Turizmi malor si shpëtim ekonomik

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:40

Turizmi malor si shpëtim ekonomik

Bëhet fjalë për turizëm malor që prezantohet në mënyrë masive dhe përveç anëtarëve të shoqatës dhe klubit të çiklistëve, në këto udhëtime turistike malore marrin pjesë edhe shumë dashamirë të turizmit malor.

Viteve të fundit, në Dibër dhe rrethinë dukshëm është rritur numri i të rinjve të cilët shprehin interes për të vizituar malet për rreth Dibrës. Turizmi malor sidomos është nxitur nga shoqata qytetare “Bjeshkatari”, e cila ka për qëllim kryesor vizitën të organizuar të maleve Deshat, Kërçin, Korab, Stogovë, Jabllanicë dhe Bistër. Shoqata në fjalë faktikisht është bartëse kryesore e turizmit malor në rajonin më perëndimor të vendit. Kohëve të fundit, shoqata “Bjeshkatari” ka organizuar shumë vizita në male me pjesëmarrje masive sidomos të të rinjve. Ky aktivitet i shoqatës, i cili realizohet së bashku me Klubin Çiklist “Dibra” mundëson vizitë të pjesëve më të bukura të maleve. Bëhet fjalë për turizëm malor që prezantohet në mënyrë masive dhe përveç anëtarëve të shoqatës dhe klubit të çiklistëve, në këto udhëtime turistike malore marrin pjesë edhe shumë dashamirë të turizmit malor.

Një nga organizatorët kryesor të këtyre aktiviteteve është Maksut Kërluku, i cili dallohet një kohë të gjatë me aktivitetet kushtuar turizmit malor. Ai tregon se shoqata dhe klubi kanë organizuar shumë vizita masive të bukurive të maleve për rreth Dibrës, ndërsa informon se pjesëmarrësit janë kryesisht të rinj të cilët mund të themi se promovojnë turizmin malor të Dibrës. Kërluku ka deklaruar se Dibra posedon bukuri malore dhe këto bukuri duhet shfrytëzuar edhe për zhvillimin e turizmit malor. “Të gjithë pjesëmarrësit e këtyre aktiviteteve, pas udhëtimit nëpër lokacionet e bukura të maleve të Dibrës, kthehen me kënaqësi në qytet duke vazhduar edhe ata të promovojnë turizmin malor”, thotë Kërluku.

Një domethënie të madhe kanë edhe çiklistët e klubit “Dibra” në drejtim të promovimit të bukurive. Lideri i këtij aktiviteti që ka të bëjë me çiklizmin malor, është Blendi Troci, i cili sipas klubit, ka një domethënie të madhe në gjetjen e shtigjeve të udhëtimin me biçikletë nëpër malet e Dibrës. Atij i janë bashkangjitur shumë të rinj dibran, të cilët poashtu janë adhurues të vizitave malore, por duke shfrytëzuar mundësitë që japin shtigjet nëpër disa pjesë të maleve. Poashtu duhet theksuar edhe faktin se në vizitat e organizuara nga klubet në fjalë, mund të shihen edhe të rinj dibran që jetojnë në mërgim dhe që në disa sezone kthehen në vendlindje, por edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Bëhet fjalë për adhurues të vizitave të maleve të bukura.

“Bukuritë që ofron rajoni më i gjerë i Dibrës garanton turizëm të shpejtë malor që mund të ketë edhe efekte materiale”, tregon Troci. Para disa viteve me një projekt të Bashkimit Evropian u realizuan shtigjet duke lidhur dy Dibrat. Bëhet fjalë për shtigje të cilët kanë pikënisje në fshatin Banjisht të Dibrës dhe të cilët në aspektin turistik – përfundojnë në Bashkinë e Peshkopisë në Shqipëri. Jo vetëm pushteti vendor, por edhe mbarë popullata dibrane është e bindur se turizmi malor mund ti ndihmoj shumë Dibrës në zhvillimin e saj ekonomik. Bëhet fjalë për një pasur natyrore që posedon Dibra dhe rajoni më i gjerë e cila deri tani nuk ka qenë e shfrytëzuar. Nëse kjo pasuri natyrore për zhvillimin të turizmit malor i bashkohet edhe mundësive maksimale që ka Dibra me resurset e zhvillimit të turizmit banjar, ujor, por edhe turizmit të objekteve fetare, atëherë mund të themi se Komuna e Dibrës duhet ta kërkojë mundësinë për të materializuar sferën e turizmit ashtu siç e kanë bërë edhe komunat e tjera. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:40