Udhëtimi politik i Kosovës brenda një viti pa katër figurat politike Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 23:57

Udhëtimi politik i Kosovës brenda një viti pa katër figurat politike Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

Një vit më parë në Kosovë ndaj katër figurave politike u konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës.

Ndaj Hashim Thaçit, i cili mbante pozitën e Presidentit të vendit, ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, aktakuza e konfirmuar nga Gjykata Speciale u bë publike më 5 nëntor 2020.

Ndonëse u bënë një vit që nga konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit gjykimi i tyre ende nuk ka filluar.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe para se t’i konfirmohej aktakuza kishte filluar të shkëputej nga aktivitetet që kishin të bëjnë me dialogun Kosovë – Serbi.

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, më 27 qershor të vitit 2020, kishte planifikuar të jetë në Uashington, në një takim që supozohej të nënshkruar “një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë” në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo më 24 qershor, ai e anuloi pjesëmarrjen pas një njoftimi nga Zyra e Prokurorit Special, shkruan Kallxo.com.

Në një njoftim për media, Zyra e Presidencës kishte bërë të ditur se Thaçi ka ndërprerë udhëtimin për në SHBA dhe se do të kthehet në Kosovë.

Më 4 shtator 2020, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin nënshkruar një marrëveshje që e quanin “marrëveshje për normalizim ekonomik”.

Kjo marrëveshje ishe nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 5 nëntor 2020 përmes një konference për media e kishte konfirmuar aktakuzën dhe dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës.

Hashim Thaçi, kishte dhënë dorëheqje nga posti pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, kishte thënë presidenti në konferencën për media në Prishtinë.

Pas dorëheqjes së Thaçit nga pozita e Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani që mbante pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, zyrtarisht u bë ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.

“Ceremonia e pranim-dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, në këtë rast nga Vjosa Osmani “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”, ndërsa mandati i presidentit Thaçi përfundonte në prill të vitit 2021.

Tre muaj pas ngritjes së aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Prej këtyre zgjedhjeve, LVV e para me mbi 50%, duke ia mundësuar kështu krijimin e qeverisë e vetme pa pasë nevojë të gjente partner të koalicionit.

Ndërsa pak muaj më vonë, me 71 vota për, Kuvendi më 4 prill 2021, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Përveç pozitës së presidentit, përfundimin e se cilës nuk ia lejoi aktakuza nga Dhomat e Specializuara, Thaçi kishte lënë në gjysmë edhe pozita të tjera.

Përvec Thaçit, Gjykata Speciale e konfirmoi aktakuzën për krime lufte edhe ndaj Kadri Veselit, njërës prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai më 5 nëntor 2020 pati njoftuar se do të shkojë vullnetarisht në Hagë për t’u ballafaquar me akuzat.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në atë kohë mbante pozitën e kryetarit të PDK-së dhe deputetit të kësaj partie.

Ai kishte njoftuar se nuk do të mbajë as detyrën e kreytarit të PDK-së për sa kohë zgjatë ky proces.

Partia Demokratike e Kosovës në nëntor të vitit 2020, kishte dhënë njoftimin se U.D i PDK-së do të jetë Enver Hoxha.

Portali Kallxo.com ka shkruar për angazhimin politik të Kadri Veselit. Ish lideri i PDK-së Kadri Veseli veç angazhimit në UÇK, ka qenë edhe drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), për të vazhduar pastaj me karrierë politike.
Veseli ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura, në vitet 2014-2017 dhe 2017-2020.

Me zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës, i cili ka qenë kryetar i PDK-së, pozitën për të drejtuar partinë e mori Kadri Veseli, më 2016-n.

Edhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi të mërkurën e 4 nëntorit u arrestua nga pjesëtarët e misionit të EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

Shtëpia e Krasniqit në Prishtinë u bastis mëngjesin e hershëm të 4 nëntorit 2020, përderisa operacioni zgjati gjatë gjithë ditës deri në arrestimin e tij dhe më pas dërgimin e tij në Hagë të Holandës, aty ku gjendet selia e Gjykatës Speciale.

Jakup Krasniqi ishte kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ndërsa karriera e tij politike ka nisur shumë kohë më parë, para dhe pas angazhimit të tij të drejtpërdrejt në UÇK.

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Jakup Krasniqi ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, ataktuazë ishte ngritur edhe ndaj anëtarit tjetër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Në atë kohë, Selimi ishte shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, kishte shkruar Rexhepi kur kishte dhënë lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj tij,

Lëvizja Vetëvendosje, që nga nisja e Selimit në Hagë ende është me ushtrues detyre të shefit të grupit parlamentarë. Atë pozitë e mbanë deputetja Mimoza Kusari Lila.

Ndërkaq, në listën e kandidatëve për deputetë të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, guraja e ish shefit të grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti – Selimi, ishte listuar në garë për deputete.

Ajo ka arritur të marrë 18 mijë e 522 vota, duke u renditur në 20 personat më të votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mehmeti-Selimi në listën e VV-së kandidoi me numrin 10, të cilin numër tradicionalisht e mbante burri i saj, Rexhep Selimi, që njihej në luftë me nofkën 10-shi.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 pas pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty në vitin 2010, në lidhje me krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.

Presidenti Thaçi e kishte mbështetur zëshëm krijimin e kësaj Gjykate në kohën sa ishte kryeministër.

Disa vite më vonë, në dhjetor të 2017 kishte pasur një përpjekje serioze të për shfuqizuar Ligjin për krijimin e Dhomave të Specializuara.

Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakzuës këto krime thuhet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Ndonëse u bënë një vit që nga konfirmimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit gjykimi i tyre ende nuk ka filluar.

Mosdorëzimi i provave nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar e ka ngrirë procesin në fazën e procedurës paraprake, kjo pasi prokuroria nuk ka dorëzuar të gjitha provat me të cilat akuzon ish krerët e UÇK-së për krime lufte.

Prokuroria Speciale ka kërkuar zgjatje të afatit deri më 31 janar 2021 për dorëzimin e 3 paketave me prova.

Thaçit, Veseli, Selimi dhe Krasniqi fillimin e gjykimit po e presin të paraburgosur në Qendrat e Paraburgimit në Hagë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Nëntor, 2021 23:57

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare