Vendimet gjyqësore, Bilalli: Dënime të ndryshme, edhe pse jeta vlen njësoj

Desk
By Desk 24 Prill, 2019 19:13

Vendimet gjyqësore, Bilalli: Dënime të ndryshme, edhe pse jeta vlen njësoj

Aktgjykimet e gjykatave shpallen në emër të popullit dhe të njëjtat duhet të jenë të drejta dhe joselektive.

Kështu vlerëson ekspertja e së drejtës penale, Arta Bilalli, duke krahasuar aktgjykimin për vrasjen e Nikolla Sazdovskit me atë të vrasjes së katërvjeçarit, Almir Aliu. Aktgjykimet që kanë të bëjnë me rastet e lartpërmendura janë ironike, kur janë në pyetje shqiptarët vrasja si akt i tillë trajtohet në mënyrë të ndryshme dhe me dënime jashtëzakonisht të larta. Sipas saj, standardet e dyfishta nuk kanë vend në një shoqëri të mirëfilltë.

“Në qoftë se një shoqëri apo një popull mendon se një jetë vlen 38 vjet burg dhe një jetë tjetër 6.5 vite burg, ajo shoqëri është e padrejtë. Unë nuk mendoj se komuniteti e ndan këtë qëndrim, prandaj mendoj se gabim është vlerësimin të cilin e ka bërë gjykata. Të dyja lëndët kanë filluar ndryshe dhe kanë përfunduar ndryshe. Te rasti i Almir Aliut ka filluar si vrasje e rëndë, ndërsa përfundoi si vepër kundër sigurisë dhe jetës në komunikacion, d.m.th. ka shkuar nga e rënda te e lehta. Te vrasja e Nikolla Sazdovskit ka filluar si dhunë me pasoja vdekjeprurëse apo dhunë që është vepër e posaçme penale në Kodin Penal dhe ka përfunduar si vrasje e rëndë, vrasje mizore, d.m.th. ka shkuar nga e lehta te e rënda”,- tha ekspertja juridike, Arta Bilalli.

Rasti i Almir Aliut dhe ai i Sazdovskit ngritën reagime të mëdha në opinion të përcjella edhe me protesta. Fillimisht të akuzuarit për vrasjen e Sazovskit akuzohesh për vepër penale “dhunë me pasojë vdekje”. Avokatët mbrojtës disa herë potencuan se ishin protestat ato që bënë që vepra të rikualifikohet në vepër penale të rëndë “vrasje mizore”, që ka si pasojë dënime jashtëzakonisht të larta.

Megjithatë, protestat në rastin e Almir Aliut nuk e arritën qëllimin. Nga vepra penale “vrasje”, me të cilën ngarkohej i akuzuari, lënda u rikualifikua në vepër më të lehtë penale. Për shkak të ankesave të shumta të palës mbrojtëse sa i përket procesit gjyqësor në rastin e fundit, lënda është kthyer në rigjykim.

Gjykata Penale dënoi Besir Belën dhe Skender Demirin me nga 19 vite burg. I menjëhershëm ishte reagimi i familjarëve të cilët akuzuan për drejtësi selektive, duke krahasuar atë me aktvendimin për vrasjen e Almir Aliut, ku i akuzuari u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg. “Pse dy raste të ngjashme duhet të trajtohen ndryshe”,- u shprehën pas aktvendimit familjarët e të dënuarve, Belaj dhe Demiri.

Desk
By Desk 24 Prill, 2019 19:13