“Target/Fortesa”-Kostovski: Eprorët e DSK-së kishin qasje te transkriptat
Seanca për rastin e PSP-së “Target dhe Fortesa”, që ka të bëjë me përgjimet ilegale masive, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, Zvonko Kostovski, i cili së bashku me Gjorgji Llazarevskin, zbuluan aferën në DSK.
Ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, në pyetjet e drejtuara ndaj dëshmitarit dha disa vërejtje rreth njohurive të tij rreth kompetencave në grupet e punës dhe komisioneve, me çka Kostovski iu përgjigj “Nuk kam qenë unë drejtor, ai që ka qenë duhet ta dijë”.
Mijallkov ironizonte ish të punësuarin e tij, tani dëshmitarin Kostovski, se nëse me fjalën raport profesional me Gjorgji Llazarevskin nënkupton kopjimin dhe dorëzimin e materialeve jashtë strukturave të DSK-së.
Pas insistimit të Mijallkovit të pyesë dëshmitarin se nëse ka dëshmi për atë që e flet, Kostovski tha:”Sikur të mos i shkatërronit pajisjet, tani do të kishte dëshmi”.
Ai tha se eprorët e DSK-së kanë pasur qasje deri tek transkriptat e bisedave të përgjuara, pasi që kanë pasur kompjuterë në zyrat e tyre në të cilat ka qenë i instaluar aplikacioni ku ishin shkruar transkriptat.
Në pyetje të të akuzuarit, Vlladimir Vallerov, dëshmitari Kostovski tha se ka pasur qasje deri tek domeni i të gjithë kompjutorëve ku ka qenë i instaluar sistemi, prej ku ka mundur të bëjë kopje nga dokumentet e ruajtura përkohësisht.
Kostovski tha se shifrat e logimit janë vendosur me urdhër të Goran Grujevskit që të mos kuptohet dhe të harrohet se kush ka pasur qasje në sistemin e përgjimit.
Ai tha se e akuzuara, Nadica Nikoliq, ka hyrë në sistem me emra tjerë “Eprorja Nadica është loguar me llogari tjetër që të shohë se çfarë shohin shfrytëzuesit tjerë në sistem”,- tha Kostovski përpara Gjykatës.
Në lëndën “Target Fortesa” të PSP-së janë të akuzuar ish drejtori i Drejtorisë së Pestë në MPB, Goran Grujoski, kolegu i tij, Nikolla Boshkoski, ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankulloska, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimoski, por edhe Vlladimir Varellov nga DSK, si dhe pesë persona tjerë nga Drejtoria. (TVM2)