Në lumin “Markovë” derdhen të gjitha ujërat e zeza apo moçali i mbledhur në deponinë “Drislla”, i cili sipas banorëve është helmues. Për të shuar etjen, bagëtitë e Amet Demirit, pinë ujë në lum dhe fatkeqësisht pas dy-tre orësh të gjitha delet ngordhën.
“Delet që pinë ujë ngordhën. Ky ujë rrjedh çdo herë. Në këtë pjesën lart pinë ujë të gjitha delet e fshatit, por pjesa e poshtme ku vjen uji i deponisë, nuk guxojnë të pijnë ujë, sepse delet ngordhin. Kjo përroska është uji i deponisë, kjo rrjedh vazhdimisht, por shpesh punonjësit e lëshojnë atë ujin e mbledhur nëpër bazene dhe e derdhin këtu.”, – theksoi blegtori, Amet Demiri.
Para tri ditësh, bariut Ferat Ismaili, i lëshoi pesë dele nga stalla dhe të njëjtat menjëherë ngordhën aty, duke pirë ujë, brenda disa minutash.
“Pa lajmëruar e kanë lëshuar ujin prej deponisë. Unë dhentë i lëshova prej stalle, u dhashë kripë dhe dhentë u lëshuan pas ujit për të pirë dhe aty ngordhen, deri sa vrapova t’i marr, ata ngordhen menjëherë, shkuan dhentë. Pesë i kisha, ata të pestat sa pinë ujë, menjëherë ngordhën aty. Pastaj ato i hodha te stalla, fotot i kam në telefon.”, – u shpreh bariu, Ferat Ismaili.
Banorët e Komunës së Studeniçanit, për disa ditë më radhë protestojnë kundër N.P. “Drislla”, pasi siç thonë ata, kjo deponi e shkatërron biosferën. Shoqata “Rinia e fshatit Batincë” kanë bërë kërkesë me shkrim deri te Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësorë, që të masin nivelin e ndotjes së ujërave nëntokësor, tokës dhe ajrit. Deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Nga TVM2, kërkuam gjithashtu përgjigje prej Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësorë, në pyetjen se pse ky institucion nuk ka ndërmarrë asgjë deri tani, por as pyetjeve të programit tonë nuk iu përgjigjën.