Vendi ku ajri i pastër është luks për banorët pranë Shutkës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:48

Vendi ku ajri i pastër është luks për banorët pranë Shutkës

Banorët që po jetojnë pranë deponisë në Shutkë po vuajnë për ajër të pastër që për ta është bërë luks, si në dimër ashtu edhe në verë. Banorët thonë se jeta për ta është bërë ferr dhe nuk po i gëzohen as shtëpive që kanë ngritur me mund të madh, pasi gjithë kohën enden spitaleve nga pasojat e ndotjes së tmerrshme. Të kota kanë qenë reagimet e tyre pranë komunës e cila ngritur supet duk fajësuar banorë të tjerë për hedhjen e mbeturinave në këtë deponi.

“Mega deponia e krijuar në Komunën e Shutkës duket se ka mbetur në injorim total nga institucionet, gjë për të cilën nuk po flet askush. Por, sa kushton shëndeti I njeriut? Pyesin banorët që kanë investuar qindra mijëra euro në vila apo shtëpi, por ama kur zgjohen në mëngjes nuk e kanë të drejtën themelore për të pasur ajër të pastër”.

Mukadez Iljaz banore e Shutkës, pas shumë vitesh mund dhe punë arriti të ndërtojë këtë shtëpi të cilën nga deponia ilegale e ndan vetëm një mur. Vetëm një mur pamundëson që mbeturinat të ia hedhin në oborr. Ajo thotë se disa herë është ankuar në Komunë e Shutkës, por siç tregon, nga atje i kanë thënë se s’është faji i tyre, por i personave që hedhin mbeturinat në atë lokacion.

“Ka një deponi të madhe ilegale. Si është të jetohet në këto kushte?
– E tmerrshme, e tmerrshme. Nuk hapim dot as dritare për të ajrosur shtëpinë. Kur erdha këtu vitet e para kam qarë. Aq shumë para kam investuar në këtë shtëpi dhe ku kam ardhur të jetoj? Në deponi.
Shpesh ndodh edhe që të ndezin zjarr, apo jo?
– Çdo mbrëmje, shpirt, të vini në mbrëmje të shikoni se si bëhet këtu. Tym nga djegia e kabllove. I ndezin, nuk di çfarë bëjnë. Nuk merret frymë, s’ke as pse del në ballkon. Kam kokëdhimbje, kam baktere. Në mbrëmje rrobat patjetër t’ fusim brenda të thahen. Zbutës, aromatizues as nuk ia ndiejmë erën”, tha Mukadez Iljaz, banore e Shutkës.

Një tjetër banorë që punon në atë zonë thotë se i janë shfaqur probleme me mushkëritë. Ai thotë se institucionet s’mendojnë fare për qytetarët të cilëve po u shkatërrohet shëndeti nga kjo katastrofë ekologjike.

“Ti je gjithë ditën këtu?
– Gjithë ditën. Ç’ është ky shtet kështu?!
-Po shëndeti?
– Për shëndetin, mos pyet. E kemi patjetër të shkojmë në mjek nga kjo erë që vjen. Deponi, deponi, kjo as në Afrikë nuk është.
-A ke pasur probleme shëndetësore?
– Sa të dush. Kam pasur problem me mushkëritë e zeza, bronhit. Prej kësaj këtu. Vetëm vijnë kamionët, non stop. Pardje e kanë djegur. Ku të rrimë këtu? Si të hap dritaren unë? Nuk interesohet komuna aspak.”

Ministria e Mjedisit Jetësor së fundmi ka nënshkruar dokumentet që u hapin rrugën projekteve madhore, por për realizimin e tyre do të nevojiten vite të tëra. Ministrja, Kaja Shukova, tha se po punohet me dokumentacionet për projektet që parashikojnë etapat e nevojshme për menaxhim me mbeturinat, si ndërtimi i stacioneve të transferimit dhe deponive rajonale. Deri atëherë, banorët e kësaj zone të kryeqytetit nuk do ta kenë luksin e ajrit të pastër, as në dimër dhe as më pak në verë kur deponia në fjalë kaplohet nga flakët, të shkaktuara me ose pa qëllim./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:48

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare