Trump-Kim, “letra dashurie” plot fjalë miqësie dhe lavdërimesh

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 20:21

Trump-Kim, “letra dashurie” plot fjalë miqësie dhe lavdërimesh

Libri i ri i gazetarit të njohur të gazetës Washington Post, Bob Woodward, po hedh më shumë dritë mbi marrëdhënien e pazakontë midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Libri, me titull Rage” (“Zemërim”) pritet të dalë në treg javën e ardhshme, por disa media amerikane kanë botuar fragmente, duke përfshirë pjesë të letrave personale që dy udhëheqësit kanë shkëmbyer dy vitet e fundit.

Në këto letra, udhëheqësi i Koresë së Veriut e vlerëson lart Presidentin Trump, duke iu drejtuar vazhdimisht si “Shkëlqesia Juaj” dhe duke përshëndetur “miqësinë e tyre të thellë dhe të veçantë”, edhe kur bisedimet bërthamore mes dy vendeve po dështonin.

“Edhe tani nuk mund ta harroj atë çast historik kur mbajta fort dorën e Shkëlqesisë Suaj në atë vend të bukur dhe të shenjtë, ndërsa e gjithë bota shikonte”, i shkruante atij Kim Jong Un-i pas takimit të tyre të parë në Singapor në qershor të vitit 2018. Ishte njëra nga dy letrat e Kimit botuar nga televizioni CNN.

Pas samitit të tyre të dytë në Vietnam, Kim i shkruante presidentit amerikan se “çdo minutë që ndamë, 103 ditë më parë në Hanoi ishte gjithashtu një moment lavdie që mbetet një kujtim i çmuar”, sipas televizionit CNN, që thotë se ka kopjet e letrave.

Presidenti Trump shpesh i kthente lavdërimet udhëheqësit koreanoverior. Sipas gazetës Washington Post, pas takimit të tyre në Singapor, zoti Trump e përshkroi zotin Kim si “tejet të zgjuar”. Sipas kësaj gazete, Presidenti Trump iu mburr autorit Woodward duke thënë se Kimi “i tregonte gjithçka”, përfshirë një përshkrim me hollësi makabre se si e vrau xhaxhain e tij, Jang Song Thaek. Jang, një zyrtar i fuqishëm, u ekzekutua në fund të vitit 2013 për tradhti.

Komente të ngjashme Presidenti Trump bëri edhe në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës menjëherë pas takimit në Singapor, në të cilën ai tha se Kim Jong Un-i ishte “i zgjuar, i do njerëzit e tij dhe e do vendin e tij”.

Lavde të tepruara?

Zoti Woodward thotë se për të shkruar librin, atij iu lejua të shikonte 25 letra të shkëmbyera mes dy udhëheqësve, por nuk është e qartë se sa nga kjo korrespondencë është përfshirë në libër.

Deri tani, fragmentet e publikuara nuk përmbanin të papritura të mëdha në lidhje me marrëdhëniet Trump-Kim, pjesë të të cilave Presidenti amerikan tashmë i ka bërë publike. Sidoqoftë, analistët thonë se korrespondenca zbulon hollësi të rëndësishme për personalitetin dhe stilin e negociatave të secilit prej tyre.

“Është interesante të shohësh personalitetin e Kim Jong Un-it që shfaqet përmes këtyre letrave,” thotë Jung Pak, ish-analist i CIA-s i cili tani punon në Institutin Brookings me qendër në Uashington.

“I rrethuar tërë jetën nga servilë dhe duke parë adhurimin si perëndi që i bëhej të atit dhe gjyshit të tij, Kim Jong Un-i thuajse me siguri e kupton se si t’i përdorë si armë lavdërimet apo pasiguritë e të tjerëve apo dëshirën për madhështi”, thotë analisti, i cili së fundmi ka botuar librin “Becoming Kim Jong Un” (Të bëhesh Kim Jong Un).

Miqësi e pazakontë

Udhëheqësit Trump dhe Kim jo gjithnjë kanë shkuar mirë. Në vitin 2017, të dy shkëmbenin rregullisht fyerje. Presidenti amerikan e quante udhëheqësin koreanojugor “Njeriu i Vogël Raketë”. Ky i fundit ia kthente me fjalët “Një leshko amerikan i çoroditur”. Në një rast, Presidenti Trump kërcënoi se do ta “shkatërronte plotësisht” Korenë e Veriut.

Tensionet u zhdukën kur Presidenti Trump, pronar pasurish të patundshme dhe ish drejtues programesh televizive të tipit “reality show”, që pretendon se ka aftësi të pakrahasueshme për të lidhur marrëveshje, u bë presidenti i parë amerikan që takonte një udhëheqës të Koresë së Veriut. Zoti Trump tha më vonë se të dy ata “kishin rënë në dashuri”.

Marrëdhënia mes tyre ka vazhduar, edhe pasi Koreja e Veriut vitin e kaluar rifilloi provat e raketave balistike me rreze të shkurtër dhe u largua nga negociatat bërthamore.

Zoti Trump ka thënë se nëse rizgjidhet në nëntor, “shumë shpejt” do të arrijë marrëveshje me udhëheqësin koreanoverior. Rivali i Presidentit i Trump, ish Nënpresidenti Joe Biden, ka thënë se ai nuk do ta vazhdojë komunikimin personal të Trump-Kim, duke sinjalizuar kthimin tek një qëndrim më tradicional të SHBA.

Ndikimi tek bisedimet e ardhshme

Disa shqetësohen se botimi i letrave private Trump-Kim rrezikon të fyejë Korenë e Veriut dhe të prishë bisedimet e ardhshme.

“Ky është një komunikim i privilegjuar diplomatik”, tha Mark P. Barry, vëzhgues me përvojë i Koresë dhe redaktor i Revistës Ndërkombëtare për Paqen Botërore.

Çështja, tha zoti Barry, është gjithashtu e ndërlikuar, sepse fjalët e udhëheqësit të Koresë së Veriut trajtohen zakonisht me respektin më të madh në vendin e tij.

“Më e keqja që mund të ndodhë është se Kim mund të duket brenda vendit si një servil i zotit Trump,” thotë ai.

Koreja e Veriut nuk ka reaguar lidhur me publikimin e letrave, por Pheniani mund të mos jetë shumë i befasuar, pasi në një rast të mëparshëm, Presidenti Trump ka publikuar në Twitter njërën nga letrat që kishte marrë në korrik 2018.

“Kjo nuk do të ndikojë aq shumë në qëndrimin e Kim Jong Un-it,” thotë Lee Sang-sin i Institutit Korean për Bashkimin Kombëtar. “Kim e kuptonte mundësinë që letrat të bëheshin publike,” thotë ai.

Kathryn Botto, analiste në Programin e Azisë në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, tha se ajo nuk do të habitej nëse Kim do të përmendë publikimin e letrave si arsye për të refuzuar bisedimet.

A do të ketë çarje?

Koreja e Veriut i ka bojkotuar prej muajsh bisedimet, të cilat filluan të prishen pas samitit të shkurtit 2019 në Hanoi, që përfundoi pa marrëveshje. Dy udhëheqësit u takuan edhe një herë në qershor 2019 në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë (DMZ), gjë që i rriti përkohësisht shpresat se negociatat mund të ringjalleshin.

Megjithatë, një muaj pas takimit në DMZ, Kim Jung Un-i i shkroi presidentit Trump “me një ton të ri”, me sa duket i mërzitur që stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut nuk ishin ndalur plotësisht, sipas një njoftimi të rrjetit CNN.

“Jam qartazi i fyer dhe nuk dua t’jua fsheh këtë,” i shkruante ai Presidentit Trump. “Jam me të vërtetë shumë i fyer.”

Muajt e fundit, zyrtarët e Koresë së Veriut kanë thënë vazhdimisht se ndonëse marrëdhënia Trump-Kim mbetet e fortë dhe mund të ketë penguar daljen e tensioneve jashtë kontrollit, ajo nuk është e mjaftueshme për të siguruar përparim në bisedimet bërthamore./VOA

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 20:21