Vaksinimi kundër gripit sezonal po vonon

Desk
By Desk October 23, 2020 15:54

Vaksinimi kundër gripit sezonal po vonon

Është gabim i madh dhe mëkat që Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka filluar me vaksinimin e popullsisë kundër gripit sezonal. Këtë e deklaroi infektologu Vello Markovski në emisionin “Click Plus”. Ai shtoi se ishte dashur që deri më tani autoritetet shëndetësore t’i kishin vaksinuar të sëmurët kronikë, sepse gjendja e tyre mund të përkeqësohet për shkak të Covid-19.

“Do të ishte fat nëse gjithçka kalon në rregull, por nëse kemi epidemi të gripit, atëherë do të shihni çka do të thotë meningjit, pneumoni, atëherë kjo përqindje e grupeve të rrezikuara në të vërtetë do të jenë në gjendje të rëndë. I kemi pasur këto raste, por kanë ndërruar jetë. Dhe tani, bashkë me Kovid, do të jetë shumë e vështirë të sigurohet edhe vend për ta. Kështu që, është gabim i madh dhe mëkat që këto vaksina vonojnë dhe që nuk janë blerë deri më tani”,  deklaroi Vello Markovski – Infektolog.

Nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë kah fundi i këtij muaji, pas çka menjëherë do të nisë procesi i vaksinimit. Nuk japim shpjegim pse është vonuar vaksinimi…

“Ministria e Shëndetësisë ka blerë vaksina të prodhuara nga Sanofi Pasteur Francë  (VAXIGRIP TETRA).

Janë siguruar gjithsej 40.000 doza të katër llojeve të vaksinave që janë të dedikuara për vaksinimin falas të këtyre grupeve në rrezik:
-Personat mbi moshën 65 vjeç,
-Personat me sëmundje kronike,
-Të punësuarit në shëndetësi,
-Gratë shtatzëna,
-Fëmijët nga 6 muaj deri në pesë vjet”, thonë nga ministria e shëndetësisë.

Të interesuarit mund të caktojnë termin për vaksinimin falas përmes mjekut të tyre amë. Me qëllim që të shmanget ngarkesa shtesë e shërbimeve epidemiologjike në qendrat e shëndetit publik, ku deri më tani është kryer vaksinimi kundër gripit sezonal, sivjet ka plan veprimi që do të përfshijë pika shtesë vaksinimi. Në këtë mënyrë, vaksinimi do të jetë më i qasshëm për qytetarët. Vaksinat komerciale kundër gripit sezonal i blejnë qendrat e shëndetit publik nga buxheti i tyre dhe vetë ata e përcaktojnë çmimin.

 
Desk
By Desk October 23, 2020 15:54