Tiranë, KQZ i ndanë mandatin Fredi Belerit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Maj, 2023 19:03

Tiranë, KQZ i ndanë mandatin Fredi Belerit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin ligjërisht Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur më 14 maj në Bashkinë e Himarës i cili është në burg.

Për rezultatin e bashkisë së Himarës nuk ishte dorëzuar asnjë ankimim brenda afateve ligjore.

Fredi Beleri ndodhet në qelinë e paraburgimit në Tiranë, nën akuzë nga SPAK për blerje të votave. Beleri i cili fitoi zgjedhjet e Himarës, ndërsa ndodhej i arrestuar, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme që e la në masë arresti me burg për korrupsion aktiv në zgjedhje të kryer në bashkëpunim.

Edhe miku i tij, Pandeli Kokaveshi, i arrestuar në të njëjtin aksion me Belerin ka ankimuar vendimin. Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Vlorës, e cila ia delegoi më tej SPAK-ut dosjen si institucion kompetent për të ndjekur çështjen.

Një person që pretendon se Beleri i kishte ofruar para në këmbim të votës, u infiltrua pasi lidhi marrëveshje me prokurorinë.

Nga përgjimet që ai realizoi, prokuroria ka akuzuar se Fredi Beleri u takua disa herë me qytetarin dhe më pas përmes Pandeli Kokaveshit, i ka ofruar atij nga 5 mijë lekë për 8 vota, 40 mijë lekë në total, të cilat janë sekuestruar.

Fredi Beleri fitoi bashkinë e Himarës nën siglën e koalicionit Bashkë Fitojmë, aleancës mes Sali Berishës e Ilir Metës, me 19 vota diferencë nga kandidati socialist Jorgo Goro.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë kërcënuar me marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin, për shkelje të të drejtave të njeriut të kryebashkiakut me kombësi greke.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Maj, 2023 19:03