Veteranët e arsimit: Suksesi ynë janë arritjet e nxënësve

Desk
By Desk March 5, 2020 19:20

Veteranët e arsimit: Suksesi ynë janë arritjet e nxënësve

Profesioni i mësuesisë është i shenjtë. Veteranët e arsimit dhe arsimtarët e dalluar që jetën e tyre ia kushtuan punës me nxënësit, urojnë që edhe gjeneratat e reja të punojnë me aq përkushtim sa ata. Thonë se mirënjohja më e mirë për një mësues është suksesi i nxënësve të tij.

“Besoj se arsimtarët e rinj, gjenerata e re, do të ndihet krenare, sepse puna jonë është punë me shumë përgjegjësi, por se ne e kultivojmë, edukojmë dhe arsimojmë gjenerata të reja ku e shohim edhe ardhmërinë tonë.”,- u shpreh veterania e arsimit, Nurije Kadriu.

“Edhe tash edhe më herët profesioni i mësuesisë ka qenë i shenjtë dhe ka pasur vlerën dhe përkushtimin e vet.”,- tha arsimtarja, Kadrije Beça.

“Dhurata për mua do të ishte ajo se afro 33 vjet punoj në arsim, kur shoh se nxënësit e mi kanë arritur të bëhen kirurgë, doktorë shkencash dhe e përfaqësojnë denjësisht kombin tonë, ajo është dhurata më e mirë për mua si arsimtar.”,- deklaroi arsimtari, Naim Azizi.

“Mësuesit, kolegët e mi të ardhshëm, të kapen me këtë punë me dinjitet me seriozitet, sepse e ardhmja e një populli është prej mësuesve.”,- theksoi veterani i arsimit, Nuri Rexhepi.

Komuna e Çairit nderoi me mirënjohje në prag të 7 marsit veteranët e arsimit dhe arsimtarët e drejtorët e dalluar.

“Duke iu uruar shumë shëndet, suksese dhe rezultate pa fund, uroj po ashtu në të ardhmen që përkushtimi ynë i përbashkët të vijojë në ngritjen e cilësisë së arsimit edhe më tepër.”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Tjerët të ta vlerësojnë punën, një institucion mjaft i vlefshëm dhe kryetari i komunës, është një privilegj për mua.”,- tha edukatorja, Rabije Loku.

Ndarje e mirënjohjeve për arsimtarët e dalluar nga komuna e Çairit është shndërruar në traditë.

Desk
By Desk March 5, 2020 19:20