Një qytezë nënujore është kthyer në atraksionin turistik të momentit në Napoli të Italisë. Vendi daton prej shekullit të tretë dhe njihet si ‘Monte Carlo’ i Romës së lashtë, resorti ku të pasurit e të fuqishmit shkonin për të shijuar klimën e butë, verën dhe kënaqësi të tjera.
Statujat dhe rrënojat romake të një resorti 2000-vjeçar, i famshëm për luksin dhe veset, janë tashmë një atraksion turistik nënujor në Itali. Fisnikëria romake organizonte në Baiae, një vendpushim i lashtë në gjirin e Pozzuoli, afër Napolit festa të shumta. Në këtë qytezë, mozaikët datojnë nga shekulli i tretë.
“Ishte e pabesueshme,” tha arkeologu Enrico Gallochio, i cili menaxhon parkun nënujor.
“Vetëm në këtë zonë kemi gjetur 20 dhoma. Ka ende shumë për të zbuluar, por është një punë që do të marrë vite.”
Reliket e lashta romake u gjetën herë pas here gjatë shekullit të 19-të, dhe në vitet 1920 zbulimi i skulpturave prestigjioze mermeri gjatë një operacioni gërmimi në Pozzuoli ngjalli aq shumë kureshtjen e liderit fashist Benito Musolini, saqë ai sugjeroi kullimin e zonës për të parë se çfarë thesare të tjera mund të fshiheshin.
Më pas, në një ditë të kthjellët në vitet 1940, Raimondo Baucher, një pilot i forcave ajrore italiane, vuri re atë që ai e përshkroi si një “qytet fantazmë të çuditshëm” ndërsa fluturonte ulët mbi atë që dikur ishte porti Julius.
“Fotografitë e tij zbuluan një botë që deri në atë moment ishte e panjohur – vetëm vendasit dyshonin se diçka ishte atje, por ata nuk dinin se çfarë,” tha Gallochio.
Arkeologët e përshkruajnë Baiae si “Monte Carlo” të epokës së lashtë romake, një vend ku të pasurit dhe të fuqishmit shkonin për të shijuar klimën e butë, verën e ëmbël dhe për tu argëtuar. Perandorët duke përfshirë Augustus, Neron dhe Caligula kishin shtëpi në Baiae dhe disa nga rrënojat e vilës që i përkisnin Julius Cezarit janë ekspozuar në muzeun arkeologjik Campi Flegrei.