Vazhdon debati për kufizimin e përdorimit të rrjetit social Tik-Tok në RMV

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Maj, 2023 11:45

Vazhdon debati për kufizimin e përdorimit të rrjetit social Tik-Tok në RMV

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka thënë sot se po vazhdojnë takimet për kufizimin e përdorimit të rrjetit social Tik-Tok në shkollat ​​fillore dhe të mesme, informon bild.mk

“Sot do të vazhdojmë me takimet me institucionet që duhet të vlerësojnë se çfarë përmbajtje ka dhe si përdoret Tik-Tok. Nëse institucionet e sigurisë konfirmojnë, siç dihet, disa nga videot që janë konsideruar nga MPB-ja si material i keq së bashku me Ministrinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe institucione të tjera në domenin e Tik Tokut, do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë në mënyrën e përdorimit të tij si aplikacion”, tha ministri para mediave.

Ai shtoi se do të analizohet mënyra e përdorimit të rrjeteve sociale, respektivisht se si të ketë kufizime specifike në mënyrën e hapjes së tyre, konfirmimit të të dhënave, futjes së disa të dhënave etj. Ai do të konsultohet me psikologë, pedagogë, ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe me njerëz nga sektorët arsimorë të komunave.

“Pas këtyre masave do të kemi një protokoll specifik masash në fund të vitit shkollor që po përfundon dhe nga shtatori do të ketë më shumë protokolle, më shumë manuale. Do të shqyrtojmë edhe udhëzimet ekzistuese për shkollat, programin arsimor, punën e qendrave për punë sociale etj.”, ka thënë Shaqiri.

“Shprehim keqardhje të thellë dhe ngushëllime për familjet e viktimave dhe qytetarët e Serbisë fqinje. Nga disa burime, në opinion  përmendet nisma për ndalimin e rrjetit social Tik Tok në vend dhe te ne arrijnë pyetje në lidhje me këtë temë”, u prononcua ministri Azir Aliu.

Sipas tij, para së gjithash censura është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet. Nisur nga kjo, ne mbështesim nismën e Ministrisë së Arsimit për të vlerësuar rreziqet nga të gjitha platformat sociale. MSHIA ka një qëndrim të qartë, është kundër çdo lloj gjuhe të urrejtjes apo dhunës, pa përjashtim. Ne mbështesim sanksionimin e çdo burimi të gjuhës së urrejtjes/dhunës”, thotë Aliu.

Aliu shton që duhet të bëjmë dallimin midis gjuhës së urrejtjes/dhunës si dhe burimeve të gjuhës së urrejtjes/dhunës nga njëra anë dhe vetë platformave përmes të cilave do të transmetohej një gjuhë e tillë. 

“Ministria merr parasysh të gjitha platformat sociale pa përjashtim. Edhe pse aktualisht nuk mbajmë qëndrim për ndalimin e asnjë platforme sociale, por edhe si prindër, besojmë fuqishëm se platformat sociale si fenomen i qytetërimit të kohës sonë duhet të fillojnë të rregullohen. Rrjedhimisht, ne si Ministri tashmë jemi duke ndërmarrë aktivitete përgatitore në atë drejtim dhe në kohën e duhur do të përfshihemi me nisma shoqërore. Apelojmë për ngritjen e ndërgjegjes për platformat sociale te kuadrit edukativo-arsimor dhe te prindërit për vëmendje të madhe. Përveç kësaj, duke përfshirë edhe sektorin joqeveritar, si dhe institucionet tjera shtetërore, koncesionarët e televizionit dhe radios apelojmë të prodhojnë përmbajtje me karakter edukativo-arsimor dhe të mbushin zbrazëtirat në platformat sociale me përmbajtje të mirë”, shton Aliu.

Me vigjilencë, thotë Aliu, do t’i ndjekim zhvillimet dhe do të jemi në kontakt me institucionet kompetente.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rreziqet, mbetemi plotësisht të hapur për komunikim me të gjithë aktorët shoqërorë”, përfundon Aliu.

E gjithë kjo u nxit nga ngjarjet në Serbinë fqinje, ku një fëmijë 13-vjeçar vrau nëntë persona, tetë prej të cilëve ishin shokë të klasës, në lagjen e Beogradit, Vraçar. 

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Maj, 2023 11:45

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare