Tatime të fshehta për biznesin

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 15, 2019 20:26

Tatime të fshehta për biznesin

Kompensimet, lejet, licencat apo taksat e ndryshme komunale që biznesi i paguan shtetit jashtë sistemit të tatimeve, paraqesin një barrë të madhe për punën e kompanive. Përfaqësuesit e bizneseve thonë se nevojitet një angazhim më i madh i ekzekutivit me qëllim që të ulen apo racionalizohen harxhimet e ndryshme të fshehta që i paguajnë firmat si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror. “Ajo çka me të vërtetë paraqet vështirësi për kompanitë janë kompensimet parafiskale, apo harxhimet e fshehura, që jo vetëm për bizneset, por edhe për qytetarët paraqesin ngarkesë jo aq të dukshme si obligimet e tjera që i kemi siç janë ato tatimore”, thotë kryetarja e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, Daniella Arsovska.

Së fundmi, edhe raporti i Qendrës për Analiza Ekonomike – që ka analizuar punën sidomos të industrisë ushqimore dhe ndërtimore, ka konstatuar se harxhimet jo tatimore dhe parafiskale paraqesin harxhime shtesë për bizneset që shpesh janë të fshehta, nuk janë transparente dhe nuk mundet lehtë të planifikohen, andaj mund të shkaktojnë jo siguri në planifikimin afarist dhe të jenë edhe shkak direkt për uljen e konkurrencës apo edhe çmimeve më të larta të shërbimeve dhe mallrave.

“Për një pjesë të këtyre pagesave të detyrueshme jotatimore dhe parafiskale, subjektet afariste nuk fitojnë asnjë shërbim, të drejta apo mallra në këmbim nga sektori publik, apo kanë benefit që nuk është proporcional me ngarkesën financiare që e imponon kompensimi”, thekson analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike. Analiza më tej udhëzon se në periudhën e fundit, megjithatë shënohet ulje e të ardhurave jotatimore në arkën e shtetit nga 4.43 për qind në vitin 2008 në 2.16 për qind në vitin 2017 si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, si rrjedhojë e masave të ndryshme të gijotinës rregullatore që u realizua në periudhën 2007-2013. Mirëpo, shton më tej analiza, përkundër trendit të uljes së kompensimeve jotatimore, kompanitë vlerësojnë se akoma nevojitet racionalizim i mëtejshëm i një pjese të këtyre pagesave.

“Vlen të theksohet se trendi i rritjes së mjeteve të grumbulluara nga taksat tjera administrative në vazhdimësi rritet në dhjetë vitet e fundit dhe atë nga 3 në 17 për qind të të ardhurave jotatimore. Një kompani e industrisë ushqimore ka harxhim mesatare prej 260.599 denarë, ndërsa një kompani e sektorit ndërtimor ka harxhim mesatar vjetor prej 959.755 denarë për të dhënat jotatimore dhe parafiskale”, tregon më tej analiza.

Ndryshe, ekspertët ekonomik thonë se ngarkesa jotatimore paraqet një barrë që mundon biznesin në tërë rajonin e që për këto lloj pagesa shpesh nuk fiton shërbime publike apo të drejtën e shfrytëzimit të të mirave të caktuara publike. Sugjerohet që së paku një pjesë e tyre të anulohen apo edhe të paguhen si tatime. Rregullimi i tyre duhet të shkojë në drejtim të parashikueshmërisë së harxhimeve për biznesin dhe qytetarët, rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë në pagesën dhe shfrytëzimin e mjeteve publike, si dhe uljen e harxhimeve për të gjitha palët e interesuara. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 15, 2019 20:26