Transformimi energjetik, ardhmëria tek burimet e renovueshme

Desk
By Desk April 25, 2020 19:17

Transformimi energjetik, ardhmëria tek burimet e renovueshme

Maqedonia e Veriut, ka bërë reforma të mëdha në sektorin e energjisë, me miratimin e Ligjit të ri të energjisë dhe Ligjit të efikasitetit të energjisë, i cili mundëson hapësirë më të madhe për investime në rritjen e energjisë së gjelbër, ndërkohë që ekpsertët vlerësojnë se energjia e rinovueshme është derivat i burimeve natyrore të cilat konsiderohen si të pa harxhuara dhe që rimbushen vazhdimisht.

Ekspertët e energjetikës, vlerësojnë se Maqedonia e Veriut, ka mundësi që nevojat e saja për energji elektrike tërësisht t’i fitojë nga burimet e renovueshme, si uji, era, dielli, biomasa apo ujërat gjeotermal. Megjithatë një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë, por as edhe e lirë. Sipas tyre, Maqedonia e Veriut, në 10 vitet e fundit në mesatare harxhon gati 150 milionë euro në vit për importin e energjisë elektrike. Ndërkohë shtetet e BE-së investojnë shuma të mëdha parash për të rritur burimet riprodhuese në prodhimin e përgjithshëm energjetik.

Ndërkaq vendi ynë, bashkërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor, janë ende të varur nga importimi i energjisë elektrike, duke u ballafaquar me mungesë dhe probleme të vazhdueshme të furnizimit me energji elektrike, thonë ekspertët. Ndërkohë, sipas studimeve, humbjet komerciale dhe teknike paraqesin edhe një grup tjetër problemesh për sa i përket shfrytëzimit të energjisë elektrike në rajon. Energjia diellore, si burim i ripërtërishëm, duhet të konsiderohet si një alternativë për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike në të gjithë rajonin. Fakti që në rajon afërsisht kemi rreth 270 ditë me diell, tregon që kemi predispozita për shfrytëzimin e këtij burimi.

Maqedonia e Veriut, ka bërë reforma të mëdha në sektorin e energjisë, me miratimin e Ligjit të ri të energjisë dhe Ligjit të efikasitetit të energjisë, i cili mundëson hapësirë më të madhe për investime në rritjen e energjisë së gjelbër. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, pati bërë thirrje që të gjithë investitorët e interesuar të përfitojnë nga mundësitë që ofron Maqedonia e Veriut dhe të vijnë që të investojnë në sektorin e energjisë, veçanërisht në fushën e burimeve të rinovueshme.

“Strategjia afatgjate siguron një platformë për modernizimin dhe transformimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë, në përputhje me politikat e energjisë së BE-së, duke kontribuar në rritjen e kyçjes, integrimin dhe disponueshmërinë e shërbimeve energjetike, uljen e ndotjes lokale dhe globale dhe rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat, duke marrë parasysh potencialin e zhvillimit të Maqedonisë së Veriut dhe specifikat e brendshme të saj”, ishte shprehur ministri.

Një këndëvështrim pak a shumë tjetër jep Bujar Dalipi, master i Shkencave në Inxhinieri Elektronike, i cili për gazetën KOHA, thotë se energjia elektrike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në pjesë të madhe prodhohet apo fitohet nga djegia e lëndëve fosile.

“Djegia e këtyre lëndëve djegëse në mënyrë të pashmangshme prodhon gazra të dëmshme në atmosferë siç janë: dioksidi i karbonit, dioksidin e sulfurit, dioksidin e azotit, të cilët shkaktojnë shira acidik dhe tym. Pra këto gazra ndikojnë drejtpërdrejtë në mjedisin jetësor dhe në ngrohjen globale”, shprehet ai. Sipas tij, energjia e rinovueshme është derivat i burimeve natyrore të cilat konsiderohen si të pa harxhuara dhe që rimbushen vazhdimisht. Në anën tjetër, shfrytëzimi i energjisë së renovueshme ndikon në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit nga djegia e lëndëve djegëse fosile, dhe kjo nënkupton drejtpërdrejt përmirësimin e shëndetit publik dhe uljen e kostove për trajtime shëndetësore që vijnë nga ndotja e ambientit.

“Shumë qeveri të botës mbështesin projektet për energji të pastër dhe në të njëjtin segment nxisin komercializmin që çdo ditë e më shumë po zë vend të fuqishëm në ekonominë botërore. Prandaj edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të ndërmarrë veprime sa më të shpejta drejt energjisë së rinovueshme”, shton Dalipi, sipas të cilit duhet të përmendim që fushatat e ndërgjegjësimit për ruajtjen e energjisë duhet të inicohen në nivelin e qeverisë për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së energjisë.

Sa i përket përfitimeve të tjera, ekspertët vlerësojnë gjithashtu se zhvillimi i qëndrueshëm nuk është vetëm mbrojtja e mjedisit, por gjithashtu një koncept i ri i rritjes ekonomike, për të siguruar drejtësi dhe mundësi për të gjithë, e jo vetëm për disa të privilegjuar, pa shkatërrimin e burimeve natyrore të planetit dhe kapacitetin e tij. (koha.mk)

Desk
By Desk April 25, 2020 19:17