Taravari: Situata po del prej kontrolli, Maqedonia ka vdekshmërinë më të lartë nga Covid 19 se i tërë rajoni bashkë

Taravari: Situata po del prej kontrolli, Maqedonia ka vdekshmërinë më të lartë nga Covid 19 se i tërë rajoni bashkë

Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari thekson se menaxhimi me virusin korona në vend, po del prej kontrolli. Ai këtë e deklaroi sonte për “Euronews Albania”.

“Ne si opozitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut i kemi dhënë të gjitha rekomandimet dhe vërejtjet tona mbi menaxhimin e situatës”, deklaroi Taravari.

Ai tha se nga virusi korona, Maqedonia e ka vdekshmërinë më të lartë se i tërë rajoni bashkë.

“Në Maqedoni vdekshmëria në 100 mijë banorë, është 5.9, pra më shumë se së bashku Shqipëria, Kosova, Greqia dhe Mali i Zi. Bashkë po të bëhen këto shtete, nuk kanë mortalitet sa Maqedonia”, theksoi më tej Taravari.

Sipas tij, ditëve të fundit, pa mbaruar vala e parë, vazhdon vala e dytë e virusit.

“Vazhdon vala e dytë pa mos mbaruar vala e parë, edhe pse pritshmëria ishte që të zvogëlohet numri i të infektuarve sikurse në vendet rreth Maqedonisë. Nëse i mblidhni numrin e të infektuarve nga Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria, Kosova, Shqipëria, Greqia, ditën e djeshme këto vende kishin sa gjysma e të infektuarve në Maqedoninë e Veriut”.

Ai tha se kjo situatë nuk është brengë vetëm e opozitës, por e të gjithë banorëve në Maqedoninë e Veriut.

“Vërejtjet tona kryesore kanë qenë te Ministria e Shëndetësisë. Që para tre-katër javësh kam theksuar se kjo ministri duhej të niste me fushatë senzibilizuese të popullatës. Por, materialet e përgatitura nga ajo vetë dhe Komisioni për sëmundje ngjitëse, fare nuk janë prezentuar para popullatës dhe nuk ka respektim të këtyre masave. Vërejtja e dytë nga ana jonë ishte që masat kufizuese të mos ndërpritet menjëherë”, tha më tej Taravari. FLAKA

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 2 Qershor, 2020 23:15

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.