Turqit në garë për gazifikimin e Maqedonisë së Veriut

Desk
By Desk 5 Dhjetor, 2020 15:57

Turqit në garë për gazifikimin e Maqedonisë së Veriut

Pas përfundimit vitin e ardhshëm të rrjetit primar të gazit që po ndërtohet nga ana e shtetit, pritet që po në 2021 të ndërtohet edhe rrjeti sekondar nga ana e kompanisë që do të përzgjidhet me partneritet privat-publik të sjellë gazin deri tek konsumatori përfundimtar. Me fjalë të tjera, pritet që kompanitë nga jashtë të gazifikojnë të gjitha qytetet në vend pa harxhuar mjete nga arka e shtetit. Nga Ministria e Ekonomisë thonë dy kompani turke janë në garë për ndërtimin e gazsjellësit kryesor në Maqedoninë e Veriut. Pas dorëzimit të aplikacioneve, pason faza e dytë ku do të thirren kompanitë e interesuara për një dialog konkurrues që ti dorëzojnë ofertat e tyre financiare, gjithmonë në rast se plotësojnë kushtet nga faza e parë.

Kompania “Aksa Dogalgas Dagiti AS” nga Republika e Turqisë dhe “Palmet Energy Anonymous Shirketi”, gjithashtu nga Turqia, kanë paraqitur oferta për ndërtimin e gazsjellësit magjistral në vend, ka informuar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Kjo, sië është shprehur ministri, do të thotë që këto dy kompani do të marrin pjesë në procedurën e tenderimit deri në fazën e tretë, që do të thotë zgjedhja përfundimtare e një kompanie me çka do të krijohet partneritet publik-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

Projekti është i vlefshëm afër 350 milionë euro, do të zgjasë mbi 30 vite dhe pritet të realizohet në tre faza sipas dinamikës së përcaktuar. Në kushtet e tenderimit kërkohej që investitorët e interesuar të kenë së paku 5 vjet përvojë në shpërndarjen e gazit natyror, të kenë së paku 100 mijë shfrytëzues të shërbimeve të tyre, të kenë kryer distribuimin e së paku tre miliardë metër kub të gazit në tre vitet e fundit dhe të kenë pasur së paku 150 milionë euro të ardhura në tre vitet e fundit.

Njëherësh, sipas studimit fizibiliti, ndërtimi pritet të zgjasë katër vjet, ku investitori do të ketë obligim të ndërtojë së paku 50 për qind të rrjetit në komunat urbane dhe së paku 20 për qind të rrjetit në komunat rurale. Në fazën më të hershme pritet të fitojnë gaz për ngrohje Komuna e Çairit, Tetova, Gostivarit dhe më shumë komuna rurale në Pollog, si dhe komunat e tjera urbane në Shkup, Kumanova, Manastiri, Prilepi, Kavadari etj. Në ndërkohë, ekzekutivi ka paralajmëruar se një nga prioritetet e tij do të jetë angazhimi maksimal për gazifikimin e vendit. Aktualisht, me mbi 90 për qind është përfunduar dega e gazsjellësit primar prej Kumanove deri në Negotinë, Prilep dhe Manastir, ndërsa mbi 65 për qind është realizuar dega tjetër nga Shkupi në drejtim të Tetovës dhe Gostivarit. Pritet që rrjeti i gazit Shkup-Gostivar në gjatësi prej 86 kilometrash, të përfundojë deri në mesin e vitit 2021. Njëherësh pritet të fillojë edhe eksproprijimi apo shitblerja e tokës nga Gostivari deri në Kërçovë për ndërtimin e rrjetit të ardhshëm të shpërndarjes së gazit. Rrjeti do të vazhdojë të ndërtohet edhe në drejtim të Ohrit dhe Strugës. Gazifikimi do të sjellë energjens më të lirë për biznesin, do të ulë çmimet e ngrohjes edhe në shumicën e ndërtesave që menaxhohen nga shtetit apo komunat. Pritet të ulet edhe ndotja me përdorimin më të madh të gazit nga amvisëritë që do të joshen edhe me energjens më të lirë dhe më të pastër.

FURNIZIM STABIL AFATGJATË

Shteti, ashtu siç është paralajmëruar, do të ndërtojë edhe lidhjen e gazit nga Greqia, përmes Maqedonisë për Kosovën dhe Malin e Zi, që do të sjellin të ardhura shtesë në arkën e shtetit.

Për momentin, Maqedonia është e lidhur me gazsjellës vetëm përmes Bullgarisë, mirëpo pas lidhjes së dytë me Greqinë dhe zgjerimin e shfrytëzuesve, priten edhe çmime më konkurruese në treg. Ekonomistët thonë se koha prej 35 vjet si periudhë e gjatë për të cilën do të ofrohet koncesioni – nënkupton se investitori i ardhshëm do të ketë mundësi serioze të investojë dhe realizojë fitim. Maqedonia e Veriut me gazifikimin e amvisërive, biznesit, ndërtesave të ndryshme si shkollat, spitalet, godinat e ndryshme shtetërore… do të sigurojë furnizim stabil dhe të sigurt me energji për një periudhë afatgjate.

Gazi natyror pritet të jetë edhe konkurrencë serioze, në mos edhe të zëvendësojë plotësisht qymyrin në 15-20 vitet e ardhshme kur do të shteren rezervat natyrore. Gjithashtu, opsion mbetet edhe shitja apo projekti i partneritetit privat-publike për termocentralin e Negotinës, që në vend me mazut – të punojë me gaz. Ndër kompanitë e interesuara për investime përmendet edhe gjigandi amerikan i energjetikës, Xheneral Elektrik. I ndërtuar në vitin 1978, termocentrali i Negotinës ka fuqi prej 195 megavat deri 215 megavat, që është sa një e treta e Termocentralit të Manastirit me fuqi prej 700 megavat e që prodhon mbi 70 për qind të nevojave vendore për rrymë. Mirëpo, për shkak të kostos së lartë të prodhimit të rrymës nga një energjens i shtrenjtë dhe ndotës si mazuti me 1200 tonë në ditë, ai është vendosur si një rezervë e shtetit që do të përdoret në rast nevoje. (koha.mk)

Desk
By Desk 5 Dhjetor, 2020 15:57