Vendimi i Holandës për vizat me Shqipërinë, KE: S’kemi marrë asnjë kërkesë
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Bertaud, ka komentuar votimin e parlamentit holandez për kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë duke theksuar se KE nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga ndonjë vend anëtar lidhur me këtë gjë.
“Komisioni është në dijeni të mocionit të kaluar nga parlamenti holandez të martën, por për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave ka një procedurë të caktuar dhe deri tani ne nuk kemi asnjë njoftim nga ndonjë vend anëtar” .
Ndërkohë, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok në përgjigje të ligjvënësve të ekstremit të djathtë që kërkuan rivendosjen e vizave për shqiptarët ka thënë se nuk parashikon ta paraqesë në Bruksel mocionin e parlamentit.
Dhoma e përfaqësuesve në Holandë miratoi të martën me shumicës votash, 92 nga 150, një propozim të paraqitur nga 5 forca politike, 3 prej të cilave pjesë e koalicionit në pushtet, sipas të cilit Qeveria e këtij vendi do të duhet t’i kërkojë Komisionit Evropian të pezullojë mekanizmin e regjimit pa viza. /gazeta-shqip