Turqia këmbëngul për dëbimn e gylenistëve nga Shqipëria

Turqia këmbëngul për dëbimn e gylenistëve nga Shqipëria

Turqia përsëriti sot kërkesën e saj drejtuar autoriteteve shqiptare për të dëbuar nga vendi i tyre dhe kthimin e anëtarëve të së ashtuquajturës Lëvizjes Gyleniste, e konsideruar nga Ankaraja një organizatë terroriste.

Në përfundim të takimit në Tiranë, me ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, shefi i diplomacisë turke theksoi disa herë se organizata terroriste Feto nuk është kërcënim vetëm për Turqinë po kudo që ndodhen anëtarët e saj. Ai deklaroi se këtë ja ka shpjeguar autoriteteve shqiptare dhe do ta bënte dhe në takimin e tij me kryeministrin Edi Rama, duke nënvizuar se Turqia nuk dëshiron që Shqipëria të jetë një port i sigurisë për anëtarët e FETO-s, transmeton VoA.

Ai tha se nuk kishte shifra të sakta për numrin e tyre në Shqipëri, por se sipas tj duhet të ishin disa qindra për të cilët Turqia pret kthimin e tyre. Ministri Cavusoglu, u shpreh se falenderon Shqipërinë për çfarë ka bërë dhe se e kupton që nuk është e lehtë, por këto janë hapa që duhet të hidhen për të ardhmen, theksoi ai.

Në fillim të këtij viti autoritetet shqiptare dëbuan brenda disa orësh, një shtetas turk, i cili konsiderohej si pjesë e Lëvizjes Gylen. Sapo doli nga burgu ku vuante dënimin, Harun Çelik, u transportua drejt aeroportit, pa ju lënë kohë as të ankimonte vendimin e dëbimit, siç e parashikon legjislacioni shqiptar.

Një tjetër shtetas turk, i arrestuar në të njëjtat kushte si Çelik, ka bërë ndërkohë kërkesë me shkrim për azil në Shqipëri, duke qenë se siç shprehet ai, në Turqi atë e konsiderojnë pjesë të lëvizjes Gulen e për pasojë “atje mund t’I nënshtrohet veprimeve keqtrajtuese”.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 12 Shkurt, 2020 20:04

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.