TEC Manastiri, rezerva të qymyrit vetëm për disa ditë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 20:25

TEC Manastiri, rezerva të qymyrit vetëm për disa ditë

TEC Manastiri ka në magazinë vetëm 40 mijë tonë qymyr. Dy nga tre blloqet aktualisht funksionojnë. Ata shfrytëzojnë mesatarisht deri në 10 mijë tonë në 24 orë. Ministri Bekteshi siguron se do të ketë prodhim të energjisë elektrike në ditët në vijim ose deri në prokurimin e qymyrit prej 900 mijë tonësh.

“TEC Manastiri punon me dy blloqe dhe ka rezerva, që të mund të punojë në ditët në vijim. Në TEC Manastir aktualisht ka rreth 40 mijë tonë rezervë qymyri në deponinë e tyre, dhe në ditë prodhohen nga 3 deri në 5 mijë tonë qymyr, dhe tashmë me ritëm të përshpejtuar ka filluar nxjerrja e qymyrit. Qymyri nga Kosova sillet në vazhdimësi për nevojat e TEC Osllomejit”, deklaroi Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.

Elektranat javën e ardhshme do të shpallin, se cila nga nëntë kompanitë që kanë paraqitur oferta do ta furnizojë TEC Manastirin, me 900 mijë tonë qymyr.

“Të gjitha ofertat e pranuara janë dërguar për vlerësim teknik. Pas përfundimit të kësaj faze do të bëhet vlerësimi ekonomiko-financiar i ofertave, pas së cilës do të merret vendimi për përzgjedhjen e operatorit ekonomik. Vendimi pritet të zbatohet në fund të javës së ardhshme”, njoftojnë nga EMV.

Por, para se të merret vendimi për Manastirin, të hënën do të bëhet i ditur emri i kompanisë që do të dorëzojë 300 mijë tonelata në “TEC Osllomej”.

Ndërkohë, sot mbledhje kishte Komisioni që u formua nga Ministria e Ekonomisë. Komisioni vendosi të martën t’i dërgojë kërkesë Qeverisë të shpallë gjendje të krizës energjetike. Pasi të shpallet gjendja e krizës, Qeveria do të mund të transferojë para nga buxheti për kompanitë shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe MEPSO në mënyrë që ato të paguajnë shpenzimet e rritura të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për rreth 100 milionë euro, një pjesë e tyre, të ndara fillimisht për luftë kundër koronavirusit./ Alsat

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 20:25

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare