Të verbër edhe pa kushte elementare

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 21, 2019 20:17

Të verbër edhe pa kushte elementare

Ndonëse më 15 tetor shënohet dita ndërkombëtare e “Shkopit të bardhë” kushtuar personave të verbër, këtë vit, kjo shoqatë mbajti vetëm një manifestim modest me anëtarët, ndërsa apelohet që ndaj tyre të ketë më shumë kujdes, dhe jo vetëm gjatë ditëve ndërkombëtare, por gjatë tërë vitit.

Personat e verbër dhe shikim të dobët në Tetovë dhe rrethinë po përballen me një sërë problemesh. Rreth 180 anëtarë, të cilët janë pjesë e Shoqatës së personave të verbër dhe shikim të dobët në Tetovë, janë lënë në mëshirë të fatit. Me një përkujdesje minimale nga shteti, ata kanë nevoja të mëdha në jetën e përditshme. Mungojnë pajisjet ndihmëse për këta persona, kurse edhe ata që i kanë nuk janë të mjaftueshme, ose nuk kanë të gjithë anëtarët. Kështu shprehen nga kjo shoqatë, prej nga kërkojnë semaforë me zë, jo vetëm në Tetovë, por në tërë shtetin. Sipas Lidija Andonovska, sekretare në shoqatën e të verbërve dhe personave me shikim të dobët në Tetovë, deri para pak kohe ka ekzistuar vetëm një semafor, i cili ka pasur zë për personat e verbër, që të mund të kalojnë rrugën, kurse tashmë në këtë qytet nuk ka asnjë semafor të tillë. Ajo theksoi se këta persona tashmë nuk mund të dalin në qytet pa shoqërues.

“Apelojmë që për lëvizje me të sigurt të personave të verbër, të vendosen semaforë më zë në gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut. Kërkojmë shtigje të veçanta nga qendra e qytetit e deri tek zyrat e shoqatës sonë. Mbishkrimet nëpër institucione të jenë edhe me alfabetin e Brevit për persona të verbër. Apelojmë për më shumë qasje dhe lehtësime edhe nëpër institucione tjera private si në banka, zyra të telefonive celulare, ku numrat që nxirren në ekran të thuhen edhe me zë, që këta persona kur presin rend ta kenë më lehtë marrjen e shërbimit. Kërkojmë që institucionet të gjejnë mundësi që të punësojnë këta persona sepse pjesa më e madhe e tyre qëndrojnë mbyllur në shtëpi. Po ashtu, angazhimi i asistentit nga ana e institucioneve të jetë anëtarë i familjes së personit të verbër dhe jo person jashtë familjes”, tha Lidija Andonovska, sekretare e Shoqatës së personave të verbër dhe shikim të dobët në Tetovë.

Krahas problemeve në infrastrukturë dhe qasjes nëpër institucione, po ashtu nga kjo shoqatë thonë se mungon bashkëpunimi me komunat. “Komunat në Pollog nuk kanë treguar asnjë interesim deri më tash ndaj neve. Kemi kërkuar takime, kemi kërkuar ndihmë për aktivitetet tona, por deri më tash asnjë komunë nuk është treguar e gatshme që të na përkrahin. Kemi kërkuar që të na përgjysmohet pagesa e ndriçimit publik dhe fatura të ndërmarrjes publike komunale për ujë dhe mbeturina, por deri më tash nuk kemi hasur në mirëkuptim”, thonë nga kjo shoqatë.

Në mesin e anëtarëve janë edhe 5 fëmijë me shikim të verbër, të cilët ndjekin mësimin në entin për fëmijë dhe të rinj me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov” në Shkup. Këta fëmijë hasin në shumë vështirësi sepse shumë herë mjetet e transportit vonohen dhe nuk jepen në kohë, pohojnë në këtë shoqatë. Nga viti 1998, shoqata është edhe nikoqire e turneut në Shah që mbahet çdo vit. Këtë vit, kjo shoqatë anuloi edhe ekskursionin për shkak të mungesës së mjeteve.

Ndonëse më 15 tetor shënohet dita ndërkombëtare e “Shkopit të bardhë” kushtuar personave të verbër, këtë vit, kjo shoqatë mbajti vetëm një manifestim modest me anëtarët, ndërsa apelohet që ndaj tyre të ketë më shumë kujdes, dhe jo vetëm gjatë ditëve ndërkombëtare por gjatë tërë vitit. Shoqata e personave të verbër në Tetovë ekziston që nga viti 1956 dhe kjo shoqatë numëron 180 anëtarë nga Tetova dhe nga komunat rurale siç janë Tearca, Jegunoci, Zhelina, Bogovina dhe Bërvenica. Në këtë shoqatë bëjnë pjesë personat të cilët e kanë të dëmtuar shikimin mbi 90 për qind dhe personat të cilët kanë shikim të dobët. Pajisjet e fundit ndihmëse për këtë shoqatë kanë ardhur para tre vitesh, ndërsa tash e tre vite nuk ka asnjë ndihmesë nga shteti. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 21, 2019 20:17