Të hënën qeveria do të vendosë për ngrirjen e çmimeve të këtyre produkteve
Pasnesër do të vendoset nëse do të ngrihen çmimet e vezëve, sheqerit dhe orizit. Analizat për këto produkte janë gati dhe do të shqyrtohen të hënën në seancë në Qeveri. Për momentin, autoritetet nuk bëjnë të ditur nëse dhe sa ka hapësirë për korrigjimin e këtyre çmimeve.
Qytetarët besojnë se masat janë të vonuara. Ata thonë se rritja e pagave dhe pensioneve nuk mjafton për të mbuluar kostot e larta. Ata presin ulje shtesë të çmimeve të produkteve të tjera bazë.
Nga ana tjetër, inspektorët e tregut po kontrollojnë edhe këtë fundjavë nëse po respektohet vendimi për çmimet e ngrira të bukës, makaronave dhe produkteve të qumështit. Në dy ditë ata bënë mbi 250 kontrolle në të gjithë vendin. Kanë “kapur” vetëm 4 markete.
“Një subjekt ekonomik në Ohër për mosrespektim të vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës dhe tre subjekte ekonomike për mospërfillje të vendimit për uljen e çmimit të produkteve të qumështit dhe makaronave, një prej të cilëve në Ohër, Kërçovë dhe Manastir. Shuma për këto katër subjekte ekonomike për të cilat janë lëshuar urdhërpagesa është 1.120.000 denarë”, tha Goran Trajkovski, drejtor i IPD-së.
Trajkovski pohon se inspektorati nuk ka kompetencë t’i dënojë kompanitë që kanë shfrytëzuar rrymë të subvencionuar dhe nuk i kanë ulur çmimet e produkteve, edhe pse për tre muaj kanë paguar rrymën pesë herë më të lirë se bursa.
Për këtë arsye Qeveria fillimisht e ngriu çmimin e bukës për 33 denarë, e më pas i uli çmimet e makaronave për 15 për qind dhe e produkteve të qumështit për 10. Çmimet e tilla do të vlejnë deri në fund të majit.