Teatri Shqiptar me leje për punë, por pa energji elektrike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 13, 2020 19:37

Teatri Shqiptar me leje për punë, por pa energji elektrike

Teatri Shqiptar në Shkup, ka marrë dritë jeshile nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve që të filloj me punë, megjithatë objekti është pa energji elektrike që nga shtatori për shkak të borxheve të papaguara.

Ushtruesi i detyrës drejtor i Teatrit, Adem Karaga thotë se ka kërkuar fonde nga Ministria për shlyerjen e borxheve, por në llogarinë e Teatrit nuk u transferua shuma e kërkuar.

“Aktualisht problem shtesë është mospasja e energjisë elektrike në objekt që nga 23 shtatori, që është pasojë e një borxhi të akumuluar nga muaji mars e tutje. Unë kam rimarrë detyrën në fund të muajit gusht dhe më 11 shtator i jemi drejtuar Ministrisë me kërkesë për fonde në vlerë të borxhit, por në llogarinë e Teatrit u transferuan vetëm një pjesë e këtyre parave”, tha Adem Karaga, u.d. drejtori i Teatrit.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski, thotë se pas inspektimit që ka bërë Komisioni, Teatrit Shqiptarë i është dhënë miratimi për punë. Ndërsa për mungesën e energjisë elektrike dhe problemet e tjera të objektit edhe përkundër rikonstruksionit, thotë se nuk ka informacione.

“Lidhur me këto çështje që i hapët nuk kam informata. Por gjithsesi se do të informohem për gjendjen e këtillë dhe nëse ka gjithsesi se kryerësi i punimeve, organet kompetente duhet ti kryejnë ata procedura, pasi janë punë teknike, por nëse ka ndonjë dëm në ndër kohe, kryerësi i punimeve është i obliguar që ti sanojë të gjitha nevojat e objektit në periudhë të caktuar kohore përderisa zgjat garancia e atij objekti që të mundet ai pa pengesa të funksionojë”, tha Bllagoja Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Përveç parave për borxhet e faturave të papaguara të energjisë elektrike, Karaga thotë se për funksionimin e Tetarit duhen fonde shtesë, të cilat janë ndarë nga Qeveria, por nuk kanë mbërritur në konton e Teatrit. Rindërtimi i Teatrit Shqiptar filloi në vitin 2014. Deri më tani janë shpenzuar 10.5 milion euro. Por disa herë janë shkelur afatet për përfundimin e ndërtimeve dhe fillimin me punë të Teatrit. Edhe pas përfundimeve të objektit, reshjet e shiut zbuluan shumë dobësi dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha. Rindërtimin e filloi ndërmarrja “Lamone Moreda”, e cila shumë shpejt falimentoi, ndërsa e vazhdoi “Shencia”. Sipas marrëveshjes Shencia, duhet ta mirëmbajë objektin dy vitet e ardhshme. Procedura e tenderit për Teatrin Shqiptar u hulumtua nga PSP tashmë e shuar.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 13, 2020 19:37