U promovua libri “E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët” nga Pashko Vasa

U promovua libri “E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët” nga Pashko Vasa

“E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët” nga Pashko Vasa vjen në një botim të ri të realizuar nga Fondacioni “Alsar” nga Tirana, i cili u promovua sot edhe në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Drejtori i këtij instituti, Skender Asani, tha se kjo është një vepër e cila ka dalë në skenë në periudhën kur shqiptarët bënin përpjekje që t’i kundërvihen projekteve të mëdha të popujve të Ballkanit.

SKENDER ASANI, KRYETAR I ITKSH-SË

“Pashko Vasa pikërisht në këtë periudhë kohore e boton këtë libër, i cili jep orientime që shqiptarët të jenë bashkë ndaj trysnive që i bënin në projektet e tyre, pushtuesit ose popujt që ishin përreth shqiptarëve. Dhe sjellja e këtij libri në 2019”

Sipas historianit, Pëllumb Xhufi, nëpërmjet kësaj vepre kërkohej bashkimi i shqiptarëve në një njësi autonome.

PËLLUMB XHUFI, HISTORIAN

“’E vërteta për Shqipninë dhe shqiptarët’ është një program i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili u botua në gjuhën frënge dhe si i tillë pati një përhapje të gjerë. Ideja kryesore që Vaso Pasha mbron këtu është pikërisht ajo se shqiptarët duhet të njiheshin si kombësi, pasi deri atëherë nuk njiheshin si kombësi, po themi nga komuniteti ndërkombëtar”.

Studiuesi shkencor, Zeqirija Ibrahimi vlerëson se, duke pasur parasysh se libri nuk ishte botuar në shqip, ai e vendos një gurthemel të shqiptarizmës së re e cila po krijohej.

ZEQIRJA IBRAHIMI, STUDIUES

“Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se jam i bindur që historia dhe kultura shqiptare janë dy libra që, e kanë identifikuar edhe gjendjen e Shqipërisë në shekullin e 19 dhe fillimin e shek 20, dhe e kanë dhënë edhe një zgjidhje se si është dashur të duket Shqipëria, ajo është Shqipëria e Sami Frashërit dhe e vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët e Pashko Vasës”.

Ndërkaq, sipas këndvështrimit të sociologut, Ali Pajaziti, libri flet shumëllojshmërinë e kulturave ballkanike.

ALI PAJAZITI, SOCIOLOG

“Nëse nisemi nga aspekti antropologjik, për shekullin 19 ka qenë e natyrshme që të kërkohet fryma e kombeve, atë që Hegeli e ka quajtur, shpirti i kombit dhe në këtë drejtim autori i këtij teksti që të gërryej në të kaluarën dhe madje në biologji të futet, ka bërë antropologji fizike, duke folur edhe për formën e kafkës së shqiptarit, të cilën e quan ovale”.

Në fund, fjalën e mori edhe botuesi i librit, drejtori i Fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra, i cili sqaroi arsyet e botimit të kësaj vepre. Ai tha se kanë ndërmarrë një hap të tillë që të hidhet dritë mbi periudha të caktuara të historisë shqiptare që kishte tendenca që të fshihen gjatë komunizmit.

MEHDI GURRA, BOTUES

“Diktatura e selektuar që ka qenë në bibliotekat e Shqipërisë ka sjellë shumë dezinformime dhe ka sjell shumë pasaktësira për çështje të caktuara të shqiptarëve në Shqipërive”.

Vepra “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, është një studim historik nga Pasko Vasha,i botuar në gjuhën frënge dhe më pas e përkthyer nga Mehdi Frashëri. /SHENJA/

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 7, 2019 19:32
© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.