Të miturit në burgun e Ohrit, të mbidozuar me sedativë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 31, 2019 22:11

Të miturit në burgun e Ohrit, të mbidozuar me sedativë

“Fëmijët nga institucioni edukativ dhe korrektues nga Tetova të cilët janë në burgun e Ohrit marrin një terapi të fortë qetësuese. Duke pasur parasysh moshën, doza është shumë e fortë. Për shkak të dozave të forta shumica e tyre nuk kanë përqendrim të qartë, sillen si të dalldisur”.

Kjo është pjesë e raportit të Avokatit të Popullit që i referohet gjendjes së fëmijëve, nga burgu për të mitur në Ohër. Sipas të dhënave të marra, nga përfaqësuesit e këtij institucioni, të miturit që janë duke vuajtur dënime, për vepra penale të kryera, u jepet terapi qetësuese e përshkruar nga një mjek amë, nga Qendra Shëndetësore e Ohrit, ose nga një neuropsikiatër. Terapia përbëhet nga doza të shumta gjatë ditës, veçanërisht gjatë natës. Atyre u janë dhënë ilaçe për qetësim, 5 deri në 20 miligram në ditë. Duke pasur parasysh moshën e tyre, është një dozë shumë e fortë, konstatuan specialistët me të cilët u këshillua Alsat.

Unë flas në parim, qëndrimi doktrinal i të gjitha shkollave të mëdha është – në raste të jashtëzakonshme PO, por që fëmijëve tu jepni ilaçe të tilla çdo ditë, ju bëni, për mendimin tim, një padrejtësi të madhe ose të keqe të madhe… Më shumë është injorancë dhe ‘dua të jem i qetë, të mos shqetësohem, do të drogohem, por unë do të jemi i qetë”-tha Metodi Çepreganov, neuropsikiatër.

Çepreganov paralajmëron gjithashtu se është shumë e rrezikshme, nëse disa nga ilaçet janë përzier.

Dhe imagjinoni tani nëse unë i jap një fëmije Heleks dhe diazepam së bashku, ata hyjnë në reagim të ri me një ilaç të ri, Zoti e di se çfarë do të bëjnë ata në efektet anësore”-theksoi Metodi Çepreganov, neuropsikiatër.

Alsat sot vizitoi objektin korrektues në Ohër. Nga drejtoria na thanë, që ata nuk ishin fajtorë për asgjë.

Ne nuk dakordohemi me atë raport. Ne veprojmë vetëm sipas raportit të mjekut specialist, sepse besojmë se është ashtu. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në terapi. Të gjithë fëmijët janë të vetëdijshëm. Nuk e di se si u prezantua, që ne i kemi droguar fëmijët. Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë”-pohoi Riste Nedeski, drejtor i BKP-Burgu Ohër.

Nga Qendra shëndetësore në Ohër për Alsat thanë, se mjeku i tyre, i cili shkon në këtë burg, kishte përshkruar vetëm terapi me tableta pas një raporti të mëparshëm nga një neuro-psikiatër specialist, nga spitali i përgjithshëm.

Të gjithë pacientët janë të diagnostikuar, sipas kritereve diagnostikuese të Klasifikimit të 10-të Ndërkombëtar për Sëmundje dhe është përshkruar ilaç i bazuar në dëshmi, sipas diagnozës së vendosur”-thonë nga Spitali i Përgjithshëm i Ohrit.

Drejtori i Zyrës për Ekzekutimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviq, një ditë më parë ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Ai tha se kanë konstatuar, se te autoritetet e burgut nuk kanë asnjë lëshim në dhënien e terapisë. Përndryshe, nga kontrolli i librit që evidenton terapitë ditore të dhëna për të strehuarit në atë institucion, Avokati i Popullit, gjatë një inspektimi në korrik, zbuloi se disa prej tyre nuk donin ta merrnin terapinë ditore. Nga kjo janë ndier të përgjumur dhe të lodhur dhe se nuk kanë mundur të funksionojnë. (Alsat)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 31, 2019 22:11