Vetingu në gjyqësor, ekspertët: Me model adekuat të pastrohen institucionet

Desk
By Desk March 6, 2020 19:29

Vetingu në gjyqësor, ekspertët: Me model adekuat të pastrohen institucionet

Maqedonia e Veriut të ketë kujdes në vendosjen e vetingut në gjyqësor, pasi ndërhyhet në kushtetutë dhe ligje, ndërkaq praktikat e deritanishme nuk kanë treguar rezultate serioze. Ishte kjo porosia e ekspertëve të sistemit gjyqësor. Gjykatësja, Mirjana Llazareva Trajkovska, thotë se debati duhet fokusuar në përzgjedhjen e modelit më të mirë për pastrim të gjyqësorit, si dhe institucioneve të tjera që ndërveprojnë me gjykatat, për t’u besuar më shumë në punën që bëjnë.

“Problemi ynë është funksionimi i dobët i institucioneve. Që të dëshmohet se gjyqësori nuk është në rregull, kjo do të nënkuptonte se edhe institucionet të cilat i dorëzojnë lëndët në gjyqësor, vetë nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Do të duhet të pastrohen institucionet nga joprofesionistë, pasi ato një kohë të gjatë u mbushën me kuadro partiakë, pa njohuri adekuate.”,- deklaroi gjykatësja, Mirjana Llazareva Trajkovska.

Nga Instituti për Politikë Europiane thonë se nga vetingu rrezikohet baraspesha e pushteteve dhe rritet ndikimi i politikës në gjyqësor.

“Një nga rreziqet kyçe në procesin e vetingut është mundësia e ndikimit më të madh të partive politike dhe të ekzekutivit ndaj gjyqësorit, d.m.th. kjo mund të na kthejë disa hapa mbrapa. Në vend të pavarësisë të fitojmë varshmëri më të madhe dhe imponim të ekzekutivit mbi gjyqësorin dhe të kemi problem më të madh në baraspeshën e pushteteve.”,- u shpreh anëtarja e Institutit për Politikë Europiane, Malinka Ristevska.

Përfaqësues të gjyqësorit thonë se e patjetërsueshme është të bashkëpunohet me ekspertë të jashtëm në prag të procesit të zgjerimit të BE-së, që të përmbushen kërkesat europiane për funksionim profesional të gjyqësorit.

Desk
By Desk March 6, 2020 19:29