Këtë fundjavë turqit do të vendosin për presidentin e vendit mes Rexhep Tajip Erdogan dhe Kemal Kiliçdaroğlu. Në këtë raund votimi, një sfidë për të dalë në votim janë vendet e prekura nga tërmetet katastrofike. Banorët e Turqisë jugore dhe juglindore janë të ndarë në mendimet e tyre për kandidatët.
“Ne besojmë se Erdogan do të rindërtojë shtëpitë tona të dëmtuara. Ne pamë që shtëpitë u rindërtuan shumë shpejt në tërmetet e mëparshme dhe besojmë se ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne.”, – tha një mbështetës i Erdoganit, Bajram Sahin.
“Kemi kaluar ditë të vështira gjatë tërmetit. Qeveria nuk ishte në anën tonë. Ky është inati ynë më i madh ndaj Qeverisë. Për tre ditë njerëzit bërtisnin dhe vajtonin. Më 14 maj, përderisa dhimbja jonë ishte ende e madhe, ndërsa njerëzit tanë ishin ende të varrosur nën rrënoja, për mendimin tim ishte e gabuar që njerëzit që votuan për Erdoganin të hipnin në autokolona me daulle dhe të festonin.”, – u shpreh një mbështetës i opozitës, Baki Arabul.
Vullneti i 64 milionë votuesve do të vendosë se cili prej kandidatëve do të udhëheqë dhe formësojë politikën turke në vitet në vijim. Në këtë situatë vendimtare për të ardhmen e Turqisë, zgjedhjet presidenciale po testojnë dy vizionet e kundërta për vendin. Kemal Kılıçdaroglu, kundërshtari kryesor i presidentit të tanishëm, ka bërë fushatë me premtimin e hedhjes poshtë të prirjeve autoritare të Erdoganit. Në anën tjetër, fushata e Erdoganit është përqendruar në përpjekjet e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Lideri ynë në pushtet nuk po bën asgjë për gratë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me gratë nesër apo ditëve tjera dhe në çfarë gjendje do të jenë.”, – tha një mbështetëse e opozitës, Sera Ural.
“Ekonomia nuk po ecën mirë në nivel globali. Rexhep Tajip Erdogan do ta kapërcejë këtë në Turqi. Nën drejtimin e tij, ekonomia do të jetë sërish e suksesshme. Ne do të tregohemi edhe një herë si një vend i fortë.”, – u shpreh një mbështetës i Erdoganit, Mehmet Nergis.
Megjithatë, presidenti Rexhep Tajip Erdogan në raundin e parë me 14 maj doli përpara me 49.5% të votave. Rivali i tij, Kemal Kilicdaroglu, lideri laik i opozitës, mori 44.9%, me vetëm 4% larg njëri-tjetrit. Një kandidat ultra-nacionalist, Sinan Ogan, mori 5.2% të papritura, duke e shtyrë garën në një raund të dytë këtë të diel. Tani ai ka mbështetur presidentin Erdogan, gjë që e bën favorit për fitore presidentin aktual.