Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, ku vizitoi vetëm partitë opozitare shqiptare dhe jo partitë e mëdha shqiptare që janë në pushtet është konsideruar edhe si “gabim historik” edhe si “skandal diplomatik”, por Arben Taravari, udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët, partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë Veriore, thotë se është herët të bisedohet për motivet dhe efektin e shkaktuar nga kjo vizitë.
Në një intervistë për Albanian Post, kryetari aktual i Gostivarit dhe udhëheqësi i partisë që aktualisht si e vetme ka tetë deputetë e bashkë me Alternativën 12, deklaron se “historia nuk shkruhet kurrë kaq herët” dhe se “duhet patjetër faktori kohë”, porse “nuk dua të besoj dhe as nuk e besoj që Kurti ka pasur në plan ndonjë skenar anti-qeveritar, apo anti-shqiptar”.
“Të flasësh për të (vizitën e Kurtit) duhet patjetër faktori kohë. Gjithsesi besoj se nuk duhet dramatizuar dhe duhet kuptuar që në shumë raste euforitë njerëzore dalin jashtë parashikimeve protokollare. Ka disa raste kur emocioni zotëron arsyen, sigurisht është një rast nga ku duhen nxjerrë leksione, por nuk mendoj se ka ndonjë bazë racionale kjo punë”, tha Taravari.
Ai refuzon të vazhdojë tutje bisedën për vizitën, sepse do që të tregohet i kujdesshëm për shkak të kontekstit aktual.
“Nuk mendoj se duhet të zgjatet me komente në këtë kontekst, pasi është një situatë delikate e cila mund të shkaktojë tensione fare të panevojshme”, deklaron për Albanian Post.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë në vitin 2024. Kjo do të shënojë edhe herën e parë pas shumë vitesh që atje qeveria përfundon një mandat të plotë.