Trusti “trus” deri nesër
Pikërisht kur i erdhi radha Projektligjit për Fondin Pensional, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ndërpreu seancën.
Vendimi i tij u lidh me mungesën e kuorumit për pikat paraprake, për të cilat Vetëvendosje nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme.
Por sipas partive opozitare kjo u bë me qëllim vetëm që të mos votohet nisma që ua mundëson kontributdhënësve tërheqjen e një përqindjeje nga Trusti.
Sipas nismëtarit të projektligjit, Bekim Haxhiu, deputetët e pushtetit janë nën presion nga kryeminsitri Albin Kurti të mos e votojnë Trustin.
Megjithatë, Vetëvendosje fajin nuk po e lë te vetja por te opozita që, sipas Mimoza Kusari-Lilës, nuk u shfaq e gatshme të jetë aktive.
Seanca u shty për të enjten, kur Projektligji për Fondin Pensional është i pari në rend, ndërsa nevojitet shumicë e thjeshtë që të miratohet në parim.