Vetoja bullgare e rrezikshme për pajtimin rajonal

Desk
By Desk November 19, 2020 10:16

Vetoja bullgare e rrezikshme për pajtimin rajonal

Një ditë pas vetos bullgare për fillim zyrtar të bisedimeve të vendit me BE-në, një varg reagimesh në rajon dhe më gjerë. Reagim arriti edhe nga Parlamenti Evropian, i cili konsideron se bllokada nga Bullgaria për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut e pengon pajtimin në gjithë rajonin. SHBA-ja, i bën thirrje Sofjes dhe Shkupit që t’i zgjedhin kontestet ekzistuese bilaterale jashtë procesit të bisedimeve që të arrihet qëllimi i përbashkët – anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE.

Qeveria i jep shans procesit përmes Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë të cilën e konsideron si kornizë të shkëlqyer për gjetjen e zgjidhjes, duke potencuar se identiteti kombëtar maqedonas thjeshtë është e pamundur që të jetë mjet i bisedimeve.

Zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski dje tha se Qeveria ka një angazhim të qartë, i jep shans procesit dhe po punon për harmonizimin e pozitave sipas pozitave të përcaktuara qartë të Maqedonisë dhe në përputhje me qëllimet strategjike të vendit për integrimin evropian.

Ai theksoi se identiteti kombëtar maqedonas është thjesht i pamundur të bëhet çështje e negociatave. “Qeveria nuk mund dhe kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta jonë për vetëvendosje e garantuar me Kartën e KB-së, Deklaratën universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Traktatin e Lisbonës, si baza kushtetuese të BE-së. Praktikisht edhe vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Arsovski.

Arsovski shtoi se nuk do të ketë asnjë aneks të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, sepse, siç përsëriti ai, qëndrimi i Qeverisë është se marrëveshja është një kornizë e shkëlqyeshme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura. Shtoi edhe se çështja e gjuhës të zgjidhet përmes fusnotës, është e papranueshme për Qeverinë dhe se nuk është bazë e mirë për kompromis.

Bashkimi Evropian e njeh gjuhën maqedonase, e përdor atë në përkthimet e ngjarjeve dhe botimeve dhe në të njëjtën kohë një shtet anëtar Bullgaria, ka rezerva në lidhje me gjuhën dhe ka të drejtën për pozitën e vet, dhe Këshilli i BE-së mund ta marrë parasysh këtë, por nuk mundet të jetë pozitë e BE-së. Gjuha maqedonase tashmë është e konfirmuar në dokumentet e BE-së dhe kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha zëdhënësi i Qeverisë Arsovski.

Kryeministri Zoran Zaev në intervistë për Dojçe Vele tha se një pjesë e madhe e popullit bullgar është kundër bllokadës dhe pengesave për popullin maqedonas në rrugën për në BE.

Unë pohoj gjithashtu, shton Zaev, se Borisov është gjithashtu kundër, sepse ai është një reflektim i popullit të tij. Por sigurisht, ai ka edhe partnerë të koalicionit.

“Unë shpesh e dëgjoj mikun tim të mirë, Karakaçanov. Dhe unë pohoj se ai e do Maqedoninë, por ndonjëherë e do Maqedoninë në mënyrë të gabuar. Ia kam thënë këtë edhe atij. Kjo është sikur të thonë “aman vëlla, mos na duaj aq shumë”. Pra, ai e do Maqedoninë, por në mënyrë të gabuar. Ai duhet të vazhdojë ta dojë atë, por edhe të tregojë se ajo që e rëndon dhe është problemi i tij, siç thotë ai, maqedonas bullgar, zgjidhet”, thotë Zaev.

Ai përsërit se nuk kemi pretendime ndaj fqinjit.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov vlerësoi se mos përkushtimi i kujdesit të vërtetë, mosangazhimi në vendet e rajonit i cili gjeografikisht i përket Evropës, do të përfaqësonte gabim strategjik të Bashkimit Evropian.

“Kur nuk flasim me zë të lartë në mbrojtje të parimeve evropiane BE dobësohet, pa dallim nëse jemi qytetarë të vendit anëtar apo vendi kandidat për anëtarësim në Union. Detyra e zgjerimit si politikë evropiane është zbatimi i vlerave të saj dhe ai proces nuk duhet të jetë peng i çështjeve dypalëshe”, tha Dimitrovi duke shtuar se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë në përpjekjet që të kërkojë një zgjidhje dinjitoze, duke e respektuar të drejtën tonë të vetëvendosjes në suaza të parimeve evropiane.

SHBA-ja u bën thirrje Sofjes dhe Shkupit t’i zgjidhin kontestet ekzistuese bilaterale jashtë procesit inkuadrues në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët – anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE, deklaruan sot për MIA-n nga shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit. Nga atje përkujtojnë se SHBA-ja dhe Bullgaria janë mbështetëse të fuqishme të integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

“E përshëndesim vullnetin e mirë për negociata. U bëjmë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i zgjidhin çështjet ekzistuese bilaterale jashtë procesit inkuadrues në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët – anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE”, thonë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

SHBA-ja, ceket në deklaratën për MIA-n, është saktësisht e qartë në dëshirën e vet për ta parë Maqedoninë e Veriut, e cila për momentin është kandidate për anëtarësim, se si hyn në fazën e ardhshme të procesit, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit.

“Procesi i zgjerimit promovon paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në tërë rajonin. Vendimi i BE-së për t’i hapur negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mars ishte hap pozitiv dhe ishte në shërbim të asgjësimit të rrëfimit të rrejshëm se Komuniteti transatlantik e lë Ballkanin prapa vetes”, thuhet në deklaratë.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksojnë se çfarëdo lloj pengesash në rrugën për inkuadrim të këtyre vendeve në BE, e rrezikon hapjen e çështjes për kredibilitetin e BE-së në rajon.

Parlamenti Evropian konsideron se bllokada e djeshme nga Bullgaria për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut, pengon pajtimin në tërë rajonin, njofotn korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Ilhan Quçuk, raportuesi për Maqedoninë e Veriut dhe Andreas Shnajder, shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, lëshuan kumtesë të përbashkët, duke kërkuar vendim për fillimin e negociatave pa vonesa të mëtejshme.

“Dështimi i ministrave të Çështjeve Evropiane për të miratuar kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, shtyrja e negociatave të anëtarësimit në BE kërcënon besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thanë euro-deputetët në kumtesën zyrtare të Parlamentit Evropian.

Parlamenti Evropian beson se pamundësia për të arritur kompromis është për shkak të vetos së Bullgarisë dhe kështu rrezikon të gjithë pajtimin rajonal.

“Ne e pranojmë progresin e bërë nga ana e Shkupit në reformat themelore demokratike dhe ekonomike dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë dialog konstruktiv të bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë, në përputhje me një proces të parashikueshëm, objektiv të pranimit në BE, të bazuar në merita”, njofton Parlamenti Evropian, duke shtuar se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet deri në fund të këtij viti për të treguar se dialogu po sjell rezultate.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov u prononcua në Fejsbuk me rastin e bllokadës, duke theksuar se Bullgaria prej kohësh ishte një prej vendeve të cilat më së shumti kanë insistuar për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Bullgaria fuqishëm e mbështet Republikën e Maqedonisë së Veriut për hyrje në NATO. Gjithmonë kemi qenë jashtëzakonisht me qëllime të mira dhe qatë kemi treguar deri ku mund të shkojnë kompromiset tona. Kemi formuar edhe komision të përbashkët historik, në të cilin ekspertët duhej t’i zgjidhin të gjitha çështjet kontestuese vetëm me argumente. Me zëvendëskryeministrat Zaharieva dhe Karakaçanov kemi mbajtur dhjetëra takime në kërkim të zgjidhjeve. Kemi dhënë gjithçka nga vetja që të mos jemi shtet i cili do t’i thotë “jo” fillimit të negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thekson Borisov në publikim.

Megjithatë, sipas tij, autoritetet në vend kanë menduar se me presion dhe lobim, do të mund të ndryshojë pozita e Bullgarisë.

“Pozita e jonë nuk është nga inati, por është parimore dhe i pasqyron pritshmëritë e të gjithë bullgarëve. Kuptohet jemi të gatshëm t’i vazhdojmë bisedimet, vazhdojmë ta respektojmë Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Megjithatë, presim ta shohim përkushtimin e njëjtë edhe nga ana tjetër”, shton Borisov në publikim.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, tha se derisa nuk marrim garanci juridike – edhe nga Shkupi edhe në kontekst të procesit të negociatave me BE-në, se do të vijë deri në ndryshim të politikës aktuale, ne nuk mund të pajtohemi në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe të fillimit të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.

“Edhe krahas të gjitha manifestimeve tona të fqinjësisë së mirë, Shkupi nuk e ka ndryshuar esencën e politikës së saj ndaj Bullgarisë. Obligimet ndaj vendit tonë kanë mbetur vetëm deklarative, ndërsa në esencë Shkupi e ka vazhduar politikën e saj për mbështetjen e pretendimeve të pabaza të pakicave, historike, gjuhësore etj. Kemi një listë të gjatë të mostrave në të cilat ata nuk vazhdojnë deri në dokumentet e nënshkruara bilaterale”, tha Zaharieva nga foltorja kuvendore.

Sipas saj, njerëzit në Maqedoni “janë ende në kapjen e mendimit totalitar”, për çka si shembull e theksoi, siç tha, “festimin e përvjetorit të vdekjes së Titos, të organizuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit”.

“Derisa një pjesë e republikave të tjera të ish Jugosllavisë u japin nderime numrit të madh të viktimave të regjimit të Titos, në Shkup. Fatkeqësisht, ky ndërtim ideologjik, i kujdesuar nga “shteti i thellë”, e robëron shoqërinë”, shtoi ministrja e Punëve të Jashtme bullgare.

Si shembuj të tjerë të ngecjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, Zaharieva vuri në dukje “pengesat administrative për biznesin bullgar në Maqedoni, vonesat në korridorin e transportit Nr. 8, retorikën anti-Bullgare në media dhe një paraqitje të shtrembëruar mediatike të pozicionit bullgar”.

Ish ambasadorja gjermane në vend Gudrun Shtajnaker, prej vitit 2011 deri në vitin 2014, tha kërkesat e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut janë një veprim i pacipë, joshkencor, jorealist dhe lehtësisht transparent i motivuar politikisht nga brenda. Berlini duhet të bëjë presion ndaj “mikut” të tij në Sofje.

“Vëzhguesit janë të mendimit se, kryesisht për arsye të brendshme politike, qeveria bullgare përmes Ministres së Jashtme bullgare Zaharieva njoftoi veton mbi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE-së për Maqedoninë e Veriut, nëse nuk e njeh zyrtarisht se maqedonishtja është vetëm një dialekt i bullgarishtes. Kjo de facto shkon në favor të opozitës nacionaliste VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut, e cila është e lumtur sepse kryeministri Zoran Zaev dështoi përsëri të fillojë procesin e negociatave të pranimit me BE-në”, tha ajo.

Më tutje thekson se vetë pretendimi se maqedonishtja është thjesht një dialekt i bullgarishtes është i patejkalueshëm në absurditetin e tij. Ashtu si gjuha e sotme bullgare në shekullin e 19-të, maqedonishtja pas Luftës së Dytë Botërore u kodifikua si gjuhë standarde nga gjuhëtari Blazhe Koneski bazuar në disa dialekte të folura në territorin e Maqedonisë së sotme Veriore.

Në ndërkohë, reagime kundër vetos bullgare arritën edhe nga Sofja. Vesela Çerneva, zëvendësdrejtoreshë e Këshillit të Evropës për politikë të jashtme (ESFR) dhe drejtoreshë e zyrës softuerike të organizatës tha se bllokimi i cilit do vend kandidat për në BE nuk bëhet në bazë të historisë dhe identitetit, por në bazë të arritjeve, siç është zbatimi i legjislacionit evropian dhe arritja e standardeve evropiane. Bullgaria e fut historinë në procesin e zgjerimit, që do ta bënte praktikisht të pamundur ose shumë të rëndë për vendet tjera ballkanike për t’u avancuar.

“Ekzistojnë të paktën 11 konteste bilaterale në Ballkan. Do të ishte e rrezikshme nëse secili mund të bllokonte këdo. Kuptohet, vendet anëtare mund të kenë pohime për atë si një vend e zbaton legjislacionin evropian, si përshtatet me standardet evropiane dhe kjo është bazë për një përfundim të duhur të negociatave ose kthim në kapituj të caktuar. Poenta është se kjo nuk bëhet në bazë të historisë dhe identitetit”, thotë Çerneva.

Thekson se në Bashkimin Evropian ekziston marrëveshje se këto vende anëtare janë mbledhur në bashkësi sepse duan një të ardhme të përbashkët, e jo pasi që duan t’i zgjidhin problemet e tyre historike. Dhe kjo, thotë Çenerva, arrihet përmes kohezionit ekonomik, tregtisë dhe diplomacisë moderne.

“Bullgaria ka krijuar një imazh që kthehet nga një vend pasiv-konstruktiv në një vend pasiv-agresiv dhe në fakt shumë njerëz nuk e kuptojnë se ky dëm është shumë i vështirë për tu riparuar. Dëmet mund të bëhen brenda disa javësh, por duhen vite punë për t’i hequr ato”, thotë Çerneva.

Sipas saj, ky është një hap prapa për të gjithë rajonin, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut kishte arsyet më të mëdha për të pritur inkurajim nga Unioni, veçanërisht pasi Zaev e fitoi mandatin e tij të dytë me premtimin e integrimit më të shpejtë dhe më të shpejtë Evropian. Ai po zhbllokon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Thekson se duhet të bëhet me dije se çmimin politik që Bullgaria do ta paguajë do të jetë shumë i madh nga përfitimet për çdo fuqi të jashtme.

“Në këtë fazë, nuk shoh se kemi përfituar ndonjë përfitim nga politika e jashtme. E vetmja gjë që shoh është se kemi derdhur mbështetje zgjedhore për Krasimir Karakaçanov. Nuk e di pse kjo duhet të jetë një përparësi e politikës së jashtme bullgare. Gjithkush ka politikë të brendshme dhe partnerët tanë e shohin rastin vendor politik, por megjithatë udhëheqja është kjo: të jeni në një pozitë të tillë për të vendosur se cili është prioriteti juaj në fund dhe në çfarë mase do t’i vendosni interesat e një partie të vogël nacionaliste kundër interesit të madh evropian”, nënvizoi Çerneva.

Thekson se nëse Qeveria ka filluar punë serioze diplomatike ose çfarëdo ekonomike, kulturore, arsimore me shtetasit e Maqedonisë së Veriut në vitin e fundit, kjo nuk do të kishte ndodhur, ndërsa me këtë edhe ndikimi i Karakaçanov ndaj kësaj çështje nuk do të jetë aq e madhe. 

Desk
By Desk November 19, 2020 10:16