Vendimi i kushtetueses, SHBA: Sundimi i ligjit po funksionon në Kosovë

Desk
By Desk May 2, 2020 20:19

Vendimi i kushtetueses, SHBA: Sundimi i ligjit po funksionon në Kosovë

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimi i së premtes i Gjykatës Kushtetuese, për të lënë më shumë hapësirë për shqyrtim, tregon se sundimi i ligjit po funksionon në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 1 maj në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi deri më 29 maj, i cili i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte qeverinë e re.

“Ne po ashtu mirëpresim thirrjet e liderëve politikë dhe atyre institucionalë që të respektohet Gjykata dhe proceset që lidhen me të”, është thënë mes tjerash në një postim të kësaj ambasade në rrjetin social, Twitter.

U.S. Embassy Pristina @USEmbPristina
 

The Constitutional Court’s response to allow time for deliberations shows Kosovo rule of law at work. We also welcome the calls by political and institutional leaders to respect the Court and its processes.

18 people are talking about this
 
 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do ta respektojë vendimin e marrë nga kjo Gjykatë, derisa Qeveria në detyrë e Kosovës, ka thënë se vlerëson vendimin e këtij institucioni por “ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka thënë se do ta respektojë këtë vendim ndonëse ka theksuar se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.

Më 30 prill, Thaçi ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të organizojë seancë të jashtëzakonshme më 2 maj për formim të qeverisë së re, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën, deri në vendimin e ardhshëm.

Desk
By Desk May 2, 2020 20:19