Back to homepage

Udhëzime për raportim etik të mediave online

Udhëzime për raportim etik të mediave online

(Zbatimi i Kodit të Gazetarëve në sferën online)

Kodi i Gazetarëve u referohet të gjithë gazetarëve dhe i njejti zbatohet mbi të gjitha mediat. Megjithatë,
në mënyrë që të zbatohet më mirë dhe në mënyrë më efikase ky Kod në sferën online, është e nevojshme
të sigurohen interpretime dhe udhëzime përkatëse për gazetarët që punojnë në mediat online. Me online
media, në këto Udhëzime, nënkuptohen të gjitha publikimet elektronike që kanë ueb faqe të posaçme në
internet dhe që publikojnë përmbajtje gazetareske të redaktuara aktuale-informative, të dedikuara për
publikun e përgjithshëm.

Nevoja për të hartuar këto Udhëzime lindi nga fakti se zhvillimi i teknologjive të reja të informacionit
dhe komunikimit si dhe i mediave online ndryshoi mënyrën aktuale të krijimit dhe shpërndarjes së
informacionit dhe paraqiti sfida të reja për gazetarët profesionistë lidhur me mënyrën se si përpunojnë
dhe plasojnë tema të ndryshme gjatë raportimit gazetaresk.

Këto Udhëzime paraqesin udhëzime profesionale për redaktorët, gazetarët dhe të gjithë krijuesit e tjerë të
përmbajtjeve, të cilët punojnë në mediat online, në mënyrë që të ndihmojnë në zhvillimin e sistemit të
fuqishëm dhe kredibil të vetë-rregullimit, si dhe përforcimin e raportimit të pavarur, profesional dhe të
përgjegjshëm gazetaresk në sferën online.

Udhëzimet do të zbatohen mbi të gjithë anëtarët e Këshillit të Etikës në Media (KEMM), si dhe të gjitha
mediat online për të cilat paraqiten ankesa deri te KEMM. Kjo do të thotë që, gjatë shqyrtimit të
ankesave, Komisioni i Ankesave pranë KEMM-së, përveç dispozitave të Kodit të Gazetarëve dhe kodeve
të shoqatave ndërkombëtare të gazetarëve, do të marrë parasysh edhe këto Udhëzime. Udhëzimet
zbatohen gjithashtu për të gjitha informacionet dhe përmbajtjet që mediat online i plasojnë në rrjetet
sociale ose platforma tjera në Internet.

Pjesa e parë e Udhëzimeve jep shpjegime për zbatimin e dispozitave të Kodit të Gazetarëve, ndërsa në
pjesën e dytë shtohen dispozita të veçanta që u dedikohen vetëm mediave online.

Dispozitat e Kodit të Gazetarëve

PARIMET E SJELLJES:

Liria e medies është një e drejtë e patjetërsueshme.Detyra kryesore e gazetarëve është të respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut të informohet në përputhje me nenin 16 të Kushtetutës sonë.

Gazetarët kanë rol të përcjellin informacione, ide dhe mendime dhe të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informacioneve, gazetarët do të jenë të sinqertë, objektivë dhe të saktë.

E drejtë dhe detyrë e gazetarëve është të përpiqen të parandalojnë censurimin dhe shtrembërimin e lajmeve.

Duke ndjekur rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe shoqërisë civile, gazetarët do të mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë, do të respektojnë pluralizmin e ideve dhe qëndrimeve, si dhe do të kontribuojnë në forcimin e sundimit të shtetit të së drejtës dhe në kontrollin e qeverisë dhe subjekteve tjera nga jeta publike.

Udhëzime për zbatimin e parimeve të sjelljes

  1. Mediat online do të respektojnë të drejtën e qytetarëve të fitojnë informacion në kohë, të verifikuar, të saktë dhe objektiv për tema me rëndësi publike dhe nuk do të lejojnë shtrembërimin e lajmeve dhe manipulimin e informacioneve dhe të të dhënave.
  2. Mediat online, gjatë grumbullimit të informacioneve, dokumenteve dhe fotografive, do të përdorin vetëm mjete dhe metoda të lejuara, ndërsa nuk do të shërbehen me shantazhe, kërcënime ose ngacmime ndaj personave për të cilët raportojnë.
  3. Duke pasur parasysh veçorinë e online gazetarisë dhe nevojën reale për publikim të shpejtë të informacionit, online mediat megjithatë do të kujdesen vazhdimisht të mos shkelin parimin themelor të informimit të saktë dhe objektiv.
  4. Media online obligohet të emërojë redaktor, i cili do të jetë përgjegjës për çdo përmbajtje të publikuar në median online. Kjo gjithashtu nënkupton përgjegjësi për përmbajtjet e huazuara nga media ose platforma të tjera.
  5. Redaktorët e mediave online do të sigurojnë që të gjithë anëtarët e redaksive të tyre të jenë të
    njohtuar me përmbajtjen e këtyre Udhëzimeve dhe t’i respektojnë ato gjatë punës së tyre.

Neni 1
Gazetari ka të drejtë të ketë qasje të lirë në të gjitha burimet e informacionit që janë me interes publik. Gazetari duhet të publikojë informacione të sakta, të verifikuara dhe të mos fshehë të dhëna thelbësore, ose të falsifikojë dokumente.

Nëse informacioni nuk mund të konfirmohet, ose bëhet fjalë për supozim përkatësisht spekulim, kjo duhet thënë dhe publikuar. Saktësia e informacionit duhet të kontrollohet sa të jetë e mundur.

Udhëzime për zbatimin e nenit 1 të Kodit:

1.1.Mediat online do të raportojnë vetëm në bazë të fakteve, origjina e të cilave është e njohur për gazetarin, duke cituar burime të ndryshme informacioni dhe, në parim, duke u mbështetur në burime të identifikuara qartë dhe të besueshme.
1.2.Mediat online nuk do të fshehin ose heshtin informacione të rëndësishme, publikimi i të cilave mund të ndikojë në interpretimin ose kuptimin e përmbajtjes së lajmit nga lexuesit. Heshtja e fakteve që mund të ndikojnë ndjeshëm në formimin e një qëndrimi rreth një ngjarjeje apo personi është e barabartë me deformimin e qëllimshëm të realitetit dhe krijimin e dezinformimit.
1.3.Mediat online nuk do të publikojnë tekste, fotografi ose përmbajtje të pasakta, të njëanshme ose në formë manipuluese, nëpërmjet të cilave lexuesit qëllimisht vihen në huti. Fotomontazhet, fotografitë e përpunuara ose ndërhyrjet tjera në dokumente autentike duhet të dallohen qartë nga origjinali dhe të shënohen si të tilla me tekst përkatës.
1.4.Mediat online nuk do të publikojnë akuza të pabazuara, shpifje, thashetheme, intervista të sajuara, korrespondencë anonime dhe informacione tjera besueshmëria e të cilave nuk mund të vlerësohet.
1.5.Mediat online gjithmonë do të mundohen të citojnë burimin e informacionit duke iu referuar konkretisht dhe saktësisht atij burimi.
1.6.Gjatë përdorimit të informacioneve të siguruara nga rrjetet sociale, nga ueb faqet, blogjet ose nga burimet tjera në internet, mediat online do të kontrollojnë me kujdes besueshmërinë dhe kredibilitetin e tyre.
1.7.Mediat online nuk do të bëjnë ndryshime në informacionin tanimë të publikuar në një mënyrë që ndryshon kuptimin, kontekstin ose paraqitjen e tij burimor. Modifikimi i përmbajtjes së publikuar është i pranueshëm vetëm me shënim duke cekur arsyen dhe kohën kur është bërë një ndryshim i tillë.

Neni 2
Nëse gazetari pengohet të ketë qasje në informacionin e kërkuar, ai ka të drejtë të informojë publikun

Udhëzime për zbatimin e nenit 2 të Kodit:
2.1.Mediat online, gjatë raportimit gjithmonë duhet të përpiqen të dëgjojnë dhe përfaqësojnë të gjitha palët kundërshtare. Kur njëra palë refuzon të japë deklaratë, duhet cekur gjatë raportimit, me çka publiku informohet se disa institucione, bartës të funksioneve publike ose politikanë nuk janë transparent, përkatësisht në këtë mënyrë kuptohet arsyeja pse gjatë raportit mungon një këndvështrim i caktuar.
2.2.Mediat online nuk do të fshehin ose heshtin informacione të rëndësishme, publikimi i të cilave mund të ndikojë në interpretimin ose kuptimin e përmbajtjes së lajmit nga lexuesit. Heshtja e fakteve të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në formimin e një qëndrimi rreth një ngjarjeje apo personi është e barabartë me deformimin e qëllimshëm të realitetit dhe krijimin e dezinformimit.

Neni 3
Gazetari do të përpiqet të sigurojë publikimin e korrigjimit, përgënjeshtrimit dhe përgjigjes në rast kur konstatohet pasaktësia e informacionit.

Udhëzime për zbatimin e nenit 3 të Kodit:
3.1.Mediat online janë të detyruara të korrigjojnë me kohë çdo informacion të botuar që konstatohet se është i pasaktë, ose të plotësojnë informacionin që është i paplotë. Kjo në veçanti vlen për informacionet që mund të shkaktojnë dëm material, apo të dëmtojnë reputacionin e dikujt.

3.2.Përgjigjja ose korrigjimi do të publikohen në një vend të dukshëm, me një shënim të theksuar në mënyrë përkatëse se bëhet fjalë për përgjigje ose korrigjim të informacionit të publikuar më parë. Gjatësia e përgjigjes duhet të jetë e përshtatshme me tekstin e botuar burimor.

Në përgjigjen ose korrigjimin e botuar, menjëherë pranë titullit, do të shënohet edhe lidhja (linku) deri te teksti të cilit i referohet përgjigja, përkatësisht korrigjimi.

Neni 4
Gazetari do të emërojë burimin e informacioneve, por nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë atë.

Udhëzime për zbatimin e nenit 4 të Kodit:
4.1.Mediat online kanë të drejtë dhe detyrim të mbrojnë identitetin e burimeve konfidenciale të informacioneve.
4.2.Në mënyrë që të sigurohet se burimi nuk zbulon informacione për shkak të interesit vetjak, lakmisë hakmarrjes ose keqinterpretimit të qëllimshëm, mediat online do të pranojnë kërkesën e burimit për konfidencialitet vetëm nëse për këtë ekziston arsye serioze apo interes i lartë publik. Nëse redaksia vendos që informacioni duhet të publikohet, ai duhet të theksojë në vetë tekstin se informacioni është verifikuar nga një ose më tepër burime të besueshme, kredibile.
4.3. Mediat online nuk do të abuzojnë dispozitën për mbrojtjen e burimeve konfidenciale dhe nuk do t’iu referohen ‘burimeve anonime’ inekzistente, me qëllim manipulimin e informacionit ose plasimin e informacioneve të rremë dhe të sajuar me të cilat publiku do të vihet në huti.

Neni 5
Gazetari do të respektojë ligjet e shtetit, por nuk do të publikojë ose fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik.

Udhëzime për zbatimin e nenit 5 të Kodit:
5.1.Mediat online do të raportojnë saktë, në mënyrë objektive dhe të plotë, si dhe në kohën e duhur për ngjarjet me interes publik, duke respektuar të drejtën e publikut të kuptojë të vërtetën. 5.2.Mediat online do të respektojnë dhe mbrojnë të drejtat individuale të individëve, përveç në situata të jashtëzakonshme kur interesi publik mbizotëron mbi të drejtat individuale (e drejta e privatësisë, e drejta e reputacionit dhe dinjitetit, etj.).
5.3.Para se të vendosë të publikojë përmbajtjen, gazetari/ja duhet të kontrollojë me kujdes nëse është vërtet me interes publik. Kjo në veçanti vlen për temat që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar ose abuzimin e pushtetit nga zyrtarët publikë, kur gazetari/ja është në dilemë nëse duhet të publikojë informacione që janë në interes të publikut, por me të cilin informacion mund të cenojë të drejtën e privatësisë, të drejtën për reputacion, ose të shkelë dispozita tjera ligjore.

5.4.Redaktorët dhe gazetarët në mediat online do të udhëhiqen nga interesi publik dhe nuk do të lejojnë që interesat private dhe të biznesit të palëve të treta, përfshi interesat e pronarëve, të ndikojnë në punën e tyre dhe përmbajtjet editoriale.

Neni 6
Gazetari/ja nuk duhet të përdorë median për të publikuar ose fshehur informacione për përfitime personale. Ryshfeti, korrupsioni dhe zhvatja nuk korrespondojnë me profesionin e gazetarit. Reklamimi dhe motivet tjera komerciale nuk duhen lejuar të ndikojnë mbi lirinë e informimit. Duhet të ketë një dallim midis reklamimit dhe tekstit gazetaresk me ilustrim

Udhëzime për zbatimin e nenit 6 të Kodit:
6.1.Gazetarët që punojnë në media online nën asnjë rrethanë nuk do të pranojnë dhurata ose shërbime që do të ndikonin në profesionalizmin e tyre gjatë punës.
6.2.Gazetarët e mediave online nuk do të prodhojnë dhe / ose nënshkruajnë artikuj që paraqesin reklamim komercial ose politik.
6.3.Reklamat komerciale dhe politike, si dhe tekstet e sponsorizuara do të ndahen dukshëm nga përmbajtja editoriale dhe do të shënohen si të tilla me termat e duhur (hapësira e paguar, përmbajtja e sponsorizuar, reklamimi politik, komercial, etj.).

6.4.Tekstet e sponsorizuara duhet të tregojnë qartë burimin e sponsorizimit.

Neni 7
Gazetari do të respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i detyruar të respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal.

Udhëzime për zbatimin e nenit 7 të Kodit:
7.1.Mediat online do të shmangin ndërhyrjen në jetën private të individëve nëse nuk është çështje me interes publik dhe do të vështrojnë me shumë kujdes arsyet e zbulimit të informacionit nga jeta private e dikujt përpara se të vendosin të përpunojnë temën. Duke vepruar kështu, gjithmonë do të kenë parasysh se interesi publik është parësor, dhe jo kureshtja e audiencës së tyre.
7.2.Kur bëhet fjalë për raportimin mbi sjelljen e bartësve të funksioneve publike, politikanëve ose figurave tjera publike, informacioni për jetën e tyre private do të publikohet vetëm nëse është në interes të publikut dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me temën për të cilën raportohet. Gjatë raportimit nuk do të përmenden emrat e anëtarëve të familjes së tyre, përveç nëse janë të lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen për të cilën raportohet. Gjatë raportimit nuk do të publikohen të dhëna personale dhe informacione që mund të cenojnë privatësinë e fëmijëve.
7.1.Temat që lidhen me tragjeditë personale do të trajtohen gjithmonë me kujdes, ndërkaq personave të prekur nga tragjedia duhet t’iu qaseni me kujdes dhe diskrecion. Asnjë emër ose fotografi e viktimave nuk do të publikohet kur raportohet për aksidente, vepra penale, vetëvrasje ose dhunë në familje. Nuk do të publikohen as të dhëna nga të cilat në mënyrë indirekte do të mund të zbulohet identiteti i viktimës ose i autorit të krimit, para se të shpallet zyrtarisht nga institucionet kompetente. Emrat dhe fotografitë e personave të zhdukur do të publikohen vetëm me lejen e të afërmve ose autoriteteve kompetente të përfshira në kërkimin e personit të zhdukur.
7.2.Kur raportojnë për vetëvrasje, mediat online duhet të jenë shumë të kujdesshme, duke vlerësuar nëse informacioni për ngjarjen është në interes të publikut dhe duke shmangur publikimin e emrave, fotografive dhe përshkrimeve të hollësishme të rrethanave nën të cilat ndodhi ngjarja. Mediat duhet të kenë parasysh se grupet e cenueshme të qytetarëve mund të ndikohen fuqimisht nga raportimet mediatike lidhur me vetëvrasjet, dhe si rezultat mund të tentojnë të përsëritin të njejtën vepër duke kryer vetëvrasje , veçanërisht nëse media përshkruan krimin në detaje, në
mënyrë sensacionale dhe eksplicite.
7.3.Në raportimin mbi viktimat e përdhunimit ose viktimat e dhunës seksuale, identiteti i personave nuk do të zbulohet pa pëlqimin e viktimës, ndërsa në rastin e fëmijëve – pa lejen e prindërve ose kujdestarëve dhe vetë fëmijës (duke marrë parasysh moshën e fëmijës), nëse ekziston interes publik dhe është në interesin më të mirë të fëmijës. Media online do të mundësojë tërheqjen e pëlqimit në çdo kohë, nëse kjo kërkohet nga prindi ose kujdestari.
7.4.Mediat online nuk do të raportojnë për gjendjen shëndetësore të ndonjë personi (me aftësi të kufizuar fizike ose mendore) pa pëlqimin e personit ose prindit / kujdestarit. Redaksia e mediave online do të vlerësojë me kujdes nëse publikimi i të dhënave për gjendjen shëndetësore të ndonjë individi është çështje me interes publik.
7.5.Mediat online nuk do të publikojnë të dhëna private, statuse, video incizime, fotografi private dhe postime tjera personale në rrjetet sociale pa pëlqimin e autorit, përveç nëse statusi i postit konkret shënohet si ‘publik’. Përjashtime nga ky rregull janë rastet kur interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë dhe kur kjo është e nevojshme për qëllimin dhe temën e raportimit. Në ato raste, redaksia do të peshojë me kujdes atë që është me interes publik dhe deri në çfarë mase arsyeton hyrjen në të drejtën e privatësisë së individit.
7.6.Nëse në kuadër të të dhënave private dhe njoftimeve për një person përfshihen gjithashtu të dhëna private dhe të dhëna të personave të tjerë, mediat online do t’i fshijnë ose përjashtojnë ato të dhëna për të mbrojtur privatësinë e personave të tjerë, përveç nëse në këtë rast interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë.
7.7.Mediat online nuk do të transmetojnë informacion lidhur me sjelljen, korrespondencën dhe bisedat në lidhje me jetën private të individëve, përveç nëse interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë së personit.
7.8.Mediat online nuk do të publikojnë fotografi të njerëzve nga ngjarje private pa pëlqimin e tyre, përveç nëse është në interes të publikut. Gjatë publikimit të fotografive të bëra në vende publike, mediat online do të jenë të kujdesshme të mos cenojnë privatësinë e njerëzve që ndodhen rastësisht në vendin e fotografuar. Mediat online, para se të vendosin të publikojnë fotografi nga jeta private e bartësve të funksioneve publike, do të vlerësojnë me kujdes nëse ekziston interes publik që justifikon shkeljen e privatësisë së bartësit të funksionit publik.

Neni 8
Mënyra e informimit në rastet e aksidenteve, fatkeqësive natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, çështjeve gjyqësore duhet të jetë i lirë nga sensacionalizmi. Në procedurat gjyqësore duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe duhet të raportohet për të gjitha palët e involvuara në mosmarrëveshja, pa sugjeruar aktvendimin gjyqësor.

Udhëzime për zbatimin e nenit 8 të Kodit:
(Aksidente, katastrofa natyrore, konflikte, terrorizëm)
8.1.Gjatë raportimit për aksidente, katastrofa natyrore, epidemi, ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm, mediat online do të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme për të shmangur publikimin e titujve sensacional dhe informacioneve të pa verifikuara, duke u kujdesur që të mos krijohen shqetësime plotësuese dhe panik në publik.
8.2.Mediat online do të jetë veçanërisht të kujdesshme kur publikojnë pamje të dhunës, brutalitetit ose vuajtjes, ndërsa prioritet do të jetë mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe atyre që preken në çfarëdo mënyre nga ngjarjet.
8.3.Mediat online do të shmangin përdorimin e shprehjeve tepër emocionale me të cilat në mënyrë plotësuese mund të lëndohen ose shqetësohen viktimat, dhe të cilat theksojnë tepër ndjeshmërinë e tyre ose cenojnë dinjitetin e tyre njerëzor.
8.4.Mediat online do të shmangin fokusimin në vuajtjet dhe frikën e vetëm njërës palë të konfliktit, pasi kjo mund të ndajë palët në ‘sulmues’ dhe ‘viktima’, duke sugjeruar që ndëshkimi i ‘sulmuesve’ është zgjidhje për konfliktin. Në vend të kësaj, ata duhet të tentojnë të prezantojnë vuajtjet, frikën dhe ankesat e të gjitha palëve në konflikt.
8.5.Gjatë publikimit të intervistave ose deklaratave të autorëve të dhunës dhe veprave penale, mediat online duhet të kujdesen që të mos vendosen në pozicion të promovojnë idetë e tyre, në këtë mënyrë duke inkurajuar njerëzit të kryejnë krime ose të përhapin gjuhë të urrejtjes. Mediat online duhet të kenë parasysh se intervistimi i autorëve mund të jetë i dhimbshëm për viktimat dhe familjet e tyre.
8.6.Mediat online do të rishikojnë me kujdes informacionin dhe fotografitë lidhur me konfliktet dhe dhunën, të publikuara në rrjetet sociale dhe platforma tjera. Duke vepruar kështu, do të përmbahen nga publikimi i përmbajtjes që paraqet krim ose dhunë tjetër, përveç nëse është veçanërisht e rëndësishme për interesin publik. Në atë rast, do të publikojnë paralajmërim se përmbajtja e mëposhtme mund të shqetësojë audiencën.
8.7.Bisedat me dëshmitarët e aksidenteve dhe fatkeqësive, me njerëzit e plagosur dhe të sëmurë, mediat online do t’i realizojnë me vëmendje, dhembshuri dhe mirëkuptim të plotë të gjendjes fizike dhe emocionale të atyre njerëzve.
(raportimi nga procedurat gjyqësore)
8.8.Në raportimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, mediat online do t’i referohen informacionit nga institucionet zyrtare hetimore dhe gjyqësore, pa një qasje sensacionaliste ndaj informacionit. Gjatë kësaj, ata do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë termave që përdorin lidhur me statusin e personave në procedurat për të cilat raportojnë, në mënyrë që të mos shkelin të drejtën e tyre për prezumimin e pafajësisë.
8.9.Identiteti i personave të dyshuar para se të merret aktvendim gjyqësor përfundimtar, mund të publikohet nëse: a) i dyshuari ushtron funksion publik, b) kur bëhet fjalë për person i cili është i njohur për publikun, ndërsa ekziston lidhje ndërmjet veprës për të cilën ekziston proces gjyqësor dhe aktivitetit për të cilin personi është i njohur në publik, c) kur vetë i dyshuari ka rënë dakord që t’i publikohet identiteti, dhe d) në rrethana kur interesi publik justifikon zbulimin e identitetit të personit në fjalë.
8.10.Mediat online nuk do të raportojnë me paragjykime dhe nuk do të sjellin gjykime të nxituara për fajësinë e personave të dyshuar, dhe as nuk do të paragjykojnë rezultatin e procedurave gjyqësore, në mënyrë që të mos ndikojnë mbi autoritetet gjyqësore dhe rrjedhën e procedurave.
8.11.Mediat online përgjithësisht do të shmangin fotografimin ose përmendjen e emrave të dëshmitarëve në proceset gjyqësore për vepra penale, si dhe të të afërmëve dhe miqve të tyre, përveç nëse referimi i tyre është i nevojshëm për të raportuar në mënyrë të plotë, të drejtë dhe të saktë për procesin gjyqësor konkret, si dhe nëse kjo nuk do të ndikojë në zhvillimin e procedurës gjyqësore. Në raportimin për proceset gjyqësore për të mitur, mediat online janë të detyruar të kujdesen për mbrojtjen e identitetit të tyre.
8.12.Mediat online do të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur raportojnë për dëshmitarët e veprave penale, të cilëve në bazë të ligjit u është dhënë statusi dëshmitar i mbrojtur.
8.13. Mediat online gjithashtu janë të detyruara të publikojnë informacionin për refuzimin e akuzës ose për lirimin e personave për të cilët më parë kanë njoftuar se janë të dyshuar, të akuzuar, ose kundër të cilëve është zhvilluar një procedurë gjyqësore.

Neni 9
Gazetari nuk lejohet të intervistojë ose fotografojë fëmijë nën 16 vjeç1 pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve, përveç nëse kjo është në përputhje me të drejtat e fëmijës. E njëjta gjë vlen edhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët nuk janë në gjendje të arsyetojnë me vetëdije.

Udhëzime për zbatimin e nenit 9 të Kodit:
9.1.Мediat online do të jenë shumë të kujdesshme kur raportojnë për fëmijë dhe të mitur, duke respektuar dispozitat e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Në raportimin e tyre, mediat online do të mbrojë interesat më të mira të fëmijëve, përfshi avokimin për çështjet e fëmijëve dhe promovimin e të drejtave të tyre.
9.2.Mediat online nuk do të zbulojnë informacione nga të cilat mund të zbardhet identiteti i fëmijës në asnjë mënyrë (si p.sh. për familjen, vendbanimin, shkollën, etj.), me qëllim që të mos rrezikohen ose të ekspozohen në rrezik.
9.3.Mediat online nuk mund të intervistojnë ose fotografojnë fëmijë dhe të mitur nën moshën 18 vjeç pa pëlqimin ose praninë e prindit ose kujdestarit. Pëlqimi duhet të merret në rrethana që sigurojnë se fëmija dhe kujdestari në asnjë mënyrë nuk janë të detyruar dhe se vendimi i pëlqimit është marrë në konsultim me një të rritur të cilit fëmija i beson. Në përpjekjen për të raportuar mbi tema lidhur me fëmijën, mediat online do të këshillohen me ata që janë më të
afërt dhe më të njohur me situatën e tyre, të cilët mund të vlerësojnë më së miri efektet e pasojave politike, sociale dhe kulturore të çdo raportimi mbi fëmijët.

1Kufiri i moshës i vendosur në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve është 18 vjeç. Konventa është në dispozicion në:
https://www.unicef.org/northmacedonia/mk/%D0%B8%D0%B7%D0%B2%D0%B5%D1%88%D1%82%D0%B0%D0%
B8/%D0%BA%D0%BE%D0%BD%D0%B2%D0%B5%D0%BD%D1%86%D0%B8%D1%98%D0%B0-%D0%B7%D0%B0-
%D0%BF%D1%80%D0%B0%D0%B2%D0%B0%D1%82%D0%B0-%D0%BD%D0%B0-
%D0%B4%D0%B5%D1%82%D0%B5%D1%82%D0%BE

9.4.Gazetarët në mediat online nuk do të identifikojnë të miturit nën moshën 18 vjeç në rastet kur ata janë në ndonjë mënyrë të përfshirë në procedurat penale si dëshmitarë, viktima, të pandehur ose autorë.

Neni 10
Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë me vetëdije informacione që rrezikojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim mbi asnjë bazë (orientim kombëtar, fetar, racor, gjinor, shoqëror, gjuhësor, seksual, politik…).

Udhëzime për zbatimin e nenit 10 të Kodit:
10.1.Duke pasur parasysh rrezikun për individët, grupet ose shoqërinë në tërësi, mediat online asnjëherë nuk do të nxisin urrejtje ose mostolerancë bazuar në racën, ngjyrën e lëkurës, origjinën, përkatësinë kombëtare ose etnike, gjininë, seksin, orientimin seksual, identitetin gjinor, përkatësinë në grup të margjinalizuar, si dhe bazuar në gjuhën, origjinën shoqërore, arsimin, fenë ose besimin, bindjen politike apo bindje tjetër, aftësinë e kufizuar, moshën,
statusin familjar ose martesor, statusin pronësor, gjendjen shëndetësore, statusin personal dhe statusin shoqëror, ose ndonjë bazë tjetër.
10.2.Gjatë raportimit për problemet e grupeve dhe komuniteteve të ndryshme në shoqëri, mediat online do kenë qasje me shumë kujdes, do të përdorin terminologji të saktë dhe të standardizuar dhe nuk do të përdorin komente fyese ose shprehje me të cilat në mënyrë të pavetëdijshme do të krijojnë ose forcojnë stereotipet për ta.
10.3.Mediat online do të përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin për pasojat negative të gjuhës së urrejtjes, do të identifikojnë dhe ekspozojnë një fjalor të tillë, si dhe do të shfaqin aktorët që prodhojnë dhe e përdorin atë. Mediat online do të krijojnë përmbajtje me të cilat do të kundërshtojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin mbi baza të ndryshme.
10.4.Mediat online janë përgjegjëse për rishikimin dhe heqjen e shpejtë të komenteve të përdoruesve që publikohen nën storiet gazetareske në ueb faqet ose rrjetet sociale, të cilat përmbajnë gjuhë urrejtjeje dhe kanë potencialin të shkaktojnë pasoja të dëmshme në shoqëri.
10.5.Në raste të jashtëzakonshme të gjuhës ekstreme të urrejtjes nga individë ose grupe, obligim i medias online është të kritikojë publikisht qëndrimet e tyre, duke theksuar pasojat e dëmshme për komunitetin e gjerë dhe grupet ndaj të cilëve ato janë adresuar.

Neni 11
Gazetari do t’i përmbahet standardeve përgjithësisht të pranuara shoqërore të mirësjelljes dhe respektit të larmisë etnike, kulturore dhe fetare.

Udhëzime për zbatimin e nenit 11 të Kodit:
11.1 Mediat online do të insistojnë të rrisin ndërgjegjësimin për barazinë e të gjithë individëve ose grupeve në shoqëri, si dhe të theksojnë nevojën për të respektuar diversitetin si pjesë integrale e të drejtave të njeriut. Gjatë raportimit, ata do të përpiqen të arrijnë një ekuilibër në trajtimin dhe prezantimin e përvojave, qëndrimeve dhe nevojave të individëve dhe komuniteteve të ndryshme.
11.2 Mediat online nuk duhet të barazojnë aktivitetet, qëndrimet ose veprimet e individëve që i përkasin një grupi të caktuar me të gjithë grupin. Ata nuk duhet të theksojnë karakteristikat që lidhen me përkatësinë në grupe të ndryshme (të tilla si përkatësia etnike, raca, feja, prejardhja kulturore, orientimi seksual, shëndeti mendor ose fizik, etj.), përveç në rastet kur ndërlidhet drejtpërdrejt me ngjarje për të cilat raportohet.
11.3 Për të realizuar raportim gjithëpërfshirës, mediat online duhet të përpiqen të diversifikojnë burimet, përkatësisht të mbulojnë një gamë të gjerë çështjesh dhe temash në lidhje me diversitetin në shoqëri.

Neni 12
Plagjiatura është e papranueshme. Citimet nuk duhet të përdoren pa theksuar burimin ose autorin.

Udhëzime për zbatimin e nenit 12 të Kodit:
12.1 Tekstet dhe përmbajtjet tjera të botuara në mediat online duhet të nënshkruhe nga gazetar ose autor tjetër.
12.2 Gazetarët në mediat online nuk do të nënshkruajnë tekste, fotografi, ilustrime, video dhe regjistrime audio të autorëve dhe mediave të tjera sikur të jenë të tyret. Para se të përdorin lajme ose fragmente nga mediat tjera, ata do të konsultohen me rregullat për përdorimin e përmbajtjes mediatike të medias që i ka prodhuar ato, nëse media në fjalë ka miratuar dhe publikuar rregulla të tilla. Çdo përmbajtje e shkarkuar nga një burim tjetër duhet të shënohet në
mënyrën përkatëse.
12.3 Mediat online do të publikojnë pjesë të shkurtra nga vepra autoriale në kuadër të raporteve të tyre vetëm me shënim të qartë se bëhet fjalë për citat, duke përmendur emrin e autorit, median që ka botuar veprën autoriale konkrete dhe, nëse është e mundur, lidhje/ link që çon në veprën e publikuar.
12.4 Mediat online, nëse nuk kanë, do të bëjnë rregullat e tyre të cilat do të përcaktojnë mënyrën dhe qëllimin e shkarkimit dhe përdorimit të përmbajtjes nga media dhe autorë tjerë, të tilla si: mënyra e shënimit të burimit nga ku transmetohet përmbajtja, mënyra e citimit të fragmenteve nga teksti autorial origjinal, mënyra e redaktimit të të drejtave për përdorim të plotë të teksteve të huaja autoriale, etj.
12.5 Fotografitë e publikuara në mediat online do të nënshkruhen me emrin dhe mbiemrin e autorit, medias ose burimit ku është botuar fotografia origjinale. Nëse fotografia mbrohet si e drejtë e autorit, media online duhet të kërkojë leje nga autori për ta ribotuar atë.

Neni 13
Gazetari duhet të bëjë dallimin midis fakteve dhe mendimeve, midis lajmeve dhe komenteve.

Udhëzime për zbatimin e nenit 13 të Kodit:
13.1.Media online do të veçojë dhe shënojë qartë komentet nga përmbajtja tjetër gazetareske.

13.2.Media online, gjatë transmetimit të pretendimeve të subjekteve politike ose burimeve tjera, do të përpiqet kurdo që të jetë e mundur të verifikojë ato pretendime, përkatësisht mos jetë vetëm transmetues i ‘fakteve të shërbyera’ nga dikush tjetër. Në këtë mënyrë, media online do t’i mundësojë audiencës të bëjë dallimin midis fakteve dhe spekulimeve ose keqinformimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje dhe tema të rëndësishme dhe aktuale.
13.3.Media online, gjatë raportimit për secilën temë ose çështje, do të përpiqet të kontribuojë për kuptimin më të mirë të saj, përmes shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe lidhjes së tyre të duhur, në mënyrë që të paraqitet konteksti i plotë dhe këndvështrimet e ndryshme të temës.

Neni 14
Raportimi mbi proceset politike, veçanërisht zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i ekuilibruar. Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Udhëzime për zbatimin e nenit 14 të Kodit:
14.1.Gjatë informimit për proceset politike dhe fushatat zgjedhore, mediat online do të raportojnë për të gjitha subjektet politike me informacion të saktë dhe të verifikuar dhe në një mënyrë të paanshme.
14.2.Gjatë raportimit për akuza të ndërsjella të subjekteve politike në fushatë, mediat online duhet të informojnë në mënyrë të paanshme dhe objektive dhe duhet të shmangin përdorimin e retorikës dhe akuzave nxitëse. Gjatë çdo raportimi të tillë, mediat online do të përpiqen të deklarojnë mendimin e palës tjetër, dhe kur kjo nuk është e mundur objektivisht (raportim i drejtpërdrejtë, konferencë shtypi, etj.) do të theksojnë gjatë raportimit se përgjigja e palës tjetër do të sigurohet në mënyrë plotësuese.
14.3.Nëse mediat online publikojnë rezultate nga hulumtimi i opinionit publik, këtë duhet ta bëjnë në mënyrë objektive dhe korrekte, përmes publikimit të të gjitha informacioneve të nevojshme që do t’i mundësojë publikut të fitojë pamje objektive të rezultateve të parashikuara të zgjedhjeve si: madhësia ose përfaqësimi i ekzemplarit, kufiri i gabimit, periudha e zbatimit dhe porositësi i anketës.

Neni 15
Gazetari duhet të kultivojë kulturë të fjalës dhe etikës. Komunikimi i pahijshëm me publikun nuk mund të lidhet me profesionin gazetaresk.

Udhëzime për zbatimin e nenit 15 të Kodit:
15.1.Gazetarët në mediat online do të shmangin përdorimin e gjuhës së pahijshme ose vulgare (sharje, fjalë fyese, shprehje nënçmuese) në përmbajtjet e tyre gazetareske. Përdorimi i gjuhës vulgare ose të pahijshme duhet të justifikohet nga aspekti editorial për sa i përket interesit publik dhe pritjeve të audiencës, pavarësisht nga zhanri gazetaresk në të cilin përdoret.
15.2.Media online do të ketë parasysh se përdorimi i gjuhës vulgare ose të pahijshme mund të shqetësojë ose ofendojë segmente të caktuara të audiencës. Në rastet kur media online ka vendosur të përdorë ose transmetojë një gjuhë të tillë, atëherë duhet të paralajmërojë në mënyrë të përshtatshme audiencën.

Neni 16
Gazetari do të ruajë reputacionin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të inkurajojë solidaritetin e ndërsjellë dhe larminë e pikëpamjeve dhe nuk do të përdorë median për ballafaqim me personalitete, përfshi kolegët e vet.

Udhëzime për zbatimin e nenit 16 të Kodit:
16.1.Gazetarët, reporterët dhe persona tjerë të angazhuar në mediat online nuk do të përfshihen në aktivitete të cilat në çfarë do lloj mënyrë mund të rrezikojnë besueshmërinë e profesionit të gazetarit dhe medias në të cilën ata punojnë.
16.2.Mediat online do të përpiqen vazhdimisht të sigurojnë pavarësinë dhe integritetin në punën e tyre, duke respektuar të drejtën e gazetarëve që të përmbahen nga puna kundër bindjeve të tyre, si dhe të drejtën të marrin pjesë në vendimmarrje mbi politikën editoriale të medias në të cilën ata janë të punësuar ose të angazhuar.
16.3.Redaktorët në mediat online do të mbrojnë gazetarët dhe do të kundërshtojnë çdo përpjekje për censurë ose presion që mund të rrezikojë zhvillimin e lirë të punës gazetareske.
16.4.Gazetarët në mediat online do të ndjekin politikën editoriale të medias në të cilën punojnë dhe do të marrin pjesë në krijimin, realizimin dhe vlerësimin e saj.
16.5.Mediat online do të inkurajojnë dhe do të kujdesen për marrëdhëniet dhe respektin e ndërsjellë midis kolegëve në mediat tjera dhe do të përmbahen nga shprehja ose publikimi i përmbajtjeve që i fyen ose dëmton ata.

Neni 17
Gazetari ka të drejtë të refuzojë detyrë pune nëse është në kundërshtim me parimet e këtij Kodi.

Udhëzime për zbatimin e nenit 17 të Kodit:
17.1.Nëse gazetari/ја që punon në media online urdhërohet të kryejë një detyrë ose të shkruajë një tekst që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Gazetarëve, ai/ајо ka të drejtë të refuzojë detyrën, duke iu referuar Kodit dhe këtyre Udhëzimeve.

I. Udhëzime shtesë për raportimin e mediave online

Neni 18 – Arkivimi dhe regjistrimi i përhershëm i përmbajtjeve të publikuara
18.1 Mediat online do t’i ruajnë dhe arkivojnë rregullisht tekstet e publikuara dhe përmbajtjet tjera në faqen e tyre të internetit, përkatësisht do t’i bëjnë ato të disponueshme përmes kërkimeve.
18.2 Gjatë ribotimit të materialeve arkivore, mediat online duhet të marrin parasysh kontekstin e ndryshuar në të cilin materiali publikohet dhe gjatë kësaj të shënohet se bëhet fjalë për material arkivor.
18.3 Media online do të fshijë përgjithmonë disa materiale nga arkivi, të disponueshme përmes kërkuesve nëse bëhet fjalë për tekst që përmban gjuhë të urrejtjes, diskriminim ose përmbajtje tjetër që nuk lejohet me ligj dhe / ose nëse për këtë ekziston urdhër gjyqësor.
18.4 Në rast të fshirjes së përhershme të përmbajtjes nga arkivi, media online është e detyruar të vendosë njoftim në linkun ku është vendosur përmbajtja e fshirë duke theksuar se e njëjta është hequr, duke përmendur arsyen, titullin, datën e publikimit, emrin e autorit dhe datën e heqjes, përkatësisht fshirjes.
18.5 Media online do të ruajë në arkivin e vet të brendshëm përmbajtjet e fshira ose të tërhequra, si dhe informacionet tjera të rëndësishme lidhur me rastin konkret.

Neni 19 – Transparenca e medias online – Impresum

18.6 Media online është e detyruar të publikojë Impresum në ueb faqen e vet në një vend të dukshëm dhe të shënuar në mënyrë të veçantë me të dhënat e mëposhtme: emri i personit juridik ose fizik- pronar i medias online, emri i personit përgjegjës, adresa e selisë, telefonat e kontaktit, e-mail adresa, emri i redaktorit, përbërja e redaksisë, si dhe të gjitha të dhënat e tjera që konfirmojnë relevancën e medias dhe që i japin mundësi lexuesit të paraqesë parashtresë
ose ankesë lidhur me raportimin e medias online.

Neni 20 – Përgjegjësia për publikimin e komenteve nga lexuesit

20.1.Media online gjithashtu është përgjegjëse për përmbajtjen e komenteve të publikuara nga lexuesit e saj, të publikuara në ueb faqen e medias online në hapësirën për komente, nën tekstet
gazetareske.

20.2.Media online do të heqë të gjitha komentet që përmbajnë: thirrje për dhunë ose vepra tjera penale, gjuhë të urrejtjes, diskriminim, kërcënim dhe forma të tjera të cenimit të të drejtave dhe sigurisë së individëve, grupeve, institucioneve, qoftë të lidhura drejtpërdrejt apo tërthorazi me tekstin ose temën të cilën e përpunon.
20.3.Media online do të përcaktojë rregullat për redaktimin e komenteve të lexuesve në hapësirën për komentim të lirë nën tekstet dhe përmbajtjet e publikuara. Këto rregulla do të publikohen në platformat ku publikohet përmbajtja gazetareske dhe do të përfshijnë: të dhëna mbi regjistrimin e komenteve, respektimin e rregullave të komentimit, përmbajtjet e palejuara në komente, arsyen e heqjes së komenteve, etj.

Media online është gjithashtu përgjegjëse për përmbajtjen e komenteve të postuara ndaj teksteve gazetareske të botuara në profilin e vet në rrjetet sociale.