Vazhdon të shkelet ora policore, arrestohen 122 persona

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 5, 2020 16:22

Vazhdon të shkelet ora policore, arrestohen 122 persona

Edhe sot ora policore zgjat nga ora 16:00 deri në orën 5:00. Rrugët janë boshe, policia patrullon, duke ndaluar çdo automjet dhe çdo qytetar që lëviz gjatë ndalesës për të kontrolluar nëse kanë leje. Në 24 orët e kaluara, Ministria e Brendshme regjistroi gjithsej 164 persona në të gjithë vendin që nuk e kanë respektuar orën policore.

Nga këto, 122 janë arrestuar, dy janë paralajmëruar, dhe 40 të tjerët janë regjistruar për të ndërmarrë masa kundër tyre. Më shumë shkelje ka pasur në Shkup, Strumicë dhe Kumanovë. Me këtë, nga miratimi i orës policore para 15 ditëve, rreth 1500 qytetarë nuk e kanë respektuar vendimin. Prej tyre janë ndalur rreth 650 persona ndërsa 225 kanë marrë vetëm paralajmërim. Ditën e kaluar janë shqiptuar 264 vendime për izolim ndërsa 24 janë dërguar për vetizolim.

Nga nëpunësit policorë janë kryer kontrolle ndaj personave në izolim dhe vetizolim, ku është konstatuar se një person nuk u është përmbajtur masave – thonë nga MPB-ja.

Në karantinë shtetërore janë 57 persona dhe me këtë, mbi 14.000 qytetarë nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak të izolimit.

Igor Stefanovski

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 5, 2020 16:22