Tetova, tetovarët dhe politika!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Maj, 2022 22:03

Tetova, tetovarët dhe politika!

“Ajo çfarë mësojmë nga historia është se askush nuk mëson nga historia”. (Otto Von Bismarck)

Nga Valmir AZIRI

Axhamillëkun politik të disa politikanëve do të duhet ta lenim që të gjejë zbatim në forume politike krejt të parëndësishme! Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht, qytetarët e Tetovës historikisht kanë treguar një kulturë të lartë demokratike dhe një sens të hollë politik ku në vazhdimësi kanë ditur të japin sinjale të qarta deri tek partitë politike në varshmëri nga politikat e zbatuara. Qyteti i Tetovës është një qytet që njihet për thellësinë dhe kapacitetin e lartë të masës kritike dhe si një burim i pashtershëm i inspirimit e pararojë e ngjarjeve kombëtare e politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm. Gjenerata të tëra kanë kontribuar dhe me kontributin e tyre janë bërë shteg-krijues për shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë në RMV.

Tetovarët kanë treguar se janë dhe dinë që tu prijë proceseve vendimtare dhe se në veprimet e tyre politike janë kryekëput altruist, veti që e venë në shërbim të të gjithë atyre të cilët kanë nevojë për një shembull, ndihme por edhe mbështetje.

Protestat masive që në kohën e komunizmit, organizues dhe zbatues të proceseve politike dhe ushtarake që në fillimet e viteve të 90-ta, qyteti i dy Universiteteve, qyteti i Murat Isakut, Abdylaziz Islamit, Rexhep Vokës, dr.Jusuf Rexhepit, qyteti i Shkëndijës, Xheladin Zeqirit, Mujdin Aliut, Elitës 5 dhe e shumë figurave tjera të përndritura të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Tetovës por edhe më gjerë, është thuajse trishtuese e pa besueshme se si sot Tetova është shndërruar në një qytet ku mbisundon kaosi politik, kaosi administrativ, kaosi në zhvillimin e përgjithshëm dhe qyteti është shndërruar në një fshat të madh ku siç themi nga Tetova “Qeni nuk e njeh të Zotin”

Zgjedhjet e fundit lokale prodhuan një qeverisje komunale kaotike si rezultat i një loje jo parimore të partive politike opozitare për të bërë marrëveshje edhe me djallin vetëm e vetëm që të arrijnë të fitojnë zgjedhjet. Shto këtu, edhe pakënaqësitë evidente që ishin mbi udhëheqësinë e kaluar të komunës, rezultati i zgjedhjeve nxori një përbërje të fragmentizuar të forcave në këshillin e komunës dhe prodhoi një kryetar komune që realisht as edhe vetë ai nuk do besonte se do të ishte kryetari i ardhshëm i qytetit të Tetovës. Disa shoqata qytetare jo qeveritare që në fakt dolën se janë krejtësisht të orkestruara nga opozita u organizuan dhe dolën me platformë politike për të garuar në zgjedhjet lokale që nuk solli asgjë të re por plus kontribuuan në mënyrë aktive për të dobësuar edhe më shumë votën shqiptare në Tetovë, ku tash si asnjëherë më herët shqiptarët janë të kushtëzuar në qeverisjen e qytetit nga partitë maqedonase!

Sot, nga kjo perspektivë kohore shihet qartë që udhëheqësia e re komunale ende është nën afeksionin e fitores dhe ende nuk po munden të besojnë se mbi shpatullat e tyre të kanë hallet dhe dertet e një qyteti si Tetova. Pas gjashtë muajve qeverisje nga kjo garniturë, nuk shohim asnjë projekt apo strategji për tu përballuar me problemet infrastrukturore, arsimore, kulturore dhe atyre ekologjike. Për vetëm gjashtë muaj, arritën të tregojnë se janë të pa aftë për tu bërë ballë sfidave. Bllokuan punën e këshillit komunal, të shantazhuar i dhanë drejtoritë më të mëdha që të udhëhiqen nga partitë maqedonase dhe janë përhumbur dhe izoluar që tash në zyrat e tyre komunale.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të duhet me urgjencën më të madhe të ofrojë një asistencë me projekte konkrete për qytetin e Tetovës, të gjejë zgjidhje ligjore dhe të insistojë në realizimin e projekteve jetike për qytetin tonë që mos të rrezikojmë që një qytet si Tetova, të thellohet në një kaos urban e infrastrukturor dhe në një katastrofë ekologjike ashtu siç po pritet të ndodhë muajve në vazhdim. Parija e qytetit të Tetovës, intelektualët, artistët, bashkëqytetarët tanë duhet të kuptojnë qartë dhe të mos lejojnë që qyteti ynë të bëhet arenë e ambicieve të atyre të cilët dëshirojnë që me çdo kusht të arrijnë pushtetin dhe pastaj të sillën me atë pushtet me pa përgjegjësi dhe po atë pushtet ta keqpërdorin për betejat e radhës së tyre politike.

Tetova ka ditur të ju bëjë ballë furtunave dhe sprovave e sfidave më të mëdha. Do të duhet një angazhim permanent i të gjithë shtresave të shoqërisë për të bërë më të mirën dhe për të arritur që Tetova të merr vëmendjen e merituar dhe të kthehet në një qytet ku do të gumëzhin aktivitetet kulturore, shkencore, sportive dhe se qyteti do të shndërrohet në një qytet të mirë organizuar urban, një qytet vibrant dhe mbi të gjitha në një qytet studentor nga ku do të reflektojë si një qendër Universitare, akademike e progresive. Një Tetovë e cila prodhon dhe menaxhon politika shtetërore, kombëtare e lokale, asnjë politik dhe projeksion politik nuk është i qëndrueshëm pa prezencën fizike dhe pjesëmarrjen e inteligjencës tetovare, është treguar çdo herë shterpë çdo përpjekje për të suprimuar e lënë në margjina të vendimmarrjes shqiptarët e Pollogut.

(Autori është Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Maj, 2022 22:03

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare