Vetëm me vërtetim nga mjeku specialist, të sëmurët kronik do të mund të rrinë në shtëpi

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:28

Vetëm me vërtetim nga mjeku specialist, të sëmurët kronik do të mund të rrinë në shtëpi

Të sëmurët kronik do të mund të rrinë në shtëpi vetëm nëse paraqesin vërtetim nga mjeku specialist.

Ky ishte konkluzioni nga takimi i mëngjesit të sotëm mes ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe përfaqësuesve të shoqatave të pacientëve. Sipas vendimit, të sëmurët kronik kanë afat deri më 23 shtator ta marrin vërtetimin përkatës në të cilin do të shpjegohet se për shkak të diagnozës së tyre nuk mund të kthehen në vendet pune, me çka në mënyrë shtesë do të shmanget edhe keqpërdorimi i sistemit.

“Fillimisht ideja ishte që të përgatitet sistemi, të bëhen ndryshime në Rregullore, t’u lejohet pacientëve të mund të bëjnë kontroll në pajtueshmëri me strategjinë e re, respektivisht pacientit i cili me të vërtetë duhet të qëndrojë në shtëpi për shkak të ndërlikueshmërisë së sëmundjes së caktuar kronike apo për shkak se në atë moment gjendja e tij është përkeqësuar. Por, këtë e konstaton mjeku specialist, e jo në pajtim me diagnozën paraprakisht të vendosur për sëmundjen kronike. Pacienti mund të nxjerrë vërtetim nga mjeku specialist dhe në këtë mënyrë të lirohet nga shkuarja në punë”, deklaroi, Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Në takim, 6 shoqatat dolën me propozime të tyre për zbatimin e vendimit të Qeverisë me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

“Kur sillen vendime të tilla konsiderojmë se është shumë e rëndësishme të thirren edhe shoqatat e pacientëve, sepse ne jemi ata që dalim në terren dhe e shohim gjendjen. Jemi vazhdimisht në komunikim të drejtpërdrejt me pacientët dhe familjet dhe e dimë shumë mirë çka po ndodh dhe cilat vendime do të ishin të mira apo të këqija, kuptohet në pajtueshmëri me situatën në të cilën ndodhemi”, theksoi Vesna Aleksovska, kryetare e Shoqatës “Jeta me sfida”.

Me qëllim që të zbatohet vendimi në fjalë, do të lëshohen edhe termine shtesë të sistemit “Termini im” dhe e-Ambulanca. Në qoftë se deri më 23 shtator këta pacientë nuk arrijnë ta sigurojnë vërtetimin e nevojshëm, atëherë do të lihet hapësirë për prolongim. Vërtetim për pushim mjekësor do të marrin edhe prindërit e fëmijëve me sëmundje të rrezikut të lartë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 10, 2020 19:28