Vendi ende në fazën e verdhë të covid – 19, nuk rekomandohen masa shtesë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 20:18

Vendi ende në fazën e verdhë të covid – 19, nuk rekomandohen masa shtesë

MSH: PERSONAT ME SËMUNDJE KRONIKE TË VAKSINOHEN

Maqedonia e Veriut ndodhet para një vale të re të korona virusit. Kohëve të fundit infektimi i personave me këtë virus është rritur ndjeshëm, ndërsa numri i rasteve aktive ka shkuar mbi 5000. Por edhe përskaj këtyre shifrave, autoritetet sigurojnë se nuk ka vend për shqetësim, pasi sistemi shëndetësor nuk ende i ngarkuar. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë për TV Klan M se, vendi është ende në fazën e verdhë dhe tani për tani nuk rekomandohen masa të reja.

“Në vend momentalisht janë aktive mbi 5000 raste të reja me Covid-19 dhe ai gjendet në fazën e verdhë, ndërsa Komisioni për Sëmundje Infektive tani për tani nuk rekomandon masa të reja, duke pasur parasysh numrit momental në të gjitha repartet infektive në shtet dhe përvojat nga e kaluara”,deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Më tej, nga kjo ministri kanë shtuar se, Shkupi mbetet qyteti me më shumë raste aktive, si dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve me gjendje më të ndjeshme të shëndetit të vaksinohen.

“Edhe pse shënohet rritje e lehtë e përditshme e rasteve të reja në shtet, Shkupi ende është vatër, përkatësisht zonë e kuqe. Megjithatë, nga aspekti i ngarkesës së sistemit ende jemi në fazën e verdhë. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje qytetarëve, posaçërisht atyre me sëmundje kronike të vaksinohen me dozën e tretë dhe të katërt të vaksinave kundër Covid – 19”, ,deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, sa i përket testimeve me Covid – 19, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali tha dje për TV Sitel se, përqindja e testimit në institutet shëndetësore publike rritet çdo ditë në krahasim me ato private. Sipas tij, pacientët që kanë nevojë për testim për covid, nëse kërkojnë të testohen, bëjnë test ditën e njëjtë dhe të nesërmen test PCR. Ndërkaq, pritje më të gjata për testim mund të ndodhë në qytetet më të vogla, ku nuk ka PCR teste dhe ata janë të detyruar të udhëtojnë në qytet tjetër. /KlanMacedonia/

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 20:18