#thumbim | Në Tetovë bashkë me fushatën filluan edhe gënjeshtrat!  

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 12:22

#thumbim | Në Tetovë bashkë me fushatën filluan edhe gënjeshtrat!  

Fushata në Tetovë ka nisur dhe bashkë me atë kanë filluar edhe mashtrimet elektorale për të joshur votuesin tetovar.

I tillë ishte edhe “premtimi” i Besar Durmishi, bartësi i listës së këshilltarëve të Lëvizjes Besa, i cili në takim me banorët e lagjes “Teqe”, tha se shumicë Besës i duhet në Tetovë edhe për ndërrimin e emrave të rrugëve dhe shkollave ku ai mes tjerash theksoi: pse “Strasho Pinxhuri” mos të quhet Mujdin Aliu?!

Por cila është procedura për vendim të përcaktimit dhe ndryshimit të emrave të rrugëve, shesheve, urave, parqeve dhe Projekteve të tjera të Infrastrukturës?

Sipas ligjit, ndryshimi i emrave të rrugëve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi, i cili niset nga komuna, me pajtimin qeverisë përfundon në Regjistrin Qendror, i cili më pas e shpërndan njoftimin te MPB, Enti i Statistikës dhe Kadastra.

Ndryshimi i emrit të një rruge kalon nëpër disa faza për të cilat ka afate të përcaktuara me ligj. Paraprakisht komuna miraton propozimin e emrave në Këshill dhe e dërgon propozimin në Qeveri. Pastaj lista kthehet në Këshill Komunal dhe votohet për miratim. Në afat prej 8 ditëve lista bashkë me dokumentacionin dorëzohet në Regjistrin Qendror, i cili në afat prej 15 ditëve do të duhet të regjistrojë emrin e ri të rrugës së caktuar.

Pas ndryshimit, në afat prej 3 ditëve, Regjistri Qendror dorëzon njoftim për ndryshimin në MPB, Kadastër dhe Entin e Statistikave.

Vendimi duhet të votohet me shumicën e votave nga këshilltarët komunal, dhe duhet të ketë shumicë të votave të këshilltarëve nga komunitetet etnike që nuk janë shumicë në komunën në fjajë, pra nevojitet shumicë e dyfishtë, apo siç njihet ndryshe shumicë e badenterit. Me fjalë të tjera, nëse 12 këshilltarë në përbërjen e këshillit komunal janë me përkatësi etnike pakicë [Bie fjala: maqedonas, romë apo turq], 7 nga ata duhet ta votojnë propozimin e njejtë. Dhe përkisht këtu ngec procesi në shumë komuna, siç është Struga, Kërçova dhe Gostivari, ku këshilltarët maqedonas nuk dakordohen.

Pra lista e emrimeve aprovohet nga shumica e dyfishtë pasi te ketë kaluar dhe marrë pëlqim parapak nga ana e qeverisë.

Së paku një vit përpara regjistrimit duhet të ndalohen të gjithë proceset e ndërrimit të emrave, për arsye se kanë implikim të drejtpërdrejtë në proces.

Çka thotë e kaluara?

Një sërë emrash të rrugëve dhe shesheve në Tetovë ndonëse janë ndryshuar që në vitin 2007, institucionet shtetërore nuk i njohin ato. Respektivisht emrat e rinj përdoren vetëm në nivel lokal ndërkohë që në nivel qendror ende shfrytëzohen emrat e vjetër të tyre.

Nga Komuna e Tetovës me herët janë arsyetuar se ndryshimet janë bërë në kuadër të ligjit ndërkohë që për mos përdorimin adekuat të tyre thonë se përgjegjëse është Ministria për Pushtet Lokal. Puna ka ngecur tek Regjistri Qendror, nga ku thonë se komuna nuk ka adresuar shkresë tek ky institucion.

Emrat e rinj të rrugëve si Mehmet Pashë Deralla, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Sheshi Iliria janë vendosur që në vitin 2007 por ato ende nuk mund të shfrytëzohen si adresa zyrtare në institucionet shtetërore.

Ndryshe në qytetin e Tetovës rrugët akoma mbajnë emrat si: Lenini, Josi Bros Tito dhe shumë personalitete të njohura komuniste. Përveç emrat e rrugëve, reagime vazhdimisht ka edhe për emtat e shkollave, për të cilët këshilltarët e Komunës së Tetovës në asnjë rast nuk janë bërë bashkë për t’i zgjidhur.

Edhe shkollat fillore dhe të mesme në këtë qytet akoma mbajnë emra të personaliteteve nga periudha e komunizmit.

Ligji për emërimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 12:22