(VIDEO) NË SAMITIN E BERLINIT NUK DO TË FLITET PËR NEGOCIATAT, FRANCA ENDE SKEPTIKE

Redaksia
By Redaksia 26 Prill, 2019 16:51

(VIDEO) NË SAMITIN E BERLINIT NUK DO TË FLITET PËR NEGOCIATAT, FRANCA ENDE SKEPTIKE

Franca vazhdon të jetë skeptike sa i përket hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE. Çështja e hapjes së negociatave nuk do të jetë në rend dite as të hënën  në samitin joformal të Berlinit, në të cilin kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Makron, do të takojnë liderët e rajonit, ndërsa është e ftuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini.  Burime të presidencës franceze kanë thënë për MIA-n se në këtë samit do të bisedohet për bashkëpunimin rajonal por jo edhe për temën e zgjerimit. Të njejtat burime kanë thënë se hapja e negociatave tani për tani nuk është në rend dite as në Këshillin e BE-së.

Qeveria franceze

“E dimë që zgjerimi është pikë thelbësore për vendet e rajonit, por nuk është lëndë e këtyre diskutimeve, ky është një takim për bashkëpunim rajonal dhe ne nuk kemi legjitimitet për të biseduar përë këtë, sepse ajo është kompetencë e Bashkimit Evropian”.

Të pyetur nëse Parisi është i gatshëm të miratoj hapjen e negociatave për këto dy vende, ata kanë thënë se nuk ka një vendim të tillë dhe se ajo nuk është në rend dite.

Qeveria franceze

“Me këtë theksohet rëndësia që këto çështje të trajtohen në mënyrë joformale, sepse sfidat në lidhje me stabilitetin nuk janë tejkaluar akoma dhe ka shumë konteste mes vendeve. Këtu, Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë dhënë shembull pozitiv me Marrëveshjen e Prespës, falë guximit të liderëve të tyre”.

Çështja e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, pritet të diskutohet në qershor, pas zgjedhjeve evropiane, në këshillin e rregullt për çështje të përgjithshme të BE-së, por nuk përjashtohet mundësia që kjo pikë të anulohet për në shtator.

Ndërkohë, samiti i së hënës i inicuar nga Merkel dhe Makron, ka për qëllim që të ndihmoj vendet e rajonit në tejkalimin e kontesteve të shumta të cilat akoma e pengojnë rrugën evropiane.

 

 

Redaksia
By Redaksia 26 Prill, 2019 16:51