Tsipras në vizitë historike në RMV, mbështetje në rrugëtimin euroatlantik

Redaksia
By Redaksia 2 Prill, 2019 19:16

Tsipras në vizitë historike në RMV, mbështetje në rrugëtimin euroatlantik

Kryeministri grek, Aleksis Cipras, shënoi vizitën e parë zyrtare dhe historike të një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut.

Koha është për vendime të guximshme, bashkëpunim mes dy vendeve duke kompensuar kohën prej tri dekadash të humbura, tha ai.

Ripërsëriti përkrahjen e shtetit grek ndaj Maqedonisë së Veriut për integrim në BE, si dhe siguroi implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, nën mbikëqyrje të institucioneve të veçanta.

“Greqia do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në hapat e saj, të vazhdojë me reformat e nevojshme dhe të bëhet anëtare e BE-së, dhe unë besoj se këto hapa janë me vlerë dhe ne do të jemi aty t’u përkrahim, në procesin aderues tuajin. Që të kemi themele të forta dhe ato t’i përballojnë kohës, duhet të punojmë intensivisht që në saktësi ta implementojmë Marrëveshjen e Prespës”,- deklaroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.

Dy qeveritë formuan Këshillin e nivelit të lartë, e sipas kryeministrit Zaev, do të shihen të gjitha frytet që dolën nga Marrëveshja e Prespës.

“Kjo vizitë historike si dhe seanca e nivelit të lartë për bashkëpunim mes dy vendeve është sinjal i vullnetit politik të përbashkët për bashkëpunim si dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si kontribut për një Ballkan të ri. Implementimi i Marrëveshjes së Prespës është hap historik për anormalizimin e marrëdhënieve bilaterale, për të ardhmen e dy vendeve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Dy kryeministrat hoqën dilemat se Marrëveshja e Prespës mund të bëhet e pafuqishme nga ndonjë qeveri e ardhshme, sepse, sipas tyre, kjo marrëveshje i atribuohet së ardhmes së dy popujve.

Cipras sqaroi edhe faktin se mbishkrimi i përmendoreve që i përkasin Maqedonisë antike, në emërtime do të sqarohet se i takojnë civilizimin grek, por që sipas tij janë civilizim botëror.

“Këto përmendore të civilizimit grek i takojnë botës, janë përmendore botërore dhe janë pjesë e trashëgimisë botërore. Ne do të jemi të kënaqur kur t’i vendosni emrat dhe kjo do të sqarojë se këto përmendore janë pjesë e civilizimit antik grek”,- tha kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.

“Unë besoj se edhe Micotakis edhe Mickoski, të cilët janë kryetarë të partive më të mëdha opozitare, vetë me kalimin e kohës do të mbështesin bashkëpunimet e mira, mundësitë e reja, perspektivat serioze sepse kjo është pragmatike, kjo është politika dhe tek e fundit kjo është mençuri, të mbështesni atë që populli e dëshiron dhe nga e cila populli ka përfitime”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Vizita e kryeministrit Cipras u nënvizua edhe me nënshkrimin e planit aksionar të të gjitha aktiviteteve të dakorduara mes ministrive nga të dyja vendet.

U shpalos edhe hapja e vendkalimit të ri me Greqinë në Kavadar, u dakordua që pikat e kontaktit mes dy shteteve të kalojnë në nivel ambasadash si dhe që pas anëtarësimit të vendit në NATO, Greqia të monitorojë falas qiellin e Maqedonisë së Veriut.

Mungoi ndërkohë një ceremoni zyrtare me intonimin e himneve kombëtare të të dyja vendeve, gjë që nga qeveria u arsyetua me vonesën e aterimit të avionit të kryeministrit grek dhe agjendën e ngjeshur.

Kryeministri grek Cipras ka zhvilluar takim edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi. (Tvm2)

Redaksia
By Redaksia 2 Prill, 2019 19:16