Vijon bojkoti i fëmijëve të Bërnjancës. Nxënësit presin, askush nuk mban përgjegjësi

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 28, 2019 19:21

Vijon bojkoti i fëmijëve të Bërnjancës. Nxënësit presin, askush nuk mban përgjegjësi

U mbush një muaj që prej kur 54 nxënësit e fshatit Bërnjancë filluan të bojkotojnë procesin mësimor, duke kërkuar transport deri në Shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë.

Por, se e kujt është përgjegjësia për të siguruar transportin, kjo ende nuk dihet. Komuna e Gazi Babës thotë se përgjegjëse për transportin është Shkolla “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e cila figuron në komunën e Haraçinës.

Por, drejtori i shkollës sqaron se këta nxënës nuk kanë nevojë për transport, sepse kanë objekt shkollor në fshatin Bërnjancë, e aty duhet ta vijojnë mësimin. Ai kërkon që kryetari i komunës së Gazi Babës të adaptojë objektin e zbrazur për nevojat e këtyre nxënësve.

“Me shkrim do bëjë kërkesën deri te kryetari i komunës së Gazi Babës, do ta bëjë kërkesën të bisedohet rreth objektit të shkollës që është pa nxënës, është i zbrazur. Ne i kemi nxënësit, kërkoj që të bisedojmë, nëse na pranon të bisedojmë për objektin”,- tha drejtori i Sh. F. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Azam Aki.

Prindërit e nxënësve thonë se problemin duhet t’ua zgjedhë komuna e Haraçinës, ku edhe paguajnë taksat.

“Ne i takojmë komunës së Haraçinës me adresa e letërnjoftime, jemi taksapagues të Haraçinës dhe komuna e Haraçinës duhet të sigurojë transport, gati u bë 1 muaj që fëmijët bojkotojnë shkollën. Nuk është kërkesa e parë, disa kërkesa janë bërë deri te drejtori i shkollës, Azam Aki, deri te kryetarja, Milikije Halimi, por përgjigje nuk kemi marrë tash, bie përgjegjësia mbi ta deri kur do vazhdojë mospërgjigjja e tyre ndaj nesh”,- u shpreh kryetari i Këshillit të Prindërve, Ekrem Saliu.

Teksa të mëdhenjtë nuk dakordohen dot, ata që vuajnë janë fëmijët. Pushimi veror po u zgjat më tepër se ç’duhet e pasojat duhet t’i paguajnë më të vegjlit që po humbasin mësimin tashmë një muaj.

Ata kërkojnë transport, sepse rruga në këmbë sipas tyre është e gjatë e dimri po vjen.

“Ne kërkojmë veç një furgon që të shkojmë në shkollë, se është rrugë e gjatë, na shkelin veturat, do të bie më vonë borë, por shkolla na mungon shumë”,- theksoi një nxënës.

“Rruga është e gjatë, na shkelin veturat”,- tha një nxënës.

Prindërit e Bërnjancës thonë se në bojkot do të kyçen edhe nxënës tjerë dhe bojkoti do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 28, 2019 19:21