Uji në Tetovë është i sigurt për pije

Desk
By Desk November 13, 2020 15:30

Uji në Tetovë është i sigurt për pije

Përsëritet situata që në periudhën e vjeshtës uji në Tetovë të marrë shije dhe erë të pazakontë. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë theksojnë se nuk ka nevojë që qytetarët të kenë frikë nga kjo situatë sepse vitet e fundit është vërtetuar se nuk ka shqetësime në parametrat e ujit të sigurt. Nga aspekti bakteriologjik dhe kimiko-fizikisht uji është i sigurt për t’u pirë edhe tani.

“Me këtë dukuri po përballemi për të tretin vit me radhë, edhe atë pikërisht në këtë periudhë të vitit. Që herën e parë, në vitin 2017, kemi bërë një ekzaminim në të cilin u vërtetua se aroma dhe shija e pakëndshme vjen nga vegjetacioni, gjegjësisht më shumë nga gjethet e pemëve që bien në sipërfaqen e ujit në zonën e Leshnicës. Me këtë rast vjen deri në dekompozonin e tyre, gjë që krijon shije dhe erë të pakëndshme. Ne çdo ditë bëjmë kontroll të cilësisë së ujit në ujësjellësin e qytetit dhe uji përkundër kësaj ere dhe shijes së pakëndshme, është biologjikisht dhe kimikisht plotësisht i sigurt për t’u pirë”, tha dr. Ratko Davidovski, specialist për higjienë dhe ekologji shëndetësore.

Qendra i ka dhënë rekomandime Ndërmarrjes komunale publike për tejkalimin e situatës.

“Këtyre ditëve e kemi intensifikuar klorimin e ujit, dhe nga përvoja jonë e deritanishme, mund të themi se kjo dukuri do të zhduket brenda disa ditëve. Megjithatë, edhe një herë e përsëris uji në ujësjellësin e qytetit dhe përkundër kësaj është plotësisht i sigurt për t’u pirë. Ky nuk është rast vetëm në vendin tonë, teoria dhe praktika botërore, e cila i referohet përdorimit të ujit sipërfaqësor dhe i tillë është rasti edhe me lumin Pena nga ku merret uji”, tha dr. Davidovski.

Ozonizimi ose përdorimi i filtrit të qymyrit është mundësi për të hequr aromat dhe shijet e pakëndshme.

Desk
By Desk November 13, 2020 15:30