Të paktën nëntë persona u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë të enjten vonë.
Zëdhënësi i Hekurudhave Indiane Rajesh Bajpai tha se katër nga 12 vagonët në trenin ekspres ndërshtetëror dolën nga binarët në distriktin Jalpaiguri të shtetit.
“Duket sikur nuk ka më njerëz të bllokuar në vagonë,” – tha një tjetër zëdhënës i hekurudhave, Gurmeet Kaur. Punëtorët po rivendosnin shinën për të lejuar kalimin e trenave të tjerë.
Vlerësimet fillestare sugjerojnë se kishte një çarje në shina, kanë cituar autoritetet lokale.
Kryeministrja e Bengalit Perëndimor Mamata Banerjee tha se ajo ishte thellësisht e shqetësuar për aksidentin tragjik.
Kryeministri indian Narendra Modi tha në Twitter të enjten se mendimet e tij janë me familjet e viktimave dhe u uroi të plagosurve një shërim të shpejtë.
Rrjeti i gjerë hekurudhor i Indisë vuan nga vjetërsimi e infrastrukturës dhe mirëmbajtja e dobët – faktorë që shpesh janë përgjegjës për aksidentet.
Në vitin 2020, gati 12,000 njerëz u vranë në më shumë se 13,000 aksidente treni në të gjithë vendin, sipas një raporti të vitit të kaluar nga Byroja Kombëtare e Regjistrimeve të Krimit.
Një nga incidentet më vdekjeprurëse të viteve të fundit ndodhi në nëntor 2016, kur më shumë se 140 njerëz u vranë pasi disa vagonë treni dolën nga shinat në shtetin verior Uttar Pradesh.