UT përmes platformës online e zhvillon rregullisht procesin mësimor – shkencor

UT përmes platformës online e zhvillon rregullisht procesin mësimor – shkencor

Кovid – 19 dhe shpallja e pandemisë botërore e ka pezulluar punën e shumë institucioneve shtetërore në mbarë botën përfshirë edhe institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këto kushte, shumë institucione arsimore në vend i kanë marrë masat që ta vijojnë punën e tyre në forma dhe metoda alternative duke shfrytëzuar në maksimum teknologjinë informative.

Me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së procesit mësimor – shkencor 2019/2020, Universiteti i Tetovës tashmë disa javë me radhë e aplikon sistemin online të realizimit të veprimtarisë së tij.

Zyra për arsim e UT-së, njofton se në të gjitha fakultetet tona procesi mësimor zhvillohet përmes platformës online dhe kjo formë e mësimdhënies është përkrahur nga pjesa dërmuese e studentëve dhe e mësimdhënësve tanë.

Falë funksionalizimit të këtij sistemi, pedagogët e trembëdhjetë fakulteteve të Universitetit të Tetovës, tanimë në mënyrë të rregullt i zhvillojnë ligjëratat, ushtrimet si dhe mbrojtjen e temave të diplomimit, në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë, sipas kritereve të caktuara.

Këtë formë të ligjërimit, ne e kemi aplikuar edhe më herët, me theks të veçantë, në: angazhimin e profesorëve vizitues nga universitete prestigjioze ndërkombëtare, prezantimin e studimeve shkencore në forume, tryeza dhe konferenca e simpoziume shkencore, pjesëmarrjen në programet arsimore ndërkombëtare, etj.

Historiku dhe rrethanat e themelimit të UT-së na bëjnë të besojmë se jemi të kalitur për ta tejkaluar edhe këtë situatë. Këto ditë të vështira në të cilat po kalon bota, gjithnjë e më shumë na kanë bindur se betejat jetësore do t’i fitojë ARSIMI DHE SHKENCA.

Linda Limani
nga Linda Limani 31 Mars, 2020 21:47

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.