhdojmë në opozitë, kemi qenë dhe mund të vazhdojmë opozitë. Asnjëfarë problemi nuk kemi”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kreu i ASH-së pret koordinim mes partnerëve të koalicionit për të parë nëse palët do të fillojnë dhe zyrtarisht negociatat.

“Nuk mund të shkojë kjo punë deri në pafundësi. Ne duhet maksimumi këto dy javë ta pastrojmë këtë punë. O i nisim negociatat ose ne vazhdojmë në opozitë dhe s’kemi aspak dhe mendoj se ndoshta është dhe mirë për Aleancën për Shqiptarët të vazhdojë në opozitë”, theksoi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Krerët e partive të koalicionit qeveritar do të intensifikojnë bisedimet gjatë këtyre ditëve për të shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të shumicës. /Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:52

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare