Trump pritet t’i japë “goditjen fatale” senatorit Cruz

Trump pritet t’i japë “goditjen fatale” senatorit Cruz

Republikanët që po votojnë në primaret e kësaj të marte në Indiana mund t’i japin miliarderit nga Nju Jorku, Donald Trump, thuajse një avantazh të pakapshëm në udhëtimin e tij të trazuar drejt nominimit presidencial nga partia e tij.

Manjati i pasurive të paluajtshme kryeson me diferencë dyshifrore në sondazhet e zhvilluara në shtetin në fjalë kundrejt rivalit të tij kryesor, senatorit të Teksasit Ted Cruz. Pasi siguroi delegatët e të pestë shteteve verilindore gjatë javës së kaluar, Trump është në kërkim të fitores në Indiana për të shkuar drejt shifrës “magjike” të 1237 delegatëve, aq sa ç’duhen për të siguruar nominimin partiak përpara Konventës së korrikut.

“Nëse fitoj Indianën, atëherë merr fund gjithçka”, tha Trump përpara një turme entuziaste në Terre Haute të Indianës, në prag të votimit.

Ndërkohë Cruz e ka trumpetuar Indianën, një prej shteteve të fundit të mëdha të mbetur në garë përpara se të shkohet në kutitë e votimit për Presidencialet e 8 nëntorit, si momentin e tij të artë për të frenuar Trumpin dhe për të detyruar një nominim të ndërmjetësuar në Konventën e Partisë Republikane.

Ai premtoi të hënën se do të “rivalizonte deri në fund”, por një humbje në Indiana do të ishte thuajse një “KO” për senatorin teksan, i cili ka thënë se konservatorizmi i tij fetar është një e përbashkët natyrale me republikanët e shtetit ku po zhvillohen primaret. Këtë gjë, ai e tha duke u bazuar edhe te mbështetja që i dha guvernatori konservator i Indianas, Mike Pence.

Trump ka aktualisht 996 delegatë, krahasuar me 565 të Cruzit dhe 153 të guvernatorit të Ohios, John Kasich. Në Indiana luftohet për mbështetjen e 57 delegatëve, një shtet që ka votuar republikanët në 9 prej 10 zgjedhjeve të fundit presidenciale.

“Mendoj se do të kemi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të njerëzve të lodhur me atë çfarë po ndodh me këta politikanë, pasi ata thjesht janë lodhur duke parë vendin tonë kaq shumë të tërhequr”, tha Trump gjatë shfaqjes “Fox & Friends”, më herët gjatë ditës së sotme.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 3, 2016 21:57

REKLAMA