Tusk me mesazh për vendet anëtare: Kryeni punën tuaj sepse Maqedonia e ka kryer të sajën

Tusk me mesazh për vendet anëtare: Kryeni punën tuaj sepse Maqedonia e ka kryer të sajën

Me përqafime e priti në oborrin e Qeverisë.

Kryeministri Zoran Zaev e konsideron mik të dëshmuar Kryetarin e Këshillit të Bashkimit Evropian Donald Tusk.

Ky i fundit ndonëse nuk e tha prerë dhe qartë nëse në tetor Maqedonia do të marrë ose jo datë për nisje negociatash, shtoi se nuk i ka ndryshuar qëndrimin e dhënë në qershor, se vendi ka bërë gjithçka që është pritur që të mund të fillojnë bisedimet për aderim në BE. 

“Shkupi është vendi më i mirë i mundshëm nga ku do të doja t’i thërras liderët e vendeve anëtare të BE-së, që tani ta kryeni punën tuaj, sepse Maqedonia e Veriut tashmë e ka kryer të sajën”, theksoi kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë e bëjnë Maqedoninë kampione për tejkalimin e problemeve tha kreu i këshillit, duke shtuar se se dëshiron që të jetë e qartë si kristali se në Bruksel nuk ekzistojnë dyshime për angazhimin politik për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit.

“Gjithsesi që gjithkush, në çdo kohë dhe çdokund mundet ta kontestojë këtë, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin, por ne e dimë shumë mirë se qeveria juaj është e vendosur për këtë, në vazhdimin e punës të Prokurorisë Publike”, potencoi Donald Tusk, kryetar i Këshillit të BE-së.

Kryeministri Zoran Zaev tha se ngjarjet e fundit në sistemin e drejtësisë janë sfida ndaj të cilave janë angazhuar sipas standardeve evropiane.

“Në kuadër të kësaj e shohim edhe debatin për ligjin për Prokurorinë Publike, rasti Reket është test i fuqishëm për gjyqësorin dhe suksesin e reformave. Zgjidhja institucionale e kësaj dhe të të gjitha rasteve do të dëshmojë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe vullnetit politik për luftë kundër korrupsionit”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri ri përsëriti pritshmërinë e vendit, që Këshilli i BE-së më 15 tetor, Këshilli i Evropës më 17-18 tetor të miratojë vendimin për hapje negociatash dhe të mos ketë më zvarritje. Pas kësaj kryeministri tha se presin që të vijojë thirrja e Komisionit Evropian për përgatitjen e kornizës negociuese, ndërsa në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm të caktohet konferenca e parë ndërqeveritare. Në fund të konferencës për media, nuk u pranuan pyetje gazetarësh.

“Për shkak të kohës së kufizuar nuk janë parashikuar pyetje”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.

Edhe Presidenti Stevo Pendarovski e priti në takim kreun e këshillit të BE-së. Siç informojnë nga Presidenca, ata shkëmbyen mendime për gjendjen e përgjithshme në vend si dhe për aspiratat për anëtarësim në BE. Me këtë rast Pendarovski ka shpehur pritshmërinë që në tetor Këshilli do të japë datë për nisje negociatash për anëtrësim.

Driton Zenku
nga Driton Zenku Shtator 17, 2019 17:17

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA

PARTNER