U harruan uniformat dygjuhëshe të policisë! Aktet e Nuhiut ende në procedura qeveritare

Redaksia
By Redaksia 4 Dhjetor, 2020 20:01

U harruan uniformat dygjuhëshe të policisë! Aktet e Nuhiut ende në procedura qeveritare

Gjatë Qeverisë teknike, kur Agim Nuhiu ishte Ministër për Punë të Brendshme, firmosi aktet normative që emblemat e uniformave të policisë të jenë në dy gjuhë, por procesin përpara duhej ta çonte Qeveria.

“Këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblemat e policisë. Kjo është një bazë normative që u hapë rrugë edhe aktiviteteve të tjera të ndërlidhura me sigurimin e emblemave edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Agim Nuhiu – ish-ministër i Punëve të Brendshme (10.08.2020).

Këtë veprim Nuhiu e pat ndërmarrë pas mendimit të dhënë nga Komisioni i Venecias. Madje kishte përgatitur edhe shembull se si do të dukej emblema, por e njëjta tani për tani ka mbetur vetëm në kornizë fotografish.

Qeveria me sa duket aktet normative ende është duke i mbajtur në sirtar, e këtë e konfirmon edhe vetë deklarata e sotme e Ministrit aktual për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Në atë periudhë u ngrit procedura në lidhje me realizimin e dispozitave ligjore, ajo procedurë është para qeverisë, sapo të përfundojë, do të fillojmë me zbatim”, theksoi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Kërkuam qëndrim nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, por përgjigje nuk morëm.

Pika 3 e neni 8 të ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh dygjuhësi që Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve janë shqipfolës.

Ishte pikërisht ky nen që u bë shkas që ligji i gjuhëve të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim. Në vlerësimin e tij, Komisioni tha se standardet ndërkombëtare nuk e rregullojnë këtë çështje, andaj nuk panë ndonjë konflikt të nenit 8 me konventat ndërkombëtare./Tv21

Redaksia
By Redaksia 4 Dhjetor, 2020 20:01