Tensionet në veri të Kosovës, Berisha: Me heshtjen e tij Rama u rreshtua me Putinin dhe Vuçiq

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 20:26

Tensionet në veri të Kosovës, Berisha: Me heshtjen e tij Rama u rreshtua me Putinin dhe Vuçiq

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, kreu i qeverisë me heshtjen dhe deklaratat e tij është rreshtuar me “Putinin dhe serbomadhin Vuçiç”. Berisha, shprehet se me deklaratën e tij ditën e stome, Rama doli në mbrojtje të politikës luftënxitëse të Putinit dhe Vuçiçit.

“Edi Rama me heshtjen dhe deklaratat e tij rreshtohet me Putinin dhe serbomadhin Vuçiç!

Kështu, Rama sot në konferencë shtypi deklaroi: ‘’Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë që të mos ushqejnë më asnjë lloj justifikimi apo alibie për grupe të caktuara në Veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje që jo vetëm duhet zbatuar por është e vlefshme për t’u zbatuar për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut”.

Me një deklaratë të tillë Edi Rama, duke vlerësuar se gjendja nuk erdhi pas deklaratave të Kremlinit për destabilizimin e Ballkanit dhe ultimatumeve të padronit të tij Vuçiç për përgjigje vdekësore ndaj Kosovës dhe kërcënimit për konflikt ndaj Perëndimit në rast se qeveria e Kosovës do të zbatonte marrëveshjen për reciprocitet, ai i del haptas në mbrojtje politikes luftënxitëse të Putinit dhe Vuçiçit.

Me këtë deklaratë ky tradhëtar inkurajon konfliktin në Kosove dhe njëlloj siç justifikon refuzimin nga padroni i tij Vuçiç për zbatimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë, ai i thotë komunitetit ndërkombëtar se nuk është Putini dhe Vuçiçi që nxisin konfliktin por janë disa fshatarë të pagdhendur serbë që nuk duan Albin Kurtin dhe nuk zbatojnë vendimet e qeverisë së tij.

Po kështu, me këtë deklaratë, ky puthador i shpifur i Beogradit i thotë Aleancës së Atlantikut të Veriut se u nxitua me deklaratën e KFOR-it për gadishmërinë për të vendosur stabilitetin në Kosovë, se atë nuk po e kërcënonte Beogradi i nxitur nga Moska, por disa fshatarë nacionalistë serbë që nuk duan marrëveshjen dhe vendimet e qeverisë së Albin Kurtit.

Me këtë rast, duke mbështetur plotësisht qeverinë e Kosovës, qëndrimin e NATO-s, BE dhe SHBA dënoj me forcën më të madhe provokacionet e ulëta të serbomadhit Vuçiç dhe qëndrimet e deklaratat e argatit të tij, tradhtarit të kombit shqiptar Edi Rama”, shkruan Berisha

Ndër të tjera, Berisha thotë se situata konfliktuale në veri të Kosovës u krijua nga “Putini i vogël” duke iu referuar këtu Aleksandër Vuçiç. Por kjo gjendje, sipas tij, ka hasur në një reagim të fuqishëm ndërkombëtar, në radhë të parë të NATO-s, e cila ka në mbrojtje direkte Kosovën dhe nëpërmjet KFOR-it deklaroi se ishte e gatshme të ndërhynte në rast se rrezikohej stabiliteti i Kosovës./tvklan.al

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 20:26